Lajme Zone
“S’ka pasur thirrje nga Vetëvendosja që të mbështeten protestat në Shqipëri”, reagon Albulena Haxhiu: Të ndalet dhuna, arroganca nga pushteti nxit tensionet
PolitikëTop Channel

“S’ka pasur thirrje nga Vetëvendosja që të mbështeten protestat në Shqipëri”, reagon Albulena Haxhiu: Të ndalet dhuna, arroganca nga pushteti nxit tensionet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje të dëgjohen kërkesat e protestuesve në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje të dëgjohen kërkesat e protestuesve në Shqipëri. Në reagimin e parë nga Kosova lidhur me protestat që po zhvillohen në shumë qytete, Haxhiu ka thënë se të gjitha institucionet kanë për obligim të trajtojnë kërkesat e protestuesve.

“Ajo që po ndodh atje na shqetëson të gjithëve sepse Shqipëria për ne është Shtëpi. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Presidenca ose Qeveria, e ka për obligim të trajtojë kërkesat e studentëve. A janë ato që kanë dalë tani a janë ato të shtresëzuara që kanë nisur shumë herët në vite”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tutje ka thënë se nuk e mbështesin dhunën e përdorur nga policia në drejtim të protestuesve dhe anasjelltas, derisa shtoi që arroganca nxit protestat.

“Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, dhuna duhet të ndalohet nga të dyja palët. Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta, jo arroganca. Mendoj që arroganca nxit protestat, prandaj thërras që me maturi e seriozitet t’i kalojnë dallësitë apo qëndrimet e ndryshme që mund të ketë”, shtoi Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu që është edhe anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se partia e saj asnjëherë nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestat në Shqipëri.

“Sa i përket pjesëmarrjes së ndonjë mbështetësi, unë duhet të theksoj se asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Vetëvendosje që të mbështeten protestat. Nuk i takon Vetëvendosjes kjo. Vetëvendosje ka mbështetje të madhe, por nuk mund të mbahet Vetëvendosje përgjegjëse nëse mbështetësit tanë shkojnë e protestojnë atje”, përfi Haxhiu. Top Channel