Një 36-vjeçar nga Shkodra, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Spanjë, ku pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, pas shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit. I arrestuari është shtetasi Armando Ndreu, ndaj të cilit Gjykata e Shkodrës kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg”.
36-vjeçari akuzohet se në mars të vitit 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një subjekti në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Nga të shtënat u shkaktuan vetëm dëme materiale, pa persona të lënduar.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet spanjolle për të përfunduar procedurat e ekstradimit të tij në Shqipëri.

