Lajme Zone
Princeshëza e hënës e Virgjil Muçit
KulturëReport TV

Princeshëza e hënës e Virgjil Muçit

Keni në duar një përrallë për të rritur shkruar nga Virgjil Muçi. "Princeshëza e Hënës" është një përrallë për të rritur që, me fjalë të thjeshta dhe kuptime të vërteta, të ledhaton si pambuku, por njëkohësisht rëndon si hekuri dhe gdhendet në heshtje në mendjen e lexuesit.

Nga Pepi Kogia Keni në duar një përrallë për të rritur shkruar nga Virgjil Muçi. Por përralla si kjo nuk fillojnë me «Na ishte njëherë», as mbyllen me fjalët «Dhe jetuan të lumtur përgjithmonë!». LEXO edhe...Si dështoi në Shqipëri filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”! Vjen në shqip “Intrigë ndërkombëtare”, libri zbulon faktet! Jo komunizmi, filmi u ndal nga Italia Përralla jonë përshkohet nga një mister, po ai mister që karakterizon shpirtin njerëzor dhe universin. Njeriu krijon universe për të ngushëlluar veten; dëshiron t’i pushtojë, i shkatërron nga mendjemadhësia dhe rrezikon të shkatërrojë edhe vetveten. "Princeshëza e Hënës" është një përrallë për të rritur që, me fjalë të thjeshta dhe kuptime të vërteta, të ledhaton si pambuku, por njëkohësisht rëndon si hekuri dhe gdhendet në heshtje në mendjen e lexuesit. Siç vëren Virgjil Muçi, rrëfimi, njëlloj si udhëtimi, ka fillimin, mesin dhe fundin e vet. Është një histori për jetën, për njohjen e vetvetes dhe për të mësuarit, me Princeshëzën e Hënës në rolin kryesor dhe astronautin nga Toka si bashkëprotagonist. Por protagonisti më i madh është vetë shpirti njerëzor dhe përvoja e humbjes. Ngjarja zhvillohet në Hënë, por kufijtë mes reales dhe joreales janë të mjegullt, ndërsa rolet e dy protagonistëve lëvizin përtej moshës së tyre. Shkencëtari, astronauti, eksploruesi herë pas here bëhet vetë fëmijë; ndërsa Princeshëza, vajza e vogël e Hënës, shfaqet si një figurë e urtë, që e nxit pareshtur të shohë të vërtetën. E vogël, me një shkëlqim të argjendtë e me mendje të mprehtë, asaj i pëlqen t’i dëgjojë dhe t’i rrëfejë përrallat. Ajo kërkon të vërtetën, qoftë tokësore apo hënore; dhe e sheh kur mbyll sytë e para saj shfaqet pylli i bukur i Hënës. Lëkura e saj është pothuajse e tejdukshme, prania e saj e papeshë si një flutur, ndërsa lotët që i rrëshqasin nga sytë janë perla. Perla zie. Kështu na shfaqet për herë të parë, kur astronauti i përrallës gjendet papritur përballë saj: me perlën në sy dhe një luledele të vyshkur, me petale të arta, në dorë. Pikërisht këtë lule astronauti, njeriu i botës reale, e fsheh në grushtin e shtrënguar. Është lulja e pafajësisë, e thjeshtësisë dhe e përtëritjes, që mban të lidhura brishtësinë dhe paqëndrueshmërinë në kufirin mes reales dhe joreales. Si përfaqësues i njerëzimit në Hënë, astronauti është zëri i arsyes së mbështetur në prova shkencore; është pushtuesi që e sheh universin si pronën e vet. Përpara e shtyjnë i ashtuquajturi «interes i përbashkët» botëror, mendjemadhësia njerëzore e dijes absolute dhe fitimi. E megjithatë, krejt papritur dhe me një sinqeritet të plotë, ai merr rolin e një fëmije të vogël që mrekullohet… Fjalët e tij na zbulojnë plane madhështore për kolonizimin e Hënës, por edhe të vërtetën se «errësira është më shumë një dimension i brendshëm sesa i jashtëm». Dhe, megjithëse pushtues, ai i dorëzohet së vërtetës, e zbulon atë dhe, në mënyrë tronditëse, zbulon vetveten. Edhe lexuesi zbulon se kufijtë mes reales dhe joreales janë të hollë sa fija e një rrjete merimange; se pranimi dhe përballimi i humbjes marrin trajtën e heshtjes që të copëton zemrën përpara dhomës së zbrazët të një fëmije, të braktisur prej kohësh; dhe se luledelja me petale të arta, që kalon në pëllëmbët e dy protagonistëve të përrallës, bëhet katalizatori i dashurisë, në cilindo univers që të ndodhet — apo edhe jashtë, në kufijtë e tij. Më lejoni të them se edhe unë ndërmora një udhëtim drejt Hënës. E gjeta veten duke u mrekulluar bashkë me astronautin në çdo hap dhe në çdo mendim të tij, dhe u befasova nga urtësia fëmijërore e Princeshëzës, ajo urtësi që ne të rriturit kemi zgjedhur ta harrojmë në rendjen tonë pas pushtetit. Dhe u ktheva në Tokë me shpirtin të shtrënguar, po aq fort sa burri shtrëngonte në grusht luledelen me petale të arta. B.G/ReportTv.al libri Princesheza e henes virgjil muçi perralla Komento Komente Sondazhi i ditës: A e di arsyen e protestave të dhunshme kundër Ministrisë së Arsimit? Po 21% Jo 76.4% Disi 2.7% Vota total: 1621 Sondazhi i ditës: A e di arsyen e protestave të dhunshme kundër Ministrisë së Arsimit?