Autoritetet spanjolle kanë zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke sekuestruar më shumë se 10 tonë kokainë në qytetin Águilas, në rajonin e Murcias. Sipas mediave spanjolle, në fokus të hetimeve është një organizatë kriminale shqiptare, e dyshuar për përfshirje në magazinimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.
Siç raporton gazeta La Verdad, sasia e madhe e kokainës ishte fshehur në dy kapanone industriale në zonën El Labradorcico. Dy ambientet dyshohet se përdoreshin si pika grumbullimi dhe shpërndarjeje, nga ku droga transportohej drejt destinacioneve të ndryshme në Spanjë dhe vende të tjera të Evropës.
Zbulimi i parë erdhi pas një incidenti të papritur gjatë shkarkimit të ngarkesës. Një paletë me kokainë u rrëzua në dyshemenë e njërit prej kapanoneve, duke dëmtuar ambalazhin dhe duke bërë që disa pako me drogë të shpërndaheshin në ambient.
Personat që ndodheshin aty u larguan me shpejtësi, duke lënë pas edhe mjetin që po përdornin për punën. Në vendngjarje mbërriti Policia Bashkiake, pas një sinjalizimi për një aksident të mundshëm në punë. Megjithatë, efektivët nuk gjetën asnjë person në ambient.
Gjatë kontrollit të parë, autoritetet zbuluan mbi pesë tonë kokainë. Vijimi i hetimeve dhe kontrolleve çoi në identifikimin e një magazine tjetër në të njëjtën zonë, ku u gjet një sasi shtesë droge. Në përfundim, sasia totale e sekuestruar kaloi 10 tonët.
Vlera e kësaj ngarkese në tregun e paligjshëm llogaritet të jetë mbi 100 milionë euro, çka e bën këtë sekuestrim një prej goditjeve më të mëdha ndaj trafikut të kokainës në territorin spanjoll.
Një pistë e rëndësishme për zbardhjen e rrjetit kriminal pritet të jenë shënimet e gjetura në kutitë ku ishte paketuar droga. Sipas raportimeve, në to ishin vendosur adresa që lidhen me destinacionet ku duhej të dërgoheshin ngarkesat.
Hetuesit e njësisë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës po analizojnë këto të dhëna, me qëllim identifikimin e marrësve të kokainës, kanaleve të shpërndarjes dhe personave që qëndronin pas organizimit të transportit.
Paralelisht, autoritetet po hetojnë lidhjet e dyshuara të organizatës shqiptare me rrjete të tjera të trafikut të drogës në Evropë, si dhe rolin që ajo kishte në ruajtjen dhe shpërndarjen e ngarkesave.
Deri në publikimin e raportimeve, nuk janë bërë të ditur emrat e personave të dyshuar dhe as nëse ka pasur arrestime në kuadër të këtij operacioni.

