Qytetarët e Islandës votojnë në fund të gushtit në një referendum, në të cilin do të tregojnë nëse duan që vendi t’i rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Rezultati pritet të jetë i ngushtë, pasi sondazhet lënë të kuptohet se elektorati është thellësisht i ndarë për këtë çështje. Referendumi nuk vendos në vetvete për aderimin në bllokun 27 anëtarësh, por vetëm për rikthimin e negociatave. Një votë “pro” megjithatë konsiderohet do të ndryshonte dinamikën e procesit të zgjerimit të BE-së.
Mali i Zi dhe Shqipëria janë aktualisht shtetet më të avancuara në negociata, dhe ndonëse një rikthim i Islandës e vendos dhe atë në garë te drejtpërdrejtë me to, në Tiranë dhe Podgoricë, referendumi shihet pozitivisht pasi konsiderohet dëshmi se sa më i madh të jetë konsensusi në Europë në favor të zgjerimit, aq më mikpritës bëhet mjedisi politik për të gjitha vendet kandidate që kanë investuar seriozisht në këtë proces, përfshirë Shqipërinë. “Ne nuk e shohim procesin e zgjerimit si një lojë me rezultat zero, ku përparimi i një vendi përbën humbje për një vend tjetër. Përkundrazi, një rezultat pozitiv në Islandë mund të krijojë një moment të ri politik në nivel europian për debatin mbi zgjerimin dhe të forcojë bindjen se Bashkimi Europian mbetet projekti më i suksesshëm politik, ekonomik dhe gjeopolitik në kontinen”, deklaruan nga ministria e Jashtme e Shqipërisë për Radion Europa e Lirë.
“Çdo vend europian ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet drejt integrimit. Nga perspektiva jonë, fakti që një vend me nivel të lartë zhvillimi, institucione të konsoliduara dhe integrim të thellë ekonomik me Europën po i rikthehet kësaj çështjeje dhe po shqyrton sërish afrimin e mëtejshëm me BE-ne dëshmon se projekti europian vazhdon të mbetet tërheqës, i besueshëm dhe strategjik për vendet e kontinentit”, thanë të njëjtat burime. Top Channel

