Lajme Zone
Reuters: Trump rrit presionin, paralajmëron Turqinë dhe tetë partnerët e tjerë tregtarë të Iranit
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Reuters: Trump rrit presionin, paralajmëron Turqinë dhe tetë partnerët e tjerë tregtarë të Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur presionin ndaj Iranit, duke paralajmëruar një fushatë të paprecedentë ekonomike kundër Teheranit dhe duke kërcënuar me masa edhe vendet që vazhdojnë të bashkëpunojnë financiarisht dhe tregtarisht me Republikën Islamike.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur presionin ndaj Iranit, duke paralajmëruar një fushatë të paprecedentë ekonomike kundër Teheranit dhe duke kërcënuar me masa edhe vendet që vazhdojnë të bashkëpunojnë financiarisht dhe tregtarisht me Republikën Islamike. Trump e ka përshkruar fazën e re të presionit si një “D-Day ekonomike”, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të godasë jo vetëm ekonominë iraniane, por edhe kompanitë, bankat dhe shtetet që ndihmojnë në financimin apo tregtinë me regjimin e Teheranit.

Sipas Reuters, strategjia e re amerikane vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa çështjet e sanksioneve, energjisë dhe sigurisë në Gjirin Persik janë në qendër të vëmendjes.

Në shënjestër të presionit amerikan janë veçanërisht Kina, Turqia dhe Iraku, tre vende me marrëdhënie të rëndësishme ekonomike dhe energjetike me Iranin.

Pekini përbën sfidën më të madhe për strategjinë e re të Uashingtonit. Kina është blerësja më e madhe e naftës iraniane dhe thith një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të Teheranit.

Sipas të dhënave të raportuara nga Reuters, Kina importoi rreth 1.38 milionë fuçi naftë në ditë nga Irani gjatë vitit 2025, përmes rrjeteve të ndërlikuara tregtare dhe financiare që e bëjnë më të vështirë zbatimin e sanksioneve amerikane.

Administrata Trump ka paralajmëruar masa të reja ndaj kompanive dhe bankave kineze që lehtësojnë transaksionet me Iranin. Një përplasje e drejtpërdrejtë me Pekinin, megjithatë, mund të hapë një tjetër front tensioni mes dy fuqive të mëdha ekonomike.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë prej vitesh një nga kanalet kryesore ekonomike të Iranit. Në vitin 2024, Emiratet përbënin rreth 30% të importeve të Iranit, me një vlerë prej rreth 21 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Tregtia jo-naftore mes dy vendeve arriti në rreth 6.6 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa pjesa më e madhe e saj lidhej me rieksportet.

Megjithatë, marrëdhënia mes dy vendeve është goditur nga përshkallëzimi i fundit. Emiratet kanë pezulluar transaksionet financiare dhe ekonomike me Iranin, duke përmendur rritjen e tensioneve ushtarake dhe kërcënimin e sulmeve me raketa.

Turqia mbetet një tjetër partner i rëndësishëm ekonomik i Iranit. Tregtia mes dy vendeve arrin rreth 5 deri në 6 miliardë dollarë në vit, me energjinë që përbën një pjesë të rëndësishme të bashkëpunimit.

Ankaraja është përpjekur prej vitesh të ruajë marrëdhëniet me Teheranin, duke balancuar interesat e saj me presionin e Shteteve të Bashkuara dhe sanksionet amerikane.

Strategjia e re e Trump pritet ta rrisë ndjeshëm presionin mbi Turqinë për të kufizuar çdo hapësirë ekonomike që mund t’i mundësojë Iranit të anashkalojë sanksionet.

Iraku ndodhet në një pozicion veçanërisht të vështirë. Pavarësisht marrëdhënieve të ngushta të sigurisë me SHBA-në, Bagdadi mbetet shumë i lidhur ekonomikisht me Iranin.

Iraku importon sasi të konsiderueshme gazi natyror nga Teherani për të përmbushur nevojat e tij energjetike. Vlera e transaksioneve të lidhura me këtë tregti arrin rreth 4 deri në 5 miliardë dollarë në vit.

Sanksione më të ashpra amerikane mund të krijojnë probleme serioze për sistemin energjetik irakian, i cili varet në një masë të konsiderueshme nga gazi iranian.

Omani ka ruajtur prej dekadash marrëdhënie të mira me Iranin dhe shpesh ka shërbyer si ndërmjetës mes Teheranit dhe vendeve të tjera, përfshirë SHBA-në.

Tregtia mes Omanit dhe Iranit arriti në rreth 1.5 miliardë dollarë në vitin 2025, ndërsa gjatë katër muajve të parë të vitit 2026 arriti në 345 milionë dollarë.

Edhe Pakistani mund të përballet me pasoja nëse Uashingtoni zgjeron masat ndaj vendeve që tregtojnë me Iranin. Dy vendet janë zotuar të rrisin tregtinë dypalëshe në 10 miliardë dollarë, ndërsa tregtia jozyrtare mes tyre vlerësohet rreth 4 miliardë dollarë.

Nafta, gruri, orizi, kafshët e gjalla dhe ilaçet kanë qarkulluar për vite me radhë përmes kanaleve jozyrtare mes dy vendeve.

Marrëdhëniet tregtare mes Indisë dhe Iranit kanë pësuar rënie të fortë që nga viti 2020, kur Uashingtoni shtrëngoi sanksionet ndaj Teheranit.

Tregtia dypalëshe ra nga rreth 17 miliardë dollarë në 4.8 miliardë dollarë në vitin fiskal 2019-2020. Në vitin fiskal 2025-2026, ajo ra më tej, në rreth 1.63 miliardë dollarë.

Eksportet indiane përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj tregtie dhe përfshijnë kryesisht drithëra, çaj, kafe dhe erëza. Zyrtarët indianë argumentojnë se këto eksporte kanë karakter humanitar dhe duhet të përjashtohen nga sanksionet.

Edhe Armenia dhe Azerbajxhani kanë ruajtur marrëdhënie tregtare me Iranin.

Irani përbënte rreth 3.6% të tregtisë totale të Armenisë në vitin 2025, me një vlerë prej 768 milionë dollarësh. Në gjysmën e parë të vitit 2026, tregtia mes dy vendeve arriti në 371.4 milionë dollarë.

Armenia gjithashtu përdor gazin natyror iranian për prodhimin e energjisë elektrike, një pjesë e së cilës i kthehet Iranit përmes marrëveshjes së shkëmbimit “gaz për energji elektrike”.

Ndërkohë, tregtia e Azerbajxhanit me Iranin u rrit me 4.5% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në 312.6 milionë dollarë.

Administrata Trump synon që presioni ndaj Iranit të zhvendoset gjithnjë e më shumë nga fusha ushtarake në atë ekonomike, me synimin për të kufizuar të ardhurat e Teheranit dhe eksportet e tij të naftës.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, ka deklaruar se Uashingtoni po ecën përpara me “sanksionet më të ashpra në histori” ndaj Iranit dhe u ka bërë thirrje aleatëve dhe partnerëve të mbështesin fushatën amerikane.

Tashmë, sfida kryesore për administratën Trump është nëse presioni i ri ekonomik do të arrijë të dobësojë ndjeshëm ekonominë iraniane apo do të shkaktojë një përplasje të re gjeopolitike, veçanërisht me Kinën, Turqinë dhe Irakun, të cilat kanë interesa të rëndësishme ekonomike dhe energjetike në raport me Teheranin. Top Channel