Një qytetar nga Athina ka denoncuar pranë redaksisë sonë shqetësimin e prindërve të tij të moshuar dhe banorëve të tjerë të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë, konkretisht në rrugën e Ish-Agjencisë së Vjetër, ku ndodhet aktiviteti i një servisi makinash.
Sipas denoncimit, ky biznes ka kthyer hapësirën e rrugës dhe trotuaret në ambiente pune për aktivitetin e servisit, duke shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për banorët e zonës.
Qytetari thotë se zhurmat e motorëve dhe punimet zgjasin deri në orët e vona të natës, konkretisht deri rreth orës 00:00, duke cenuar qetësinë e banorëve, veçanërisht të moshuarve që jetojnë në këtë lagje.
Ai shprehet se është interesuar pranë institucioneve përkatëse lidhur me dokumentacionin dhe kushtet ligjore për ushtrimin e këtij aktiviteti, por pretendon se biznesi disponon vetëm NIPT dhe kontratë qiraje, pa dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e aktivitetit në këto kushte.
Sipas qytetarit, pavarësisht ankesave të përsëritura pranë Policisë, Policisë Bashkiake dhe Bashkisë Vlorë, përfshirë edhe takime me përfaqësues të institucioneve, deri më tani nuk ka pasur një zgjidhje konkrete për shqetësimin e banorëve.
Në denoncimin e tij, ai ngre gjithashtu pretendime për mënyrën se si është trajtuar situata nga punonjësit e policisë dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë këto pretendime.
Qytetari thekson se kërkesa e familjes së tij dhe e banorëve të tjerë nuk është ndërprerja e aktivitetit ekonomik, por zhvendosja e servisit në një ambient të përshtatshëm dhe në përputhje me kushtet ligjore, në mënyrë që të mos cenojë jetesën e komunitetit.
Banorët kërkojnë nga Bashkia Vlorë, Policia Bashkiake dhe institucionet e tjera përgjegjëse të kryejnë një verifikim të plotë mbi dokumentacionin, kushtet e ushtrimit të aktivitetit, përdorimin e hapësirave publike dhe respektimin e orareve të lejuara për punën.
Qytetari ka bërë me dije se disponon edhe pamje filmike që dokumentojnë situatën dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve për t'i dhënë fund shqetësimit të krijuar prej kohësh.
Apeli i banorëve:
“Duam të jetojmë të qetë në lagjen tonë. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos i lënë banorët, veçanërisht të moshuarit, të përballen çdo ditë me zhurmat dhe shqetësimet e shkaktuara nga ky aktivitet.”

