Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka ironizuar sot takimet e së premteve në vend për diskutime mes deputetëve dhe ministrave me qytetarët në kuadër të programit të “Pranisë Besnike”.
Boçi shprehet përmes një postimi në rrjetet e tij sociale se qeveria shqiptare ka hyrë tashmë në fazën e “kafenesë”, ku qytetarit i kërkohet të ulet, të buzëqeshë, të tregojë hallin dhe të mos presë zgjidhje.
Postimi i plotë:
MIRË SE VINI NË REPUBLIKËN E KAFENESË
Qeveria shqiptare tashmë ka hyrë në fazën më të lartë të reformimit të shtetit. E nga administrata digjitale, po kalon në fazën e fundit të transformimit rilindas. Po kalon tek administrata me ekspres.
Ministritë nuk ju hapin derën?
Mos trokisni, shkoni në kafene. Aty është dikush i rëndësishëm që ju pret.
Ka afishuar vendin dhe orën.
Administrata nuk ju përgjigjet?
Porosisni një makiato me shkumë shumë tek tavolina ngjit me ministrin apo deputetin.
Ka rënë zjarr, mos u merakosni. Merrni një ujë me gaz se është deputeti që e ka ardhë në kafe e zjarri nuk i reziston.
Keni problem me pronën, shkollën, rrugën apo vendin e punës?
Prisni vetëm një sekondë, sa ministri të mbarojë foton dhe kamarieri t’ju sjellë faturën.
Pra pas 13 vjetësh në pushtet, Rama me ministrat zbuluan se ekzistojnë edhe qytetarët. Dhe për t’u afruar akoma më shumë me ta shpikën “Praninë Besnike” për të qenë besnik me regjisorin, me skenarin, besnik me postimin në fcb e natyrisht, besnik me Ramën, se s’ka kuptim.
Qytetarit i kërkohet vetëm të luajë rolin e vet klasik.
Të ulet, të buzëqeshë, të tregojë hallin dhe natyrisht të mos presë zgjidhje.
Të gjithë, ministra e deputetë shkruajnë të njëjtin tekst, postojnë të njëjtat emoji, të njëjtën trëndafilkë dhe të njëjtin premtim.
Ndryshon vetëm lokali.
E ç’rëndësi ka lokali, me kolltuqë apo pa, me karrike apo pa.
Po qeveria?
Qeveria të dashur qytetarë nuk është më kabinet ministror, por një kakofoni politike kafenesh. Një degë në Bërzhitë, një te rruga “Migjeni”, një në Kombinat…
Ndërsa në menunë sipas buxhetit të kafenesë-kabinet ofrohen, premtime të ngrohta, justifikime të ftohta, propagandë me shkumë. Sa për zgjidhjet dihet. Zgjidhjet, si zakonisht, kanë mbaruar.
Qytetari kërkon shtet dhe i japin një tavolinë kafeneje.
Ai kërkon përgjegjësi, ata me gjenerozitet të paparë i falin pa asnjë lek të paguar, një hashtag.
Ai kërkon llogari, ata fap i sjellin një fotografi me të qeshme.
Ai i shkreti kërkon qeverisje, ata i fusin në bark një kafe pa sheqer, me hidhësinë që ia ka siguruar vetë pushteti.
Pastaj pas gjithë kësaj shërbese vetëmohuese nga ministrat e deputetët vjen “PasqyrAlbania”, që filxhani bosh të duket plot dhe shkuma e propagandës të shitet si qeverisje.
Mirë se vini në Republikën e Kafenesë, të dashur qytetarë!
Aty ku qeveria pi kafenë, propaganda lexon filxhanin dhe ku faturën si gjithmonë, e paguan qytetari!/CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

