Ditën e parë të mandatit të tij si president i ri i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella mori një dhuratë spektakolare: një miliard dollarë nga Donald Trump. Tre ditë më vonë, një tërmet me magnitudë 7.4 goditi vendin. Natyrisht, mes dy ngjarjeve nuk kishte asnjë lidhje shkakësore. Donald Trump Shuma dhjetëshifrore erdhi në formën e ndihmës për fushatën e militarizuar që de la Espriella ka premtuar kundër karteleve të fuqishme të drogës dhe gueriljeve të xhunglës. Presidenti i ri kolumbian nuk humbi kohë për t’u rreshtuar me Trumpin, duke e futur Kolumbinë në “Mburojën e Amerikave”, nismën e re të presidentit amerikan në Amerikën Latine.
Me këtë shkëmbim të vjetër dhuratash, de la Espriella u bë anëtari më i ri i klubit të çuditshëm dhe gjithnjë në ndryshim të aleatëve të Trumpit. Por ky nuk është një klub i qëndrueshëm. Në të bëjnë pjesë liderë të njohur, si Javier Milei dhe Mohammed bin Salman; figura më pak të njohura, si presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa; dhe ish-aleatë, si Viktor Orbán.
Ajo që e dallon më shumë diplomacinë e Trumpit është dimensioni personal. Çdo president amerikan ka ndjekur një politikë të jashtme dhe shumë prej tyre kanë pasur marrëdhënie të afërta me liderë të huaj. Por asnjë president amerikan nuk e ka lidhur politikën e jashtme me marrëdhëniet personale në një masë kaq të madhe sa Trumpi.
Ai krijon aleanca me individë. Në Amerikën Latine, Trump ka marrëdhënie të mira me shumë liderë, pjesërisht sepse personaliteti i tij i drejtpërdrejtë, agresiv dhe dominues përputhet me traditën politike të “caudillove” të rajonit.
Në Lindjen e Mesme, luksi i dukshëm i monarkive të Gjirit përputhet me shijet e presidentit amerikan, ashtu si edhe gatishmëria e tyre për të bërë ose të paktën për të premtuar investime të mëdha në ekonominë amerikane.
Edhe marrëdhënia e ngrohtë e Trumpit me Japoninë, mund të lidhet jo vetëm me gatishmërinë e Tokios për të forcuar ushtrinë përballë Kinës, por edhe me faktin se liderët japonezë tregohen vazhdimisht të sjellshëm dhe respektues ndaj tij.
Por ajo që bie më shumë në sy, është sinqeriteti i diplomacisë së Trumpit. Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara përdorën një gjuhë të kujdesshme për të përshkruar rolin e tyre si lider global. Flitej për drejtësi, demokraci dhe promovimin e vlerave perëndimore, në një retorikë të trashëguar nga periudha e Luftës së Ftohtë, kur fuqia amerikane dukej pothuajse absolute dhe e përhershme.
Ndërkohë Trump është shumë më i drejtpërdrejtë. Sipas tij, Amerika është një fuqi e madhe, por jo e pathyeshme. Ajo ka interesa që nuk ka arsye t’i fshehë dhe duhet të jetë e gatshme të krijojë miqësi me liderët që bashkëpunojnë me të, por edhe t’u kthejë shpinën atyre që nuk e bëjnë këtë.
Rezultati është një lloj reaksioni zinxhir në diplomaci. Udhëheqësit që mbështesin prioritetet e Trumpit dhe i tregojnë respektin që ai kërkon mund të presin mbështetje dhe shpërblime për vendet e tyre, ose të paktën shmangien e ndëshkimeve.
Presidenti i Hondurasit, Nasry Asfura, fitoi me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet e fundit pasi Trump jo vetëm e mbështeti publikisht, por e akuzoi kundërshtarin e tij si komunist dhe paralajmëroi hapur se ndihma amerikane do të ndërpritej nëse ai fitonte.
