Protestat e zhvilluara prej 77 ditësh në Shqipëri kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e medias italiane “La Notizia Giornale”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë të ashtuquajturit “Revolucioni i Flamingove”. Në artikull, media italiane thekson se protesta nisi në Zvërnec kundër zhvillimeve në një zonë të mbrojtur, por më pas u zhvendos në Tiranë dhe mori një dimension më të gjerë politik, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas “La Notizia Giornale”, protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e tre ligjeve që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe investimet në zonat malore. Artikulli ndalet veçanërisht te projekti i resortit në Sazan dhe te përfshirja e kompanisë së lidhur me Jared Kushner, duke përmendur edhe hetimet e SPAK për ndryshimet në statusin e zonës dhe burimin e financimit të blerjes së tokës. Media italiane i kushton një pjesë të rëndësishme edhe reagimit të institucioneve europiane. Ajo përmend raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe thirrjen për një moratorium mbi lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura. “Llogaria italiane” Një kapitull i veçantë i artikullit i kushtohet marrëdhënieve mes Romës dhe Tiranës, veçanërisht marrëveshjes për qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër. Sipas medias italiane, interesat e Italisë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje mund të shpjegojnë edhe qëndrimin e rezervuar të qeverisë së Giorgia Melonit ndaj zhvillimeve politike dhe protestave në Shqipëri. “La Notizia Giornale” thekson se Italia është një prej partnerëve kryesorë ekonomikë të Shqipërisë dhe sjell në vëmendje deklaratat e Melonit, e cila e ka cilësuar Ramën si “miku im Edi Rama”. Në artikull argumentohet se Roma ka interes për funksionimin e protokollit të emigrantëve, ndërsa Tirana ka nevojë për mbështetjen e një partneri të rëndësishëm europian.
Në përfundim, media italiane e përshkruan heshtjen e Romës ndaj protestave shqiptare si një “klauzolë që askush nuk e ka shkruar”, duke ngritur pikëpyetje mbi interesat që qëndrojnë pas këtij qëndrimi. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: media

