Lajme Zone
Rekord parash nga emigrantët, por kursi i këmbimit ua zbeh vlerën
EkonomiJOQ Albania

Rekord parash nga emigrantët, por kursi i këmbimit ua zbeh vlerën

Nevoja për të ardhura shtesë po bën që familjet shqiptare të mbështeten gjithnjë e më shumë te paratë që u dërgojnë të afërmit emigrantë. Në 6 muajt e parë të vitit remitancat kanë arritur në një tjetër rekord, por vlera e tyre për ekonominë vendase po dobësohet më shumë teksa euroja e dobët përballë lekut bën që e njëjta shumë në euro të këmbehet për më pak lekë në Shqipëri.

Në këtë realitet, emigrantët kanë dërguar 621.4 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 18.9% krahasuar me 1 vit më parë. Vetëm në tremujorin e 2-të dërgesat arritën në 347 milionë euro me një rritje prej rreth 24%. Shifra e gjashtëmujorit është më e larta e regjistruar në serinë e të dhënave që prej vitit 2008, ndërsa në vetëm 1 vit ekonomisë shqiptare i janë shtuar kështu 89 milionë euro më shumë nga remitancat.

Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt edhe me ndryshimin e hartës së emigracionit. Italia dhe Greqia vijojnë të kenë komunitetet më të mëdha shqiptare, por vitet e fundit emigrantët janë shpërndarë gjithnjë e më shumë drejt vendeve si Gjermania dhe Britania e Madhe, ku pagat më të larta krijojnë edhe më shumë mundësi për dërgesa financiare drejt familjeve në Shqipëri. Rritja e këtij viti vjen menjëherë pas një tjetër rekordi të vendosur në vitin 2025, ku gjatë gjithë vitit të kaluar remitancat arritën në rreth 1.12 miliardë euro duke kaluar për herë të parë ndjeshëm nivelin e 1 miliard eurove.

Megjithatë, forcimi i lekut ndaj euros vijon të zbehë një pjesë të madhe të efektit të këtij infuzioni financiar për familjet që i konvertojnë të ardhurat në monedhën vendase. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, euro ka vijuar tendencën rënëse ndaj lekut, duke zbritur nga një mesatare mujore prej rreth 96.6 lekësh në janar në rreth 94.8 lekë në qershor, çka ul drejtpërdrejt fuqinë blerëse të këtyre dërgesave në tregun vendas.