“Thirrje rinisë shqiptare! Flota Rozafa po niset drejt SHBA-ve. Rini, ju mirëpresim në bord!”
Me këtë mesazh, sipërmarrësi Gjergj Luca u drejtohet të rinjve shqiptarë përmes një video-komunikimi, duke bërë publike ambicien për ta zgjeruar aktivitetin e kompanisë Rozafa në tregun amerikan. Nisma, sipas tij, synon të ndërthurë zhvillimin e një rrjeti të ri biznesi me përfshirjen e të rinjve shqiptarë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke u krijuar mundësi punësimi, formimi profesional dhe bashkëpunimi.
Pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku zhvilloi takime dhe njohu nga afër disa prej mundësive që ofron tregu amerikan, Luca ka artikuluar një projekt zgjerimi që e sheh Rozafën si një markë shqiptare me perspektivë ndërkombëtare. Në vijim të një ftese të mëparshme përmes postës elektronike, sipërmarrësi thotë se ka marrë përgjigje të shumta nga të rinj të interesuar për t'iu bashkuar kësaj nisme. Në komunikimin e fundit, ai ka dhënë edhe disa sqarime mbi strukturën dhe mënyrën se si parashikohet të zhvillohet projekti.
Sipas Lucës, faza e parë do të përqendrohet në ngritjen e një qendre kryesore, e cila do të shërbejë si bazë organizative, shpërndarjeje dhe formimi për njësitë e ardhshme të kompanisë në SHBA. Ai thekson se këtë strukturë të parë kompania synon ta ndërtojë me kapacitetet e veta, duke e konsideruar si pikënisjen e zgjerimit të mëtejshëm. “Lokacionin e parë, Rozafa Fish City, duam ta ndërtojmë vetëm. Ai lokacion do të jetë si një shkollë, si një distribucion për të gjitha pikat që do të hapen në të gjithë shtetet e Shteteve të Bashkuara”, shprehet Luca. Projekti, sipas përshkrimit të tij, parashikon gjetjen e një hapësire rreth 20 milje larg një qendre urbane, me sipërfaqe nga 1500 deri në 2000 metra katrorë. Në këtë ambient synohet të ekspozohen produktet e kompanisë, të prezantohen proceset e përgatitjes dhe të funksionojë një kuzhinë e dedikuar, ku do të zhvillohet edhe aktiviteti i kateringut.
Modeli i shërbimit do të mbështetet në dy formate: Rozafa Fast, me një koncept më të shpejtë të shërbimit, dhe Rozafa Tuna, me një ofertë më tradicionale gastronomike. Sipas Lucës, kjo ndarje do t'i mundësojë kompanisë t'u përgjigjet segmenteve të ndryshme të konsumatorëve, duke ruajtur të njëjtën filozofi menaxhimi dhe standarde pune.
Pas ngritjes së qendrës së parë, synimi është shtrirja graduale në disa prej tregjeve kryesore amerikane, duke nisur nga Nju Jorku, për të vijuar në Florida dhe Kaliforni. Këto janë objektiva të deklaruara nga sipërmarrësi, ndërsa realizimi i tyre do të varet nga ecuria e investimit, kushtet e tregut dhe mundësitë për të ndërtuar një rrjet funksional në një mjedis me konkurrencë të lartë.
Një prej elementeve që Luca vë në dukje në këtë projekt është përfshirja e kapitalit njerëzor shqiptar. Ai u bën thirrje të rinjve që kanë përvojë në sektorin e gastronomisë, menaxhimit, shërbimit dhe sipërmarrjes, por edhe atyre që dëshirojnë të formohen profesionalisht, të aplikojnë për t'u bërë pjesë e kësaj nisme.
