Për më shumë se dy muaj shqiptarët protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama. Protesta ka marrë jehonë nga mediat e huaja. “Radio Francë”, por edhe media gjermane së fundmi i kanë kushtuar artikull, revoltës që vazhdon tashmë prej 76 ditësh në Tiranë. ‘revolta e rinisë shqiptare është një zgjim i ndërgjegjes evropiane’, shkruan “Radio Francë”. Më tej thekson se protestat nisën fillimisht kundër një projekti ndërtimor në Zvërnec, por u kthyen në lëvizje antiqeveritare. “Që prej fillimit të qershorit, kundërshtimi ndaj këtij projekti është bërë pikënisja e protestave të mëdha, për të cilat po rikthehemi përmes një analize të shkruar nga një burim shqiptar që dëshiron të mbetet anonim. Këto protesta mbledhin kryesisht të rinj shqiptarë, të mobilizuar për të mbrojtur këtë park natyror, i konsideruar si një thesar kombëtar, si dhe për të denoncuar këtë projekt imobiliar, mbi të cilin rëndojnë dyshime të forta për korrupsion. Protestuesit kanë gjetur edhe një simbol, i cili tashmë shfaqet në çanta, kapele apo peshqirë plazhi dhe që i ka dhënë emrin gjithë revoltës: flamingot rozë”. “Duhet theksuar se kryeministri shqiptar Edi Rama është një figurë e pazakontë: është 2 metra i gjatë, ka qenë ish-lojtar profesionist basketbolli, por edhe piktor – madje ka dhënë mësim në Shkollën e Arteve të Bukura në Paris – dhe është në mandatin e tij të katërt, që prej vitit 2013. Por mbi të gjitha, Rama dhe qeveria e tij akuzohen për raste të rënda korrupsioni, të cilat çuan në dorëheqjen e zëvendëskryeministres së tij në mars, pas një hetimi gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama është një nga objektivat kryesore të “lëvizjes së flamingove rozë”, e cila kërkon dorëheqjen e tij”, theksohet në shkrim.
Po ashtu gazeta gjermane ‘Die Tagespost’ shkruan se BE duhet të mbështesë më shumë këtë lëvizje rinore.
“Në Shqipëri, demonstruesit po mbajnë flamingo prej kartoni rozë nëpër rrugë. Protestat filluan në fshatin bregdetar të Zvërnecit dhe tani kanë arritur në kryeqytet, Tiranë. Deri në 250,000 njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve shoqërore po dalin në rrugë. Po quhet “Revolucioni i Flamingove”. Protestat drejtohen kundër korrupsionit, shkatërrimit të mjedisit dhe padrejtësive politike. Ngurrimi i BE-së për të ofruar mbështetje po kritikohet gjithashtu, pasi shumë presin mbështetje më të fortë. Deri më tani, protestat kanë mbetur paqësore. Megjithatë, padurimi dhe frustrimi po rriten. Një kthesë drejt dhunës do të dëmtonte shoqërinë civile të re dhe aktive,”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama mediat protesta

