Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, ndërsa kërkojnë masa urgjente për kontrollin e sistemeve më të avancuara. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka paralajmëruar se AI mund të përdoret për sulme kibernetike, ndërprerjen e shërbimeve thelbësore dhe goditjen e infrastrukturës kritike.
Çështja pritet të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me Francën që e ka vendosur inteligjencën artificiale në krye të agjendës. Ndërkohë, Kina e sheh sigurinë e AI-së edhe në kuadër të konkurrencës teknologjike me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar për rreziqet e monopolizimit të teknologjisë dhe kufizimit të aksesit në çipa e kapacitete llogaritëse.
Në anën tjetër, administrata e Donald Trump kundërshton vendosjen e kufizimeve të reja ndaj inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave. Trump ka argumentuar se ngadalësimi i zhvillimit të AI-së do t’i jepte avantazh Kinës. Përballë këtyre qëndrimeve, debati ndërkombëtar mbetet i fokusuar te gjetja e një ekuilibri mes sigurisë, inovacionit dhe konkurrencës teknologjike.

