Protestuesit e arrestuar mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi rrethuan godinën e Kryeministrisë teksa kryeministri Edi Rama ndodhej brenda në zyrën e tij, janë lënë të lirë nga Gjykata e Tiranës, e cila e konsideroi arrestimin të jashtëligjshëm. Ndaj protestuesve kishte dyshime për veprat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Gjatë seancës gjyqësore, protestuesit kërkuan deklarimin e paligjshëm të arrestimit dhe lirimin pa asnjë masë sigurie, duke këmbëngulur se nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Teksa brenda në gjykatë zhvillohej seanca, jashtë dyerve të saj qytetarët bënin thirrje të vazhdueshme për lirimin e protestuesve dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë, me brohoritjet: “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun!”. Shtetasit Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimuçaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu u arrestuan mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi rrethuan godinën e qeverisë sapo u mësua se kryeministri ndodhej brenda. Pas disa orësh rezistencë nga ana e protestuesve, kryeministri e la zyrën nën masa të rrepta sigurie. Protestat qytetare vijojnë prej më shumë se tre muajsh, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e shefit të ekzekutivit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
