Foto Pamfleti / Vizita e Gideon Sa’ar në Tiranë është pjesë e ofensivës izraelite në rajon, ku teknologjia, mbrojtja dhe energjia po ndryshojnë ekuilibrat e vjetër të ndikimit turk... Vizita në Tiranë e ministrit të Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, nuk përbën veprimtarinë e parë ballkanike të një përfaqësuesi të lartë të qeverisë izraelite.
Shqipëria ka intensifikuar marrëdhëniet me Izraelin gjatë viteve të fundit, por nuk është vendi i vetëm i rajonit që po ndjek këtë drejtim. Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, nga Sllovenia deri në Greqi, kanë krijuar marrëdhënie të ngushta me shtetin izraelit.
Rikthimi në pushtet i së djathtës së Janez Janšës në Slloveni forcoi marrëdhëniet me Izraelin, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike dhe të teknologjisë.
Greqia ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme sigurie me Izraelin dhe ka blerë sisteme të mbrojtjes ajrore kundër raketave balistike dhe dronëve, pjesë e projektit të njohur si “Thembra e Akilit”.
Athina dhe Jerusalemi kanë zgjeruar bashkëpunimin edhe në sektorin energjetik. Projekti i gazsjellësit EastMed synon të lidhë rezervat e gazit në Mesdheun Lindor me Greqinë, duke krijuar mundësinë e bashkimit me linjat që furnizojnë tregun europian, përfshirë korridorin drejt Italisë.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, vizitoi Jerusalemin në gusht dhe, së bashku me Gideon Sa’ar, nënshkroi marrëveshje në fushën e sigurisë, teknologjisë dhe kërkimit shkencor.
Sa’ar ka vizituar edhe Serbinë, ku ka diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje, siguri kibernetike dhe teknologji. Izraeli ka shtuar kontaktet edhe me Republikën Srpska, Malin e Zi dhe, në një shkallë më të kufizuar, me Kroacinë.
Izraeli është kthyer në një aktor që ndikon drejtpërdrejt në debatin politik të vendeve ballkanike. Në Slloveni, ku vepron një grupim i fuqishëm intelektualësh të majtë, përfshirë Slavoj Žižekun, marrëdhënia me Izraelin ka prodhuar polarizim. Qeveritë e majta e kanë akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza, ndërsa e djathta e Janšës ka ndjekur një politikë të kundërt.
Në vendet që kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane, debati merr edhe përmasa ideologjike dhe fetare. Megjithatë, në Kosovë, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Izraeli ka arritur të ndërtojë mbështetje politike dhe publike për këtë afrim.
Përse Izraeli po zhvillon një ofensivë diplomatike në Ballkan?
Arsyeja kryesore nuk është ekonomike, edhe pse marrëveshjet tregtare dhe teknologjike zënë një vend të rëndësishëm. Synimi është gjeopolitik. Izraeli po sfidon Turqinë, rivalen e tij të re, në një hapësirë që Ankaraja e konsideron pjesë të zonës së vet tradicionale të ndikimit.
Ballkani ka rëndësi strategjike për Turqinë që nga fillimet e zgjerimit osman. Osmanët e kuptuan se kontrolli i gadishullit u hapte rrugën drejt territoreve të Perandorisë Bizantine dhe më pas drejt Europës Perëndimore. Rruga Egnatia përfaqësonte atëherë një arterie kryesore tregtare dhe ushtarake. Sot këtë rol e luajnë korridoret tokësore, portet dhe rrugët detare të Mesdheut.
Ndikimi turk në Ballkan ka qenë i gjatë dhe i fuqishëm, por jo linear dhe as gjithëpërfshirës. Ai ka pasur shpesh karakter ideologjik.
Gjatë tri dekadave të fundit, strategjia neoosmane e qeverive të Rexhep Tajip Erdoganit u përqendrua te rindërtimi i objekteve të kultit, trashëgimia osmane dhe financimi i shkollave fetare. Ankaraja e lidhi një pjesë të ndihmës dhe bashkëpunimit me një projekt kulturor dhe ideologjik.
Izraeli nuk mbart kompleksin perandorak të Turqisë dhe nuk synon të ndërtojë një kalifat fetar. Ai nuk ka konflikte historike me shtetet ballkanike të dala nga Perandoria Osmane. Përkundrazi, mund të mbështetet në historinë e komuniteteve hebraike që kanë jetuar në rajon, përfshirë periudhën osmane.
Mbi këtë bazë, Izraeli po sjell në Ballkan teknologjinë e tij në bujqësi, përpunimin e ujërave, sigurinë kibernetike, mbrojtjen ajrore dhe sektorin energjetik. Projekti EastMed mund ta kthejë Izraelin në një aktor të rëndësishëm të tregut energjetik ballkanik.
Ndryshe nga Turqia, e cila ka një rivalitet të drejtpërdrejtë me Greqinë, Izraeli nuk e konsideron asnjë vend të rajonit kundërshtar strategjik. Ai ka ndërtuar marrëdhënie me pothuajse të gjitha kryeqytetet ballkanike dhe po i zgjeron ato me shpejtësi.
Nëse kjo ofensivë do të përbënte vetëm një operacion të izoluar izraelit, Turqia do të reagonte fort. Ankaraja nuk do ta lëshonte lehtë hapësirën që e konsideron “oborrin e pasmë”.
Megjithatë, ky konfigurim mund të lidhet me ndarjen e re të zonave të ndikimit që po ndërton administrata e Donald Trumpit. Uashingtoni po i njeh Turqisë një rol të zgjeruar në Siri dhe në hapësirën e Levantit, ndërsa Ballkanin dhe Mesdheun Lindor po i orienton më qartë drejt Perëndimit.
Edhe lëvizjet e Hakan Fidanit japin një sinjal në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm turk, i cili dikur udhëtonte shpesh në Ballkan, prej kohësh është përqendruar te Hamasi, Siria dhe territoret e dikurshme osmane në Azi.
Ballkani po hyn kështu në një konfigurim të ri gjeopolitik. Vizita e Gideon Sa’ar në Tiranë nuk është një episod diplomatik i shkëputur, por pjesë e një operacioni rajonal që sapo ka nisur./Pamfletiarsyet e ofensivës së izraelit në ballkan Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Pse e sulmoi Sali Berisha kunatin e Fatmir Mediut 13 Tetor 2026, 14:2314:23Dosja e zezë Ami Kozeli në SPAK, shkresa që trondit ARRSH-në për tenderin 50 mln euro ku fitoi Bami 12 Tetor 2026, 13:1113:11Dosja e zezë Kronologjia e pazarit të madh Berisha- Rama për reformën territoriale 11 Tetor 2026, 13:1613:16Dosja e zezë Arkitektura e Edi Ramës, si vello për korrupsionin endemik! 10 Tetor 2026, 15:1815:18Dosja e zezë Artan Gaçi në SPAK, roli i ortakut Idlir Lopçi i “Peninsula”; nga call center-at te tokat e Artur Shehut në Zvërnec 9 Tetor 2026, 19:5219:52Dosja e zezë Pas medreseve, turqishtja futet edhe në shkollat e mesme publike 9 Tetor 2026, 11:5211:52Dosja e zezë