Në Argjentinë, Javier Milei mori një marrëveshje këmbimi valutor prej 20 miliardë dollarësh për të mbështetur peson pak para zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit. Trumpi e bëri të qartë se mbështetja ishte kryesisht për Milein, duke paralajmëruar: “Nëse ai humbet, nuk do të tregohemi bujarë me Argjentinën”.
Milei fitoi dhe paratë u kthyen menjëherë. Në Azi, administrata Trump e ka përdorur thesarin amerikan për të shitur miliarda euro dhe për të blerë jen japonez, duke mbështetur monedhën japoneze pas një rënieje afatgjatë.
Në të kaluarën, një veprim i tillë do të shoqërohej me një shpjegim të gjatë për stabilitetin e tregjeve globale dhe përpjekjet amerikane për të parandaluar një krizë më të gjerë. Trump nuk ka shumë durim për këtë lloj retorike. Amerika, ka thënë ai, po e mbështet Japoninë sepse Japonia ka qenë një aleate e besueshme dhe sepse miqësia me Shtetet e Bashkuara sjell përfitime.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë prej kohësh në zgjedhjet e vendeve të tjera dhe kanë favorizuar parti të caktuara. Ajo që sjell Trump, është një transparencë më e madhe për këtë praktikë. Ka më pak organizata që flasin për “lirinë dhe demokracinë” me nënkuptime politike dhe më shumë një qasje të drejtpërdrejtë, transaksionale.
T’i thuash një vendi të vogël se do të humbasë ndihmën amerikane nëse voton në mënyrën e gabuar, mund të dënohet si “ndërhyrje në zgjedhje”. Por a është kjo më e keqe se të heshtësh dhe më pas të ndjekësh të njëjtën politikë?
Ana tjetër e kësaj qasjeje, është se një president që ndihmon shpejt miqtë e tij mund të kthehet po aq shpejt kundër atyre që nuk i pëlqejnë. Sidomos aleatët e vjetër, që sipas tij e kanë zhgënjyer.
Trump ka hedhur dy herë idenë e një embargoje të plotë tregtare dhe të udhëtimit ndaj Spanjës, për shkak të mungesës së entuziazmit të Madridit ndaj fushatës kundër Iranit. Ndërkohë, deklaratat e tij për mundësinë e largimit nga NATO janë bërë pothuajse një ritual i përmuajshëm.
Qëndrimi i tij i ashpër ndaj Evropës u ka krijuar hapësirë të tjerëve. Marrëdhëniet e mëparshme të Amerikës me monarkitë arabe të Gjirit, shoqëroheshin me njëfarë shqetësimi për natyrën e tyre autoritare.
Ndërkohë Trump, e ka bërë të qartë se për të rëndësi kanë mbështetja për ushtrinë amerikane, stabiliteti i tregjeve energjetike dhe investimet e mëdha. Nëse i bën këto gjëra, je një aleat i shkëlqyer dhe mund t’u shpëtosh leksioneve të bezdisshme për demokracinë përfaqësuese.
Trump po i trazon marrëdhëniet e Amerikës me aleatët, në një mënyrë që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por për çfarë qëllimi? Kundërshtarët e tij, do të thonë se veprimet e tij janë thuajse të rastësishme ose të motivuara vetëm nga egoja personale.
Shembujt janë deklaratat për aneksimin e Kanadasë apo përpjekjet e largëta për të marrë Grenlandën. Por këto histori spektakolare, mund të fshehin atë që në fakt është një axhendë mjaft realiste. Pavarësisht retorikës së tij madhështore, Trumpi ka ndoshta objektivat më të kufizuara të çdo presidenti amerikan në dekadat e fundit.
Edhe nëse ëndërron të përfshijë Kanadanë në Shtetet e Bashkuara, ajo që e dallon nga paraardhësit e tij është largimi i qartë nga ideja se Amerika duhet të ruajë me çdo kusht rolin e hegjemonit global. Ai nuk ka më objektiva të mëdha për rrëzimin e Vladimir Putinit apo demokratizimin e Kinës përmes ndikimit perëndimor.
