Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania në lidhje me një automjet që, sipas qytetarit, përdoret nga deputeti i Partisë Socialiste, Elton Korreshi, i cili pretendohet se parkohet shpesh në rresht të dytë në një prej rrugëve të Lushnjës.
Në foton e dërguar në redaksi duket automjeti me targë AB 999 XP, i lënë në karrexhatë, paralel me makinat e parkuara në krah të rrugës, duke zënë një pjesë të hapësirës së qarkullimit. Pozicionimi përbën atë që njihet si “parkim dysh”.
Sipas denoncuesit, nuk bëhet fjalë për një rast të vetëm. Ai pretendon se automjeti parkohet në këtë mënyrë thuajse çdo mbrëmje, ndërsa drejtuesi qëndron pranë një biznesi për të biseduar.
Dhe këtu lind pyetja: nëse një qytetar i zakonshëm do ta linte makinën në këtë mënyrë, a do të tolerohej njësoj?
Rregullat e qarkullimit nuk bëjnë dallim mes një makine të zakonshme dhe një makine të përdorur nga një deputet. Parkimi në rresht të dytë, kur krijon pengesë për qarkullimin, është shkelje e rregullave të qarkullimit dhe mund të ndëshkohet administrativisht.
Në fund të fundit, mandati i deputetit të jep një karrige në Kuvend, jo një korsi private në rrugët e Lushnjës.
Denoncuesi ngre gjithashtu shqetësimin se raste të tilla janë bërë të përsëritura dhe se qytetarët e zakonshëm përballen me masa ndëshkuese edhe për shkelje shumë më të vogla.
Nëse pretendimi është i saktë, atëherë pyetja është e thjeshtë: ku është Policia Rrugore kur një automjet parkohet dysh, dhe a zbatohet i njëjti standard për të gjithë?
Sepse nëse ligji vlen për qytetarin që ndalon “vetëm dy minuta”, duhet të vlejë edhe për atë që është zgjedhur për ta përfaqësuar.
JOQ Albania publikon foton në kuadër të denoncimit të qytetarit. Pretendimi se automjeti përdoret nga deputeti Elton Korreshi dhe se kjo praktikë përsëritet rregullisht mbetet për t’u verifikuar.
Redaksia i bën thirrje deputetit Elton Korreshi dhe institucioneve përkatëse të japin sqarimet e tyre lidhur me rastin.

