Gjykata e Korçës ka dënuar me 7.4 vite burg Stiljan Pashon, ish-zëvendësdrejtorin e Kufirit në qarkun e Korçës, i akuzuar për trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Fillimisht, gjykata e dënoi Pashon me 11 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u reduktua. Gjatë procesit gjyqësor, ish-zyrtari nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Çështja bëri bujë për shkak të mënyrës se si, sipas akuzës, Pasho favorizoi Lorenco Likën për të transportuar 26 kilogramë kanabis drejt Greqisë. Ai dyshohet se jo vetëm pengoi punonjësit e tjerë të policisë të kontrollonin automjetin e mbushur me drogë, por hipi vetë në të njëjtën makinë me trafikantin për t'u siguruar që lënda narkotike të kalonte kufirin drejt territorit grek.
Pas kalimit të kufirit, Pasho u kthye në këmbë në territorin shqiptar.
Sipas të dhënave të çështjes, nëse kanabisi do të hidhej në treg, vlera e tij përllogaritej nga 75 mijë deri në 117 mijë euro.
Dënimi i ish-zv.drejtorit të Kufirit në Korçë rikthen në vëmendje një rast të rëndë, ku personi që kishte për detyrë të mbikëqyrte kufirin dhe të parandalonte trafikun e paligjshëm të drogës, u përball me drejtësinë pikërisht për akuzën e përfshirjes në trafikimin e saj.

