Ditën kur magjistratët e rinj marrin detyrën, Shkolla e Magjistraturës e shoqëron ceremonialin me një konferencë mbi sfidat e shumta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Më 29 qershor, për tetë orë me radhë u diskutua marrëdhënia e vështirë mes medias dhe drejtësisë. Ekspertët vendas e ndërkombëtarë sollën përvojat e tyre, duke ndarë bindjen se raportimi mbi sistemin gjyqësor nuk është tekë e medias, por një domosdoshmëri që i shërben vetë drejtësisë. LEXO edhe...Carlo Bollino: Rregullorja e GJKKO-së si paradhoma e një diktature Në atë aktivitet morën pjesë pak prokurorë e gjyqtarë në detyrë. Midis të munguarve ishte edhe kryetari i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), i cili, sipas të gjitha gjasave, po i jepte dorën e fundit rregullores së re për median, e cila u bë publike në faqen zyrtare të institucionit më 31 korrik 2026. Drafti i titulluar "Rregullore për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", ka nxitur kundërshti të forta, veçanërisht te komuniteti i gazetarëve, sa i përket normimit të sjelljes së medias. Argumentet e kundërshtimit janë të shumta, duke nisur nga cenimi i misionit: disa norma cenojnë drejtpërdrejt rolin e gazetarit për të raportuar mbi procesin e dhënies së drejtësisë. Rregullorja krijon hapësirë për vendime arbitrare të gjyqtarëve në pengimin e gazetarëve brenda mjediseve të gjykatës dhe kufizon përdorimin e mjeteve teknologjike që garantojnë një raportim të plotë e multimedial. Interesant është se hartuesit e rregullores tentojnë të imponojnë rregulla sjelljeje për gazetarët edhe jashtë ambienteve të gjykatës. Kjo rregullore bie ndesh me praktikën ndërkombëtare të garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe me legjislacionin vendas, përfshij Kushtetutën, Ligjin për të Drejtën e Informimit, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. Akreditim, por për çfarë? Neni 90 i rregullores i kushtohet akreditimit të përfaqësuesve të medias. Në perëndim, si dhe në pushtetin ekzekutiv e legjislativ në Shqipëri, akreditimi përdoret si mekanizëm organizativ për të lehtësuar aksesin. Pika 7/ç e këtij neni kërkon autorizim ose vërtetim nga subjekti mediatik që gazetari përfaqëson. Me këtë formulim, rregullorja përjashton gazetarët freelance (të pavarur). Mirëpo, ky nuk është problemi kryesor. Një gazetar, edhe pasi kalon këtë "veting" të Kryetarit të Gjykatës, nuk përfiton asnjë lehtësi nga statusi i të akredituarit. Në literaturën profesionale, akreditimi shërben për të përshpejtuar marrjen e informacionit dhe për të lehtësuar punën e përditshme. Ndërkohë, në këtë draft-rregullore nuk ka asnjë diferencim mes gazetarit të akredituar dhe atij të pa-akredituar. Asnjë "privilegj" nuk përfitohet; të gjithë i nënshtrohen të njëjtave kufizime, deri te kodi i veshjes (Neni 49). Atëherë, përse shërben ky proces, përveçse si një tentativë për kontroll ndaj medias? Një numër i madh nenesh i kushtohet ndalimit të regjistrimit, fotografimit dhe filmimit. Katër shtyllat e raportimit profesional janë fjala, zëri, fotoja dhe videoja. Megjithatë, Gjykata e Posaçme i kërkon medias të operojë vetëm me fjalën. Debati për praninë e kamerave në sallën e gjyqit është i njohur: juristët kërkojnë teknikalitete për t'i ndaluar, ndërsa gazetarët mbrojnë transparencën si rrugën e vetme për rritjen e besimit të publikut te drejtësia. Por rregullorja e GJKKO-së shkon përtej këtij debati; ajo shfaq frikë nga transparenca, ndalon deri edhe përdorimin e telefonit, nga frika se mos "konvertohet" në kamerë. Rregullorja kërkon leje të veçantë për çdo seancë gjyqësore. Nëse në një ditë zhvillohen 10 procese me interes publik, gazetarit i duhet të bëjë 10 kërkesa të ndryshme, të paktën 24 orë përpara. Kjo është një procedurë burokratike sfilitëse që në thelb quhet censurë. Neni 96 titullohet "Sjellja e medias në ambientet e gjykatës", por pika "ë" ndalon përdorimin e Inteligjencës Artificiale për krijimin e materialeve mashtruese apo manipulimin e regjistrimeve audiovizive të gjykatës. Ky aktivitet nuk mund të kryhet brenda mjediseve të gjykatës, ku gazetarët janë tashmë të zhveshur nga teknologjia. Pra, rregullorja tenton të normojë punën e gazetarit brenda redaksisë së tij. Më tej, pika "f" ndalon "filmimin e panevojshëm që nuk ka lidhje me ngjarjen objekt raportimi". Kush e përcakton nevojën e filmimit të një gjyqtari, roja e sigurisë, apo ndonjë aparat i ri censure pranë GJKKO-së? Në gjykatë hyjnë persona me status të posaçëm publik, dhe për gazetarët çdo detaj mund të përbëjë interes publik, sot ose në të ardhmen. Edhe pika "g", e cila kërkon mjegullimin apo anonimizimin e personave kur identifikimi nuk është i domosdoshëm, i përket punës redaktuese dhe jo sjelljes brenda gjykatës. Kjo ngre sërish pyetjen: cila strukturë do të gjykojë nëse identifikimi është i domosdoshëm apo jo? Nga një analizë e plotë rezulton se hartuesit e rregullores e shohin median si palë kundërshtare dhe jo si urë komunikimi me opinionin publik. Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe duhet të shihet se po bëhet… përveçse kur synohet e kundërta. P.J/ReportTv.al rregullorja e GJKKO Zylyftar Bregu Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 35% Jo 59.3% Nuk e di 5.7% Vota total: 528 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?