Në vend të tyre, Trump kërkon rezultate konkrete, të matshme dhe më të afërta. Ai dëshiron të rrëzojë regjimet armiqësore në Venezuelë dhe Kubë. Dëshiron një Lindje të Mesme, ku problemet afatgjata të zgjidhen më në fund, në mënyrë që Amerika të dalë nga cikli i pafund i ndërhyrjeve.
Dhe kërkon një riekuilibrim ekonomik që ta bëjë Amerikën më pak të cenueshme ndaj presionit tregtar të Kinës apo vendeve të tjera. Të gjitha këto janë sfida të mëdha. Por janë, në të njëjtën kohë, objektiva të kufizuara. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump e ka zbehur rivalitetin dramatik mes fuqive të mëdha si boshtin kryesor të diplomacisë amerikane.
Ajo ka hequr dorë nga synimi për “dominim global” dhe ka vendosur në qendër ekuilibrin e fuqive. Po ashtu, e ka zbutur retorikën e mëparshme kundër Rusisë dhe i ka dhënë rëndësi të madhe hemisferës perëndimore, pra hapësirës që Amerika e konsideron oborrin e saj strategjik.
Kur flet për Evropën, strategjia shqetësohet më shumë për një kontinent që po humbet “vetëbesimin civilizues dhe identitetin perëndimor”, sesa për një Evropë të kërcënuar nga agresioni rus. Kjo qasje nuk është aq e re sa duket.
Në njëfarë mënyre, ajo është një rikthim te Amerika e fillimit të shekullit XX, para Luftës së Parë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara ishin një fuqi e jashtëzakonshme, por as nuk kishin dhe as nuk pretendonin të ishin hegjemon global.
Si strategjia e sigurisë, ashtu edhe veprimet e Trump, tregojnë se administrata e tij e kupton se fuqia amerikane nuk është më ajo e dikurshmja. Amerika e vjetër donte të shfaqej si aleate e pothuajse të gjithëve dhe ishte e gatshme të përfshihej në punët e pothuajse çdo vendi, sepse dominimi amerikan ishte aq i madh, sa që mund të përballonte edhe iluzionin e gjithëfuqishmërisë.
Pavarësisht mburrjeve të tij, Trump nuk duket se e ka këtë iluzion. Veprimet e tij tregojnë se ai e kupton se Amerika mbetet një fuqi e madhe, por njëkohësisht është e cenueshme. Ajo nuk mund të vazhdojë të injorojë vendet që përfitojnë nga mburoja e saj ushtarake pa kontribuar sa duhet, dhe as të pretendojë se çdo rajon i botës meriton të njëjtën vëmendje.
Nga kjo logjikë burojnë marrëveshjet agresive të Trumpit dhe trajtimi i ashpër ndaj Evropës.
Nëse fuqia amerikane nuk është më e pakufishme, atëherë ka më shumë kuptim që Uashingtoni të përqendrohet në kontrollin dhe mbrojtjen e hemisferës së tij perëndimore. Dhe nëse Amerika duhet të angazhohet në zona më të largëta, atëherë aleatët duhet të paguajnë më shumë dhe të kontribuojnë më shumë për privilegjin e mbështetjes amerikane.
Pastaj hyn në lojë edhe personaliteti i Trumpit. Ai kërkon një trashëgimi politike dhe kërkon rezultate të shpejta.
Liderët e Amerikës Latine që janë gati të bombardojnë kartelet e drogës janë miq të mirë. Evropianët që zemërohen nga postimet e tij në Truth Social, nuk do të trajtohen me butësi vetëm sepse NATO po i afrohet 80-vjetorit.
Por kjo mënyrë e re e ndërtimit të politikës së jashtme mbart edhe rreziqe të mëdha.
Blloku euro-amerikan i së kaluarës, me gjithë problemet e tij, ishte mjaftueshëm i qëndrueshëm për t’u mbijetuar ndryshimeve politike.
