Arton Zekaj dikur konsiderohej një nga talentet më premtuese të futbollit serb. Kapiten me grupmoshat e Serbisë, i transferuar te Lille në moshën vetëm 18-vjeçare dhe më pas pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Një rrugëtim që premtonte shumë, por që vite më vonë e ka lënë mesfushorin pa klub. I lindur më 16 prill 2000 në Suboticë, Zekaj u formua fillimisht në akademinë e Spartak Suboticës, përpara se të kalonte te Partizani i Beogradit. Aty nisi të ndërtonte emrin e tij dhe shumë shpejt u bë një nga lojtarët më të vlerësuar të gjeneratës.
Ai mbajti shiritin e kapitenit në disa prej grupmoshave të Serbisë, duke udhëhequr U15, U16 dhe U17. Për një futbollist të ri, gjithçka dukej se po shkonte në drejtimin e duhur. Dhe në verën e vitit 2018 erdhi një tjetër hap i madh. Në moshën 18-vjeçare, Zekaj firmosi një kontratë trevjeçare me Lille, klub i Ligue 1 në Francë. Një transferim që dukej si trampolina ideale drejt futbollit të nivelit të lartë.
Por në të njëjtën periudhë, Zekaj mori një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Edhe pse ishte rritur dhe kishte luajtur për përfaqësueset e moshave të Serbisë, ai zgjodhi Kosovën, në bazë të origjinës familjare. Në vitin 2019 iu bashkua Kosovës U21 dhe debutoi më 9 shtator të atij viti. Në total, Zekaj regjistroi pesë paraqitje me U21 e Kosovës, ndërsa në një prej ndeshjeve ndaj Shqipërisë mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Në nivel klubesh, megjithatë, karriera nuk mori hovin që shumëkush kishte parashikuar. Te Lille, Zekaj arriti të luajë vetëm një ndeshje me ekipin e parë. Me Lille II pati 16 paraqitje përpara se të largohej nga klubi në vitin 2021.
Pas Francës nisën vitet më të vështira. Zekaj vijoi karrierën në nivele më të ulëta, duke luajtur gjatë sezonit 2022–2023 për Tisa Adorjan në Serbi. Në sezonin 2024–2025 ai provoi një tjetër aventurë, këtë herë në Luksemburg me Swift Hesperange. Aty pati një rol më të rëndësishëm, duke luajtur 15 ndeshje dhe duke shënuar një gol.
Por pas kësaj aventure, gjurmët e tij në futbollin profesionist bëhen gjithnjë e më të rralla. Sot, Arton Zekaj është pa klub. Një histori që nisi me shiritin e kapitenit të Serbisë, vazhdoi me zgjedhjen për të përfaqësuar Kosovën dhe me një kontratë te Lille, por që nuk mori kurrë përmasat që premtonte në fillim.
Nga një prej talenteve që kërkohej në Francë, te një karrierë që u venit gradualisht. Arton Zekaj mbetet një prej rasteve më interesante të një brezi futbollistësh nga rajoni, rrugëtimi i të cilit mori një kthesë shumë larg pritshmërive të fillimit. Top Channel

