Një mbrëmje në kinema përfi me fraktura të rënda për një grua në Itali, e cila pas shtatë vitesh betejë ligjore ka fituar të drejtën për të marrë 145 mijë euro dëmshpërblim.
Ngjarja ndodhi më 17 janar 2019, në një kompleks kinemash në provincën e Gorizias. Gruaja, e cila në atë kohë ishte rreth të dyzetave, hyri në sallë pasi filmi kishte nisur dhe po ndiqte dritat LED përgjatë shkallëve për të gjetur vendin e saj.
Gjatë lëvizjes, ajo rrëshqiti mbi një mbulesë plastike transparente dhe theu dy kockat e këmbës së majtë, tibien dhe fibulën. Dëmtimi kërkoi ndërhyrje kirurgjikale dhe i shkaktoi vështirësi të zgjatura në jetën e përditshme.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Civile e Milanos vendosi se përgjegjësia për aksidentin i takonte menaxhmentit të kinemasë, duke caktuar 145 mijë euro dëmshpërblim.
Sipas raportimit të medias italiane “Il Giorno”, gjykata mori parasysh jo vetëm dëmtimet fizike dhe periudhën e rikuperimit, por edhe pasojat afatgjata, përfshirë vështirësitë në ecje, udhëtime dhe pushime.
Në vendim, rrëshqitja u konsiderua në përputhje me praninë e një sipërfaqeje shumë të rrëshqitshme. Ndër shkaqet e mundshme u përmend edhe një kapak plastik gote, i cili mund të kishte qenë i lagësht.
Nga ana tjetër, mbrojtja e menaxherit të kinemasë kundërshtoi pretendimet, duke argumentuar se ambientet ishin pastruar dhe mbetjet nga shfaqjet e mëparshme ishin hequr. Megjithatë, gjykata nuk i pranoi këto argumente dhe vendosi në favor të gruas.
Pas shtatë vitesh, çështja përfi me një dëmshpërblim prej 145 mijë eurosh për pasojat e aksidentit në kinema.

