Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Rama të përgatitet, talljet do t’i kthehen bumerang”/ Përplasjet te Kryeministria, protestuesi paralajmëron mosbindje qytetare: Do të bllokojmë të gjitha arteriet e shtetit!


Gjatë fjalës së mbajtur në ditën e 95-të të protestës, një nga aktivistët ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me prapaskenat e aksionit të një nate më parë, ku dyert e godinës së ekzekutivit u bllokuan ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhej brenda.

Gjatë fjalës së mbajtur në ditën e 95-të të protestës, një nga aktivistët ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me prapaskenat e aksionit të një nate më parë, ku dyert e godinës së ekzekutivit u bllokuan ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhej brenda. Ai e cilësoi natën e djeshme si një nga ditët më të bukura të protestës, duke deklaruar se “miu u zu në çarkun e vet”. Sipas protestuesit, qytetarët i treguan kreut të qeverisë se nuk mund të kalojë më i qetë nga rrugët që përdor zakonisht sepse “bën pazar me tokat tona”. Ai pretendoi se Rama u detyrua të largohej fshehurazi nga krahu i Piramidës me një automjet të Gardës së Republikës, ndërsa policia ka arrestuar 14 nga protestuesit rezistues. Sipas tij, vetëm pas zhvendosjes së turmës për të mbështetur të arrestuarit, eskorta mundi të largohej nga vendngjarja. Aktivisti iu përgjigj ashpër edhe kritikëve të aksionit opozitar, duke i cilësuar ata si “delirantë dhe lëpirës të pushtetit” që përpiqen me çdo formë të godasin lëvizjen për çlirimin e atdheut nga kthetrat e mafias. Ai nënvizoi se populli ka treguar dinjitet të lartë dhe se qytetarët që qëndrojnë në shesh janë heronj. Në vijim të fjalës së tij, ai bëri thirrje për përshkallëzimin e aksionit përmes mosbindjes qytetare për të bllokuar të gjithë vendin. “Prandaj të mblidhemi në mosbindjen qytetare, do të jemi edhe më shumë dhe do të bllokojmë të gjitha arteriet e shtetit sepse ata kanë bllokuar jetët tona! Kur të çlirohet atdheu ynë, do t’i largohemi mosbindjes qytetare,” u shpreh ai. Në përmbyllje, aktivisti lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për kryeministrin, duke theksuar se përballja është e pashmangshme: “Rama le të përgatitet sepse e kemi thënë paqësisht, por talljet që kanë bërë do t’u kthehen bumerang. Ata do të ballafaqohen me poshtërsitë e tyre!” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb