Më 15 shtator, Gjykata e Lartë e Shqipërisë lejoi vijimin e paraburgimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiak që prej vitit 2015, Veliaj tashmë ka kaluar më shumë se 19 muaj në paraburgim pa një vendim dënimi. Gjatë kësaj vere, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i konsideroi të pamjaftueshme nga pikëpamja kushtetuese argumentet e Gjykatës së Lartë për mbajtjen e tij në paraburgim, duke e shfuqizuar tërësisht vendimin e gjykatës më të ulët për shkak se nuk kishte shqyrtuar masa më pak kufizuese dhe as faktin se Veliaj vijon të jetë një zyrtar i zgjedhur. Përgjigjja e Gjykatës së Lartë, në fund, ishte që ai të vazhdonte të qëndronte në paraburgim. Gjykata ende nuk e ka bërë publik arsyetimin e vendimit. Këtu ka përfunduar një dekadë e “reformës në drejtësi” në Shqipëri, të mbështetur nga Perëndimi: në një sistem të prokurorisë mjaftueshëm të fuqishëm sa t’u mbijetojë dy kundërshtimeve nga vetë gjyqtarët kushtetues të vendit. Nuk nisi kështu. Në vitin 2016, Uashingtoni dhe Brukseli nxitën Shqipërinë të krijonte SPAK-un, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si një strukturë të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet, me kompetenca për të goditur zyrtarët e korruptuar dhe rrjetet e krimit të organizuar që kishin depërtuar në institucionet shtetërore. Teoria, siç ndodh zakonisht me këtë lloj inxhinierie teknokratike, ishte se më shumë pushtet institucional, i ushtruar nga njerëzit e duhur, do të sillte më shumë shtet ligjor. Të rivlerësoheshin gjyqtarët. Të largoheshin të korruptuarit. Të ndërtohej një mekanizëm prokurorial mjaftueshëm i fuqishëm për t’i kërkuar më në fund llogari edhe njerëzve me pushtet. LEXO EDHE:Evarist Beqiri: Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror Reformës duhet t’i njihet të paktën kjo, procesi i vettingut nuk ishte pa efekt. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan atij u shkarkuan për pasuri të pajustifikuara ose lidhje me krimin e organizuar, apo dhanë dorëheqjen për të mos iu nënshtruar procesit, sipas vetë të dhënave të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ky është një rezultat real dhe ia vlen të thuhet qartë, në vend që i gjithë projekti të paraqitet sikur ka qenë bosh që prej fillimit. Por largimi i gjyqtarëve të korruptuar nuk është e njëjta gjë me ndërtimin e një sistemi të kufizuar nga ligji dhe, një dekadë më vonë, mekanizmi i ngritur me SPAK-un duket gjithnjë e më shumë si ajo që duhej të zëvendësonte: i fuqishëm, jotransparent dhe pa dhënë llogari para askujt. Numri i çështjeve të prapambetura në gjykata, që reforma supozohej se do të ndihmonte të reduktohej, në vend të kësaj është rritur ndjeshëm, nga rreth 16 mijë çështje të pazgjidhura në afro 200 mijë. Qytetarëve të zakonshëm shqiptarë mund t’u duhet tashmë të presin 15 vjet për një vendim gjyqësor. Ndërkohë, më shumë se gjysma e popullsisë së burgjeve në vend ndodhet në paraburgim, një nga nivelet më të larta në Europë, ndonëse Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut parashikon që kjo masë duhet të përdoret kur ekziston një rrezik real arratisjeje apo rrezikshmëri për publikun dhe jo si një mënyrë standarde për mbajtjen e personave në qeli. Edhe më shqetësues, sipas kritikëve, është përdorimi i paraburgimit për të anashkaluar vullnetin e votuesve, siç pretendohet se ka ndodhur në rastin e Veliajt. SPAK e arrestoi atë në shkurt të vitit 2025 nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash; ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Shtatorin e kaluar, Këshilli Bashkiak i Tiranës përdori paraburgimin e tij si argument për të tentuar ta largonte përfundimisht nga detyra, përpara se të kishte një vendim dënimi, duke bërë që një veprim i prokurorisë të sillte efektin që nuk kishte ardhur nga kutia e votimit. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi vendimin për shkarkimin e tij. Në fillim të çështjes, SPAK i mohoi Veliajt aksesin në rreth 60 mijë faqe të materialeve të dosjes. Veçmas kësaj, dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kundërshtuan kushtet në të cilat ai mbahej gjatë seancave, duke vlerësuar se qëndrimi i tij në një kabinë prej xhami ishte degradues. Një opinion paralel i një prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shkoi edhe më tej se shumica, duke arritur në përfundimin se provat nuk kishin arritur të krijonin as dyshimin e arsyeshëm të nevojshëm për të justifikuar mbajtjen e tij në paraburgim. Madje, edhe një anëtar në detyrë i Parlamentit Europian, vështirë se mund të konsiderohet një skeptik i natyrshëm ndaj institucioneve të mbështetura nga Brukseli, ka ngritur publikisht pyetjen nëse 18 muaj paraburgim vazhdojnë të jenë “rreptësisht të nevojshëm”. Kjo është ajo që ndodh kur një institucion i ngritur për të mos qenë i varur nga politika përfn duke mos dhënë llogari as përpara ligjit. Dhe kostot nuk kufizohen vetëm te përplasjet në sallat e gjyqit. Investitorët e huaj e lexojnë këtë situatë për atë që është. Vetë Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve 2025 – i cili i njeh Shqipërisë një përmirësim real të rezultatit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, nga 37 në 42 pikë, si dhe rritjen e stokut të investimeve amerikane nga 300 milionë në 382 milionë dollarë brenda një viti, vazhdon ta përshkruajë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes, duke përmendur korrupsionin në prokurimet publike, përmasat e mëdha të ekonomisë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave. Një ekonomi nuk mund ta kompensojë me marketing një sistem drejtësie që fillimisht i ndalon njerëzit dhe më pas jep arsyetimin për këtë. Asgjë nga këto nuk do të thotë se duhet treguar tolerancë ndaj korrupsionit; Shqipëria e ka fituar me vështirësi reputacionin e saj në këtë drejtim. Por një aparat antikorrupsion që nuk jep llogari para askujt, vepron me ritmin e vet dhe e trajton procesin e rregullt ligjor si diçka fakultative, nuk përbën shtet ligjor, është thjesht e njëjta fuqi e vjetër diskrecionale, por me një adresë tjetër. Reforma e vërtetë duhej pikërisht ta zëvendësonte këtë. Nëntëmbëdhjetë muaj pas nisjes së paraburgimit të Veliajt, është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse ia ka dalë./Foreign Policy Journal SI.E./Shqiptarja.com TAG: drejtesia reforma ne drejtesi erion veliaj Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.4 / 5 (7 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento hakmarrje: 25/09/2026 12:15 Kur do ta kuptojnë të gjithë që, lugetërit e mbetur nga "reforma" tani janë armiq të qeverisë që e polli? Përgjigju Sondazhi i ditës:
22 Shtator, 16:08
Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika? Po 46.5% Jo 42.2% Disi 11.2% Vota total: 3589 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 22 Shtator, 16:08 Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?

