Shqipëria është përfshirë në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit për sigurinë e infrastrukturës dixhitale në vendet në zhvillim, ku Uashingtoni vlerëson përparimin e bërë pas sulmit kibernetik të vitit 2022, të mbështetur nga Irani. Në dokumentin e paraqitur në Kongresin amerikan, Departamenti i Shtetit bën të ditur se SHBA iu përgjigj sulmit ndaj Shqipërisë me një paketë ndihme shumëvjeçare prej 25 milionë dollarësh për sigurinë kibernetike. Sipas raportit, konsultimet dhe trajnimet amerikane në fillim të vitit 2023 ndihmuan qeverinë shqiptare të përcaktonte objektivat strategjikë në këtë fushë. Deri në prill të vitit 2024, Shqipëria miratoi një ligj për sigurinë kibernetike dhe krijoi agjenci kombëtare për sigurinë kibernetike dhe informacionin. Dokumenti evidenton gjithashtu ngritjen e dy qendrave të rëndësishme operacionale: një Qendre Operacionale të Sigurisë (SOC) për mbrojtjen e rrjeteve qeveritare dhe një qendre kombëtare për mbrojtjen e rrjeteve të infrastrukturës kritike. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, këto struktura shërbejnë si partnerë të rëndësishëm për paralajmërimin e hershëm dhe rrisin aftësinë për të identifikuar kërcënimet kibernetike, përfshirë ato që lidhen me Iranin. Sulmi ndaj spitalit dhe bashkisë së Tiranës Raporti ndalet te dy incidente konkrete, të cilat, sipas autoriteteve amerikane, treguan ndikimin e ndihmës së ofruar për Shqipërinë. I pari ishte një incident kibernetik në tetor të vitit 2024, që preku një spital të madh shqiptar. I dyti ishte një sulm në qershor të vitit 2025 ndaj rrjeteve të Bashkisë së Tiranës. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se qeveria shqiptare reagoi shpejt dhe në mënyrë efektive në të dyja rastet, duke ndërmarrë masa për të frenuar sulmet dhe për të kufizuar dëmet. Megjithatë, dokumenti nuk jep emrin e spitalit të prekur, nuk përcakton autorët e drejtpërdrejtë të këtyre dy incidenteve dhe as nuk paraqet një vlerësim financiar të dëmeve. Për këtë arsye, raporti nuk duhet interpretuar si konfirmim se të dyja ngjarjet ishin sulme iraniane. Shqipëria në rrjetin ndërkombëtar të reagimit ndaj sulmeve Një tjetër element i raportit është anëtarësimi i Shqipërisë në FIRST, Forumin e Ekipeve të Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë dhe Kompjuterëve, një rrjet ndërkombëtar që lehtëson bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për kërcënimet kibernetike. Shqipëria renditet mes 11 vendeve, ekipet kombëtare të reagimit ndaj incidenteve kibernetike të të cilave fituan anëtarësimin në FIRST gjatë periudhës 2016–2025, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe bashkëpunimin me Software Engineering Institute. Sipas raportit, ky bashkëpunim mundëson shkëmbimin e informacionit me homologët amerikanë, identifikimin më të hershëm të kërcënimeve dhe koordinimin ndërkombëtar për parandalimin e sulmeve. SHBA: Nevojitet mbështetje e mëtejshme Pavarësisht vlerësimit pozitiv, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se Shqipëria ka ende nevojë për mbështetje për të zhvilluar përvojën dhe kapacitetet e saj në sigurinë kibernetike. Raporti e vendos rastin shqiptar në një strategji më të gjerë amerikane për të ndihmuar vendet partnere të mbrojnë infrastrukturën dixhitale, të kufizojnë rreziqet nga furnizuesit e teknologjisë që konsiderohen të pasigurt nga Uashingtoni dhe të forcojnë mbrojtjen e rrjeteve kritike. Dokumenti përmend në këtë kontekst edhe konkurrencën teknologjike me Kinën, duke argumentuar se zgjedhjet e vendeve për pajisjet, shërbimet cloud dhe infrastrukturën dixhitale kanë pasoja jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për tregtinë dhe ndikimin ekonomik ndërkombëtar.
