Ndërsa qeveria shqiptare vijon ta paraqesë si të sigurt zhvillimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, disa media ndërkombëtare me reputacion kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi këtë mundësi. Bloomberg raportoi se brenda Aleancës po diskutohet një ndryshim i formatit të takimeve, duke shqyrtuar mundësinë që samitet e NATO-s të mos zhvillohen më çdo vit. Nëse një skenar i tillë miratohet, samiti që pritej të mbahej në Tiranë mund të mos zhvillohet fare.
Sipas medias amerikane, një tjetër element që ka ndikuar në diskutime është qëndrimi kritik i administratës Trump ndaj vendeve që nuk përmbushin objektivat e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria renditet ndër aleatët me kontributet më të ulëta në këtë drejtim, çka, sipas raportimit, ka shtuar rezervat për organizimin e samitit në Tiranë.
Dyshimet u nxiten edhe më shumë nga deklarata përmbyllëse e Samitit të Ankarasë. Ndryshe nga praktika e viteve të kaluara, dokumenti nuk përcakton vendin ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm, por kufizohet vetëm me formulimin: "Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të Turqisë. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm."
Ky ndryshim bie në sy krahasuar me deklaratën e Samitit të Hagës në vitin 2025, ku ishte përcaktuar qartë se pas Ankarasë samiti i vitit 2027 do të zhvillohej në Shqipëri. Në të njëjtën linjë kanë raportuar edhe Reuters dhe Euronews. Reuters, duke cituar diplomatë të NATO-s dhe burime të përfshira në diskutime, shkroi se administrata Trump dhe pakënaqësitë lidhur me nivelin e ulët të investimeve shqiptare në mbrojtje kanë vënë në pikëpyetje organizimin e samitit në Tiranë.
Ndërkohë, Euronews e interpretoi mungesën e çdo reference për Shqipërinë në draft-deklaratën e Ankarasë si një sinjal politik, duke theksuar se Aleanca po i kërkon Tiranës të përshpejtojë angazhimet në fushën e mbrojtjes nëse synon të mbajë statusin e vendit pritës.
Deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar nga NATO për ndryshimin e vendit apo të formatit të samiteve. Megjithatë, raportimet e njëpasnjëshme të Bloomberg, Reuters dhe Euronews tregojnë se mundësia që Shqipëria të mos presë samitin e planifikuar mbetet pjesë e diskutimeve brenda Aleancës. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

