Partia Popullore Evropiane (EPP), familja më e madhe politike në Bashkimin Evropian, ka reaguar publikisht lidhur me situatën alarmante dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke lëshuar një mesazh të prerë mbi të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe sjelljen e trupave të rendit. Përmes një deklarate zyrtare, EPP thekson se e drejta për të protestuar paqësisht duhet të respektohet plotësisht dhe se çdo pretendim për përdorim të forcës disproporcionale duhet të hetohet me rrënjë: “E drejta për protestë paqësore duhet të respektohet plotësisht dhe çdo pretendim për përdorim të forcës së tepruar duhet të hetohet, me organet e zbatimit të ligjit që duhet të veprojnë në çdo kohë në mënyrë proporcionale.” EPP thekson se zgjidhja e tensioneve aktuale në vend nuk mund të bëhet përmes represionit apo dhunës shtetërore, por përmes de-përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik: “Tensionet aktuale duhet të trajtohen përmes dialogut, de-përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik. Demokracia nuk është imponim i ndryshimit përmes dhunës. Demokracia ka të bëjë me dëgjimin, respektimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje në paqe.” Në përmbyllje të qëndrimit të saj, Partia Popullore Evropiane nëvizoi se e ardhmja e Shqipërisë qëndron te garantimi i institucioneve llogaridhënëse dhe funksionimi i drejtësisë:
“E ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, prosperuese dhe evropiane, me një qeveri llogaridhënëse, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe një të ardhme me mundësi brenda vendit.”
Ky reagim i fuqishëm nga Brukseli përforcon thirrjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës ndaj protestuesve dhe të rinjve në Tiranë, duke e vënë ekzekutivin nën trysni të drejtpërdrejtë për respektimin e normave evropiane. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

