Real Madrid ka rikthyer në vëmendje Martin Zubimendin dhe vazhdon ta konsiderojë mesfushorin spanjoll si një objektiv të mundshëm, pavarësisht se Arsenal e transferoi atë verën e kaluar. Klubi madrilen kishte tentuar të ndërhynte në garën për Zubimendin, por Arsenal arriti të mbyllte marrëveshjen për mesfushorin për rreth 51 milionë paund.
Drejtuesit e Real Madridit nisën kontaktet pasi Arsenal kishte siguruar tashmë marrëveshjen, duke mos arritur të ndryshonin destinacionin e lojtarit. Megjithatë, interesi i klubit nga “Santiago Bernabéu” nuk është shuar.
Rreth një vit më vonë, raportimet nga Anglia bëjnë me dije se Zubimendi vijon të pëlqehet shumë nga drejtuesit madrilenë dhe situata e tij në Londër po monitorohet nga afër.
Një faktor që mund të ndikojë në të ardhmen e Zubimendit është afrimi i Bruno Guimaraes te Arsenal. “Topçinjtë” kanë paguar rreth 75 milionë paund për mesfushorin brazilian, duke shtuar ndjeshëm konkurrencën në repartin e mesfushës.
Megjithatë, Arsenal nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Zubimendi. Kontrata e spanjollit me klubin londinez është e vlefshme deri në vitin 2030, ndërsa trajneri Mikel Arteta e ka cilësuar atë si një lojtar të rëndësishëm për skuadrën.
Edhe ish-mbrojtësi i Arsenalit, Lee Dixon, beson se Zubimendi do të ketë hapësirat e tij pavarësisht konkurrencës së shtuar.
Dixon ka theksuar se futbolli modern kërkon një skuadër të gjerë dhe se lojtarët janë gjithnjë e më të përgatitur për të përballuar konkurrencën për një vend në formacion.
Sipas tij, edhe Declan Rice nuk mund të luajë çdo ndeshje dhe rotacioni do t’u japë mundësi të gjithë mesfushorëve të Arsenalit.
Në repartin e mesfushës, Arsenal ka tashmë disa alternativa të rëndësishme, përfshirë Zubimendin, Rice, Merinon dhe tashmë Guimaraes.
Pavarësisht konkurrencës, kontrata afatgjatë e Zubimendit e vendos Arsenal në një pozicion të fortë negociues. Megjithatë, nëse minutat e lojës së spanjollit reduktohen ndjeshëm, interesi i Real Madridit mund të marrë një tjetër dimension.
“Los Blancos” vazhdojnë ta mbajnë nën vëzhgim situatën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi madrilen do të tentojë sërish një lëvizje për mesfushorin spanjoll në të ardhmen. Top Channel

