Zjarret pyjore vijojnë të përhapen në disa zona të Lombardisë, ndërsa situata paraqitet më kritike në Como. Mbi 100 zjarrfikës kanë punuar gjatë gjithë natës për të kufizuar flakët dhe për të mbrojtur banesat dhe infrastrukturën. Operacionet për shuarjen e zjarreve pyjore në territorin e Lombardisë kanë vijuar edhe gjatë mëngjesit të sotëm.
Në Como, ku situata konsiderohet më kritike, mbi 100 zjarrfikës kanë punuar gjatë gjithë natës për të kufizuar përhapjen e flakëve, për të monitoruar zonat më të rrezikuara dhe për të mbrojtur banesat dhe infrastrukturën.
Në operacion janë angazhuar edhe ekipe zjarrfikëse nga Liguria, Veneto dhe Emilia-Romagna. Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit është planifikuar edhe ndërhyrja nga ajri e dy avionëve Canadair të flotës ajrore shtetërore.
Avionët do të mbështesin operacionet në terren për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Ministrja italiane për Çështjet e Aftësisë së Kufizuar, Alessandra Locatelli, ka reaguar për situatën përmes një postimi në Facebook.
“Po e ndjekim me shqetësim atë që po ndodh në Como gjatë këtyre orëve: një zjarr i frikshëm ka shpërthyer në malin Goi, duke përfshirë pyllin dhe bimësinë dhe duke kërcënuar njerëzit dhe ndërtesat që ndodhen në zonë”, deklaroi Locatelli.
Sipas saj, disa persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre gjatë natës.
“Dua të falënderoj Zjarrfikësit, Mbrojtjen Civile, Njësinë Rajonale të Ndërhyrjes dhe mbështetjen që po japin të gjitha ekipet e tjera”, theksoi ministrja.
Locatelli shprehu gjithashtu mirënjohje për vullnetarët që janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarrit dhe në aktivitetet e kërkim-shpëtimit. Top Channel

