Rokada e ambasadorëve shqiptarë në Prishtinë dhe Shkup u parapri nga një seancë dëgjimore në Kuvend. Denion Meidani, i propozuar si diplomat në Kosovë, ka vendosur të ecë në hapat e babait të tij, ish-presidentit.
“Pesë vendet anëtare, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqë statusi i vendit kandidat kërkon unanimitet, pa këto pesë njohje rruga evropiane e Kosovës mbetet e bllokuar në vetë pragun e saj. Për mua, ky mandat ka peshë personale që nuk dua ta fsheh. Në pranverën e vitit 1999, kur Kosova po kalonte orët e saj më të errëta, babai im, Rexhep Meidani, premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Për mua, tashmë të përfaqësoj Shqipërinë në Prishtinë është një nder i madh. Mbaj me vete ADN-në e babait tim”.
Por mandati i tij nis në një klimë debatesh politike dhe institucionale për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
“Mbështesim procesin e Apelit me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së Kosovës nuk mund të vihet në dyshim. Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara janë vendim sovran i institucioneve të Kosovës dhe, dukshëm, vullnet popullor. Ne do t’i ndjekim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.
Petrit Malaj, i cili largohet nga Prishtina për të qenë ambasador në Shkup, përdori diplomacinë për të thumbuar paraardhësin.
“Unë nuk do të jem ambasadori që nuk ndërhyn në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut, por do të jem ambasadori që, në çdo komunikim institucional, do të mbështesë dhe kërkojë respektimin e Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit”.
Përtej shigjetimeve, Malaj renditi si prioritet respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Këtu do të bëja një dallim të rëndësishëm. Të jesh krah shqiptarëve s’do të thotë të jesh kundër maqedonasve. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve duhet të jetë pjesë e mbrojtjes së karakterit multietnik dhe demokratik të vetë shtetit”.
Dy ambasadorët, para marrjes së detyrës së re, duhet të dekretohen më parë nga Presidenti i Republikës. Top Channel