Sipas tij, kompania synon t'u ofrojë bashkëpunëtorëve mundësi specializimi dhe zhvillimi të aftësive profesionale, duke vënë në dispozicion përvojën e krijuar gjatë dekadave të aktivitetit të Rozafës. Përtej punësimit, kjo qasje synon të krijojë një strukturë ku përvoja e biznesit shqiptar të mund të përcillet te një brez i ri profesionistësh, të cilët do të angazhohen në një treg ndërkombëtar. “Ne po kërkojmë të bëjmë atë që tashmë e kemi sprovuar dhe arritur, sepse pas emrit Rozafa është një histori 35-vjeçare, një histori suksesi. Dhe këtë kapacitet, këtë mundësi, këtë ambicie duhet ta ndajmë me ju, me rininë”, është shprehur Luca. Sipërmarrësi nuk e fsheh synimin për ta shndërruar Rozafën në një markë me shtrirje të gjerë, duke përmendur si modele organizimi dhe zgjerimi rrjetet ndërkombëtare të gastronomisë, si McDonald's dhe Burger King. Krahasimi lidhet me ambicien për të krijuar një sistem të standardizuar shërbimi, me identitet të dallueshëm dhe mundësi zgjerimi në disa tregje. Megjithatë, kjo mbetet një perspektivë afatgjatë, që kërkon investime, organizim, përshtatje me legjislacionin amerikan dhe aftësi për të konkurruar me operatorët ekzistues.
Në video-mesazhin e tij, Luca i drejtohet gjithashtu Kryeministrit Edi Rama dhe Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për këtë nismë. Ai shpreh besimin se përfshirja institucionale dhe krijimi i urave të bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm mund të ndihmojnë në lehtësimin e hapave të parë drejt tregut amerikan.
Thirrja për mbështetje lidhet veçanërisht me mundësinë e krijimit të kontakteve, bashkëpunimit me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe identifikimit të të rinjve që mund të kontribuojnë në zhvillimin e projektit. Në këtë kuptim, nisma synon të shfrytëzojë jo vetëm potencialin e një marke të konsoliduar në Shqipëri, por edhe lidhjet njerëzore dhe profesionale që diaspora shqiptare ka krijuar ndër vite në Shtetet e Bashkuara. “Dua t’i bëj një thirrje direkte qeverisë shqiptare, kryeministrit shqiptar që i besoj se inspiron, se e ka busullën të qartë në kokë. Ashtu si unë dhe njerëzit e mi e kemi mbështetur këtë kryeministër, kërkojmë nga ai që të na ndihmojë të na mbështesë në këtë ëndërr tonën për të mbërritur dhe ne të krijojmë këtë brend të fuqishëm në Amerikë dhe pse jo bashkë me kryeministrin t’i drejtohemi ambasadës amerikane, këtij ambasadori që ka filluar bisedat me biznesin, që ka filluar bisedat me rininë, për të ndihmuar rininë tonë, për t’i dhënë shpresë sepse rinia shqiptare i ka sytë nga ai diell që ne na ka ngrohur si shqiptarë.
Pse jo zoti amabasor ne të krijojmë një mundësi, unë i kam mundësitë e mia, shkollat, laboratoret, fabrikat, kuzhinën, t’i vëmë në dispozicion rinisë shqiptare pse jo dhe asaj amerikane, për t’i frymëzuar me atë forcë që keni ju si komb dhe me atë forcë që ju gjithmonë keni luftuar dhe jeni të parët në këtë rruzull” u shpreh sipërmarrësi Gjergj Luca. Tregu amerikan përfaqëson një mundësi të rëndësishme për sipërmarrjet që synojnë ndërkombëtarizimin, por njëkohësisht kërkon përgatitje, investime dhe përmbushjen e standardeve të larta të sigurisë ushqimore, prodhimit dhe shërbimit. Për një kompani shqiptare, hyrja në këtë treg do të ishte një hap me rëndësi, por edhe një provë e kapaciteteve të saj për t'u përshtatur me një realitet të ri ekonomik dhe konkurrues.
Një projekt në pritje të konkretizimit
Me këtë nismë, Gjergj Luca synon t'i japë Rozafës një dimension të ri zhvillimi, duke e orientuar drejt tregut amerikan dhe duke e vendosur rininë shqiptare në një prej hallkave të rëndësishme të këtij procesi. Përtej ambicies së shprehur, mbetet për t'u parë se si do të konkretizohen investimi i parë, organizimi i strukturave, rekrutimi i bashkëpunëtorëve dhe hapja e njësive të planifikuara.
Për momentin, mesazhi i sipërmarrësit është një ftesë për bashkëpunim dhe një prezantim publik i objektivave të kompanisë. Nëse këto synime do të marrin formën e një rrjeti të qëndrueshëm në SHBA, kjo do të jetë sfida e vërtetë e projektit Rozafa: të provojë se një përvojë biznesi e ndërtuar në Shqipëri mund të përshtatet, të konkurrojë dhe të krijojë hapësirë edhe në tregun amerikan./ CNA View this post on Instagram A post shared by CNA TV (@cnatv.lajme) Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

