Lajme Zone

Rrëfimi i Maganit: Muriqi një jetim që mposhti dallgët e jetës i vetëm, e nisi në Durrës dhe u bë “Pirati” i Spanjës

Sot, emri i tij kumbon në stadiumet e La Ligës, duke rivalizuar yje botërorë si Kylian Mbappe me një shifër mbresëlënëse prej 19 golash.

Rrëfimi i Maganit: Muriqi një jetim që mposhti dallgët e jetës i vetëm, e nisi në Durrës dhe u bë “Pirati” i Spanjës

Sot, emri i tij kumbon në stadiumet e La Ligës, duke rivalizuar yje botërorë si Kylian Mbappe me një shifër mbresëlënëse prej 19 golash. Vedat Muriqi është kthyer në një makineri golash dhe një nga sulmuesit më të frikshëm në elitën e futbollit spanjoll dhe europian. Por rrugëtimi i “Piratit” të Kosovës drejt majës nuk ka qenë aspak i shtruar me ar. Për të kuptuar thelbin e suksesit të tij, duhet të kthehemi pas në kohë, në sezonin 2012-2013, atëherë kur një djalosh shtatlartë, me shumë ëndrra dhe pak fjalë, trokiti në dyert e Teutës së Durrësit.

Në krye të stolit durrsak asokohe ishte Gugash Magani. Për teknikun peqinas, kujtimet e atij djaloshi janë ende të freskëta, në këtë interviste ekskluzive për Top Channel dhënë gazetarit Endi Tufa, jo vetëm për atë çfarë tregonte në fushë, por mbi të gjitha për dimensionin e tij njerëzor dhe sakrificën e jashtëzakonshme.

Zbulimi i një talenti shpesh fshihet pas rrethanave të vështira dhe vendimeve që shkojnë përtej anës teknike. Magani kujton momentet e para kur Muriqi iu bashkua skuadrës në provë, duke theksuar se qëndrimi i tij në ekip u diktua jo vetëm nga fiziku, por edhe nga një ndjeshmëri e veçantë e klubit ndaj historisë së tij personale, që e bënte atë një djalosh me një peshë të madhe mbi supe.

“Vedat Muriqi në fillimet e para ka qenë lojtari i Teutës dhe ne e morëm në fillim në provë, të jem i sinqertë. E mbajtëm sepse përveç futbollit, ishte dhe pjesa humane, siç ishte presidenti i asaj kohe i ekipit, sepse ky përveçse ishte i vogël, ishte edhe jetim dhe u kujdesej me sa mbaj mend unë xhaxhai i tij”, shprehet Magani.

Në pamje të parë, Muriqi i atyre viteve nuk ishte sulmuesi i rafinuar dhe i frikshëm që shohim sot. Megjithatë, atë që i mungonte në finesë, e kompensonte me një etje të jashtëzakonshme për t’u përmirësuar. Për Maganin, sulmuesi dardan është personifikimi i punës së palodhur, aq sa tekniku nuk ngurron ta krahasojë mentalitetin e tij me atë të Cristiano Ronaldos kur bëhet fjalë për vullnetin në stërvitje.

“Përveç cilësive fizike nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, por sot më vjen mirë që është bërë një lojtar kaq i madh, sepse për hir të së vërtetës ishte një lojtar shumë punëtor. Më kërkonte me shumë edukatë dhe mirësjellje që, edhe pse isha trajneri i parë i ekipit, ta stërvisja individualisht edhe pas seancës stërvitore. Dhe gjithmonë ditën e hënë, martë dhe të mërkurë, punoja me të veçmas. Për mua ai është modeli i Ronaldos. Një lojtar shumë punëtor dhe vetëm puna e ka bërë që të jetë në këto nivele të larta, jam krenar që e kam stërvitur këtë lojtar”, shprehet ish-trajneri i Teutës.

Rasti i Murriqit shërben sot edhe si një leksion për vetë trajnerët, menaxherët dhe skautët në Shqipëri. Magani e shfrytëzon këtë histori suksesi për të dhënë një mesazh të fortë për kolegët e tij, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë në seleksionimin e elementëve të rinj, një parim që ai e konsideron të shenjtë në profesionin e tij për të mos “vrarë” ëndrrat e të rinjve.

“Kisha edhe një sugjerim, ne trajnerët duhet të jemi pak më të kujdesshëm tek pjesa e seleksionimit, jepi tjetrit atë që meriton. Një profesionist i mirë, pikë së pari, duhet të jetë i ndershëm. Me veten time kam bërë një betim, siç e kanë bërë doktorët betimin e Hipokratit, unë kam bërë betimin e Hipokratit në futboll. Çdo gjë më pas është relative, sepse jo të gjitha janë absolute ashtu siç është edhe vetë futbolli.”

Sot, kur e shohim Vedat Muriqin të fitojë duelet në ajër me mbrojtësit e Realit të Madridit apo Barcelonës dhe të ngrejë peshë tifozët spanjollë me golat e tij, fjalët e Gugash Maganit marrin një kuptim akoma më të thellë.

“Pirati” nuk lindi i tillë, ai u farkëtua mes vështirësive të jetës, përulësisë, dhe atyre seancave stërvitore shtesë pasditeve në Durrës. Rrugëtimi i tij mbetet një dëshmi e qartë se fiziku dhe fati mund të hapin një derë, por është vetëm puna e pamëshirshme, dëshira për të mësuar dhe vullneti i hekurt që të mbajnë në majën e botës. Top Channel