Partia Demokratike kërkon një sistem të ri zgjedhor, me proporcional kombëtar dhe lista të hapura, si dhe ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet. Këto janë disa nga kërkesat kryesore të demokratëve në kuadër të Reformës Zgjedhore, ndërsa Komisioni parlamentar i ngritur për këtë qëllim ka hyrë në muajin e fundit të mandatit. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, thekson se përparësia e punës duhet të jetë zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat lidhen kryesisht me garantimin e kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor.
“Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR, por edhe në raportet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe, së fundmi, Komisionit Europian: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor”, shprehet Bylykbashi.
Sipas tij, kjo kërkon ndarjen e shtetit nga partia në pushtet dhe ndëshkimin e atyre që abuzojnë me administratën dhe burimet publike për interesa partiake.
“Kjo kërkon ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e abuzimit me pushtetin, burimet shtetërore dhe administratën publike në favor të Partisë Socialiste apk cilësdo parti në pushtet në të ardhmen, si dhe garantimin e ndëshkimit të ashpër dhe efektiv të shkelësve, patronazhistëve dhe kujtdo që kryen krime zgjedhore”, deklaron ai.
Një tjetër kërkesë e demokratëve është ndryshimi rrënjësor i sistemit zgjedhor. PD kërkon që përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura dhe sa më pak barriera për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë dhe me sa më pak barriera për partitë që duan të marrin pjesë në garë”, thekson Bylykbashi.
Demokratët kërkojnë gjithashtu që edhe këshillat bashkiakë të zgjidhen me lista të hapura, duke kundërshtuar sistemin aktual të listave të mbyllura.
Sa i përket financimit të partive politike, Bylykbashi nënvizon nevojën për një ligj që të rregullojë financimin dhe të ndalojë përdorimin e burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet edhe gjatë periudhës jozgjedhore. Ai sqaron se ky ligj nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, por e konsideron të rëndësishëm dhe të ndërvarur nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor për financimin e partive gjatë fushatave.
PD kritikon edhe qasjen e mazhorancës, duke theksuar se PS ka trajtuar deri më tani çështje që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk janë përparësi për zgjedhjet e 9 majit 2027. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