Një fitore e papritur e laburistëve në Britani apo e një partie socialiste në një vend evropian, nuk nënkuptonte domosdoshmërisht shembjen e shpejtë të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Edhe liderë me pikëpamje shumë të ndryshme politike mund të bashkëpunonin.
Për shembull, Tony Blair dhe George ë. Bush, nuk patën vështirësi të mëdha të bashkëpunonin për ndërhyrjet ushtarake. A do të jetë po aq i qëndrueshëm rrjeti i ri i aleancave të Trumpit? Me shumë gjasë, jo. Objektivat e tij mund të jenë racionalë, por stili personal i presidentit, provokon shpesh reagime irracionale.
Udhëheqësit evropianë mund ta kuptojnë se interesi i tyre afatgjatë është të injorojnë shpërthimet e tij në Truth Social, të përshtaten me stilin e tij dhe të paguajnë më shumë për të mbajtur gjallë NATO-n. Por kur votuesit e tyre zemërohen jo vetëm me luftën ndaj Iranit, por edhe me stilin provokues të Trumpit, hapësira për negociata bëhet shumë më e ngushtë.
Ndërkohë, në vendet e Amerikës Latine që Trump po përpiqet të afrojë, paqëndrueshmëria politike nuk është thjesht një mundësi, por pothuajse një siguri. Nga Kili dhe Argjentina te Peruja dhe Brazili, zgjedhjet po shndërrohen në gara gjithnjë e më të ngushta mes së majtës radikale dhe së djathtës gjithnjë e më të guximshme.
Trump mund të vendosë peshën e tij në njërën anë të peshores, por ndikimi i tij ka kufij.
Këtë e tregoi edhe humbja e Viktor Orbán në Hungari, pavarësisht se zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance bëri fushatë në mbështetje të tij. Çdo rezultat i keq në zgjedhje për Trumpin nënkupton humbjen e një aleati.
Kjo ndihmon edhe në shpjegimin e afërsinë e tij me monarkitë, ku ky problem nuk ekziston.
Por në njëfarë mënyre, thelbi nuk është stabiliteti afatgjatë. Trump nuk po përpiqet të ndërtojë “fundin e historisë” të Francis Fukuyamës. Përkundrazi, ai po jeton në mënyrë agresive brenda historisë, ashtu siç ajo po shkruhet.
Ka komunistë për t’u rrëzuar, kartele për t’u bombarduar dhe fabrika për t’u rikthyer në territorin amerikan. Trumpi është i vendosur të lërë gjurmën e tij në botë. Dhe këtë nuk mund ta bëjë thjesht duke ruajtur atë që trashëgoi. Nëse ambicia e tij për t’u bërë fytyra e pestë në Malin Rushmore mbetet një ëndërr e largët, ai duket i gatshëm të rrezikojë shumë për ta realizuar atë./ The Spectatordiplomacia provokuese e trump Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota “Korriku, muaji më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë”, OKB: Mbi 430 viktima dhe 2600 të plagosur 14 Gusht 2026, 12:0812:08Rajoni dhe Bota Zjarre apokaliptike në Kroaci, dhjetëra të plagosur dhe shtëpi të shkatërruara në qytetin bregdetar 14 Gusht 2026, 12:0012:00Rajoni dhe Bota Largimi i sekretares besnike, videoja e Levitt me Trump në Air Force One para dorëheqjes shton spekulimet në SHBA 14 Gusht 2026, 11:4311:43Rajoni dhe Bota SHBA fillon 'luftën dixhitale', Trump u jep 'dritën jeshile' kompanive amerikane për sulme kibernetike 14 Gusht 2026, 10:4510:45Rajoni dhe Bota Atentat në Krime, vritet me bombë zv.komandanti ukrainas që dezertoi 14 Gusht 2026, 10:3010:30Rajoni dhe Bota Netanyahu provokon Londrën: Britania mund të quhet “Republika e parë Islamike me armë bërthamore” 14 Gusht 2026, 09:3109:31Rajoni dhe Bota

