Cristiano Ronaldo ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për futbollistin më të mirë në historinë e futbollit, duke këmbëngulur se ai është lojtari më i kompletuar i të gjitha kohërave. Ylli portugez ka folur gjithashtu për objektivin e arritjes së 1.000 golave në karrierë, duke theksuar se nuk dëshiron që gjithçka të reduktohet vetëm te kjo shifër.
Pas arritjes së 980 golave në karrierë, me fanellën e Al Nassr, Ronaldo po i afrohet një rekordi historik. Megjithatë, sulmuesi 41-vjeçar duket se nuk është i kënaqur me faktin që vëmendja përqendrohet më shumë te numri i golave që i nevojiten për të prekur shifrën magjike, sesa te ajo që po arrin të bëjë në fushë.
“Njerëzit nuk po e vlerësojnë atë që po bëj tani. Ata janë më të shqetësuar se sa gola më duhen për të arritur 1.000. Nuk më pëlqen. Gjërat duhet të ndodhin natyrshëm”, është shprehur Ronaldo, sipas deklaratave të publikuara nga Alfredo Pedullà, i cili ia atribuon ato CNN Portugal.
Portugezi ka bërë të qartë se, për të, arritja e 1.000 golave nuk është kusht për të pretenduar vendin mes më të mëdhenjve të futbollit.
“Nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, jam më i miri i të gjitha kohërave, pikë. Kur bëhet fjalë për shënimin e golave, numrat flasin vetë. Nuk do të thoja se duhet të arrij 1.000 gola. Nëse arrij atje, do të ishte fantastike”, ka deklaruar ai.
Ronaldo nuk i ka shmangur as krahasimet me Lionel Messin, Pelén dhe Diego Maradonën, emra që prej vitesh janë pjesë e debatit për futbollistin më të madh të historisë. Ai ka pranuar se preferencat ndryshojnë nga një tifoz te tjetri, por ka kundërshtuar ata që vënë në dyshim aftësitë e tij si futbollist.
“Nëse dikush preferon Messin, Pelén ose Maradonën, kjo është çështje shijesh personale. E respektoj këtë. Por të thuash se Cristiano Ronaldo nuk është një lojtar i plotë është gënjeshtër. Unë jam lojtari më i plotë”, ka përfunduar ylli portugez.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë vijon të ndjekë objektivin e 1.000 golave, ndërsa deklaratat e tij i japin sërish jetë një prej debateve më të mëdha të futbollit: kush është më i miri i të gjitha kohërave?
