Hosteni Rrjetet sociale, mediat online kanë kaluar në një revolucion dekadën e fundit. Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, janë të regjistruara gati 700 portale sipas Institutit të Medias, kryesisht një pjesë informative, një pjesë ndoshta dhe të paregjistruara, dikush duke punuar me profesionalizëm, duke bërë gazetari, dikush duke shpifur apo vënë gjoba.
Një kaos në median online që tani nuk do të marrë fund, por do të ketë portalin më fantastik, ikonën e humorit shqiptar, “Hosteni”, i cili pritet të rikthehet online. Gazeta ikonike e humorit, e cila i mbijetoi dhe diktaturës, që publikimet e saj i ka nisur që në vitin 1945, tani do të jetë online për të sjellë më shumë buzëqeshje, ironi, pse jo dhe kritikë me sarkazmën dhe humorin që “vrasin” më shumë se fjala e drejtpërdrejtë. CNA ka mësuar se së shpejti “Hosteni” pritet të vijë në treg. Revista ikonë prej vitit 1992 i mungonte, jo vetëm tregut mediatik, por edhe qytetarëve, për humorin dhe analizën në detaje të fenomeneve shoqërore, të cilat prekin në një formë krejt tjetër duke ardhur nëpërmjet fjalës, gjuhës apo karikaturës që do të godasë “Hosteni”. Ikona e humorit shqiptar që u themelua për herë të parë në 1945, së shpejti pritet të rikthehet nga Filip Çakuli që prej vitesh e ka drejtuar këtë gazetë, e cila tashmë nga forma e saj e printuar do të vijë online për të gjithë shqiptarët. Në një kënd të CNA-së së shpejti do të keni një klik më shumë për të shkuar te “Hosteni” për të pasur pak humor, pak buzëqeshje, pse jo dhe më shumë reflektim përmes batutave, karikaturave, ngacmimeve që do të vijnë, jo vetëm nga pena e Filip Çakulit, por edhe bashkëpunëtorëve të tij, që pritet të sjellin një faqe humori, e cila çështjet e aktualitetit do t’i trajtojë me batutat, ngacmimet, buzëqeshjet, pse jo për ta hequr atë pak mërzi që japin lajmet e rrëmujshme dhe kakofonia e ditës, të cilat tashmë do të kenë një konkurrent të vërtetë që do të jetë humori nëpërmjet “Hosteni”-t./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

