Aktorja britanike Rachael Stirling ka zbuluar një ritual të pazakontë që e ndihmon të ndiejë praninë e nënës së saj të ndjerë, aktores së njohur Diana Rigg. Në një rrëfim personal të publikuar në gazetën britanike The Guardian, ajo tregon se konsumon disa grimca nga hiri i nënës para çdo premiere teatrale.
Stirling shpjegon se gjithçka nisi pas vdekjes së nënës së saj, në vitin 2020. Ajo mbante me vete një enë të vogël me hirin e saj dhe, gjatë një premiere, disa grimca u derdhën aksidentalisht mbi tavolinën e dhomës së zhveshjes. Në nxitim e sipër, aktorja i mblodhi me gisht dhe i vendosi në gojë.
Sipas rrëfimit të saj, ky veprim nuk iu duk i gabuar. Përkundrazi, i dha një ndjesi qetësie dhe e ndihmoi të përballonte emocionet e forta përpara se të dilte në skenë. Që prej asaj nate, ajo e ka përsëritur këtë ritual para çdo premiere.
Aktorja pranon se rrëfimi i saj ka shkaktuar reagime të ndryshme, nga mirëkuptimi deri te neveria. Ajo shprehet se nuk e sheh këtë veprim si diçka të frikshme, por si një mënyrë personale për ta mbajtur nënën pranë vetes dhe për të ndier se ajo vazhdon ta shoqërojë në karrierën e saj.
Diana Rigg, e cila ndërroi jetë në vitin 2020 në moshën 82-vjeçare, ishte e njohur për rolet e saj në serialin The Avengers dhe në serialin Game of Thrones. Rachael Stirling ka shkruar edhe librin All About My Mother, kushtuar jetës dhe marrëdhënies së saj me të ëmën.
Burimi: The Guardian

