Negociatat për klimën në Antalia të Turqisë kanë hyrë në një ngërç të paprecedentë, duke rrezikuar seriozisht arritjen e një marrëveshjeje në samitin e OKB-së, COP31. Presidenti i konferencës, Murat Kurum, njoftoi se draft-marrëveshja e propozuar nuk u miratua, pasi delegacionet pjesëmarrëse nuk arritën të siguronin konsensusin e nevojshëm.
Sipas BBC-së, ky zhvillim konsiderohet pothuajse i paprecedentë në historinë e samiteve të klimës, ndërsa përplasjet mes vendeve pasqyrojnë edhe tensionet më të gjera gjeopolitike. Arabia Saudite dhe Rusia kanë kundërshtuar ashpër qëndrimet e Bashkimit Evropian, ndërsa Moska i ka cilësuar negociatat si një formë të “larjes së gjelbër”. Edhe lufta në Ukrainë duket se ka ndikuar në klimën e diskutimeve.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për këtë tekst. Për këtë arsye, vendimet specifike nuk u miratuan”, deklaroi Kurum, duke u dhënë sërish fjalën përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse. BREAKING: COP31 President Murat Kurum confirms that the final draft agreement at the summit will not be approved.
If no new final draft is proposed, talks will have to be suspended and reconvened at the following summit in Ethiopia next year, which has only happened once before.
— Sky News (@SkyNews) November 22, 2026 Megjithatë, pavarësisht refuzimit të draftit, negociatat nuk konsiderohen ende të dështuara përfundimisht. Disa vende kanë shprehur gatishmërinë për të vijuar diskutimet në përpjekje për të gjetur një kompromis.
Ishujt Marshall gjithashtu kundërshtuan marrëveshjen e propozuar, por theksuan se nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët.
“Ne do të kthehemi dhe do ta vazhdojmë këtë punë. Vetëm së bashku mund ta zgjidhim këtë krizë”, deklaroi delegacioni i tyre.
Kritika të forta ndaj draft-marrëveshjes ka shprehur edhe Franca. Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Monique Barbie, e cilësoi propozimin e fundit si një hap prapa dhe një pengesë të papranueshme, veçanërisht për shkak të mungesës së një referimi të qartë për largimin nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
“Koha po mbaron dhe fatura ende nuk është paguar”, deklaroi ministrja franceze, duke kritikuar faktin se teksti i ri nuk përmban angazhime konkrete për shkëputjen nga karburantet fosile.
Ajo shprehu gjithashtu pesimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se situata është më e vështirë se një ditë më parë.
“Unë mendoj se po shkojmë prapa. Sot jam më pesimiste sesa isha dje”, u shpreh Barbie.
Shqetësim për ecurinë e negociatave ka shprehur edhe një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili tha për AFP-në se ekziston një mundësi shumë reale që samiti të përfjë pa një marrëveshje.
Ndërkohë, ministri i Mjedisit i Antiguas dhe Barbudës, Michael Joseph, deklaroi se ishte shumë i zhgënjyer me përmbajtjen e dokumentit, por konfirmoi se negociatat vijonin.
Çfarë parashikon draft-marrëveshja?
Në qendër të mosmarrëveshjeve është mungesa e një angazhimi të qartë për largimin nga lëndët djegëse fosile, të cilat konsiderohen si një nga burimet kryesore të ndryshimeve klimatike.
Drafti i përgatitur nga presidencat turke dhe australiane të konferencës nuk përmban një thirrje të drejtpërdrejtë për ndërprerjen e përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit. Dokumenti bën vetëm një referencë të kufizuar ndaj marrëveshjes së arritur në COP28 në Dubai, në vitin 2023, kur për herë të parë vendet ranë dakord për një kalim gradual larg lëndëve djegëse fosile.
Një tjetër pikë kundërshtie është promovimi i teknologjive për kapjen dhe ruajtjen e karbonit (CCS/CCUS), të cilat mbështeten nga kompanitë e naftës dhe qymyrit.
Kjo qasje ka shkaktuar debate mes delegacioneve, duke thelluar ndarjet mbi mënyrën se si duhet të përshpejtohet lufta kundër ndryshimeve klimatike.
Me negociatat që po i afrohen afatit përfundimtar, mbetet e paqartë nëse vendet do të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të miratojnë një marrëveshje të përbashkët, apo COP31 do të përfjë pa një konsensus. Top Channel

