Është riaktivizuar gjatë ditës së sotme vatra e zjarrit në pjesën veriore të masivit pyjor të Drenies, në drejtim të fshatit. Për shuarjen e flakëve në zonën mes Drenies dhe Gjinoqarës po ndërhyhet edhe nga ajri, me dy avionë zjarrfikës, ndërsa në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse.
Edhe banorët e zonës janë përfshirë në përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët, duke përdorur mjete rrethanore. Situata paraqet rrezik për banesat, tokat me ullinj, arat, vreshtat dhe gjënë e gjallë. Zjarri ka përfshirë edhe pishat, të cilat banorët i konsiderojnë një pasuri të rëndësishme të zonës.
Një prej banorëve shprehet se po përpiqen me të gjitha mundësitë për të shpëtuar pronat dhe banesat nga zjarri, ndërsa një tjetër ngre shqetësimin për dëmtimin e pishave, duke i cilësuar ato si “mushkëria e Myzeqesë”. Ai thekson se flakët rrezikojnë edhe banesat pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

