Lajme Zone
Rama: Shteti ka 3 plagë për tu kuruar! Ndërhyrja e deputetëve për punësime të bëhet vepër penale! ‘Pasqyrë Albania’ nis me publikimin e dokumenteve për Sazanin e Zvërnecin
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Rama: Shteti ka 3 plagë për tu kuruar! Ndërhyrja e deputetëve për punësime të bëhet vepër penale! ‘Pasqyrë Albania’ nis me publikimin e dokumenteve për Sazanin e Zvërnecin

Kryeministri Edi Rama pranoi se marrëdhënia e shtetit me qytetarët vuan ende nga burokracia, mungesa e transparencës dhe punësimet përmes njohjeve. Para deputetëve socialistë, ai prezantoi mekanizmat e rinj për kontrollin e qeverisë dhe dëgjimin e qytetarëve, ndërsa “Prania Besnike” do t’i çojë çdo të premte të zgjedhurit në territor dhe performanca e tyre do të vlerësohet me një sistem prej 100 pikësh.

TIRANË- Për kryeministrin Edi Rama, 83 mandatet që populli i besoi, duhet të përkthehen në besim dhe jo distancim nga problemet e qytetarëve. Në një orë e gjysmë fjalim nga mbledhja e zgjeruar e grupit parlamentare, Rama u kërkoi deputetëve dhe ministrave që të ndryshojnë mënyrën e komunikimit me qytetarët, përmes tre mekanizmave që do të jenë udhërrëfyes për modelin e ri qeverisës, “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”. Ky model i ri, për kryeministrin duhet të kurojë tre plagët e shtetit, administratën që funksionon si labirint për qytetarin, mungesën e memories institucionale dhe bindjen se për të marrë një shërbim apo një vend pune, njohjet vlejnë më shumë se merita. “Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet vendoset por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpesh herë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji”, theksoi kryeministri Rama. LEXO EDHE:Ilir Yzeiri: Qeveria dhe protesta - dy rituale, por pak shpresë Pikërisht punësimi ishte një nga mesazhet më të forta që Rama adresoi përballë deputetëve, të cilëve ua bëri të qartë se nuk duhet të bëjnë me rolin e sekserit. Kryeministri paralajmëroi se do të propozojë që edhe një mesazh i një deputeti për të punësuar dikë në administratë të konsiderohet vepër penale dhe vetë socialistëve do tua kërkojë ta miratojnë. “Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë’, ‘shife atë’, të konsiderohet vepër penale”, vijoi Rama. Punësimet synohet të kalojnë përmes “Shkallës së Meritës”, një tjetër platformë e prezantuar nga kryeministri. Kandidatët do të depozitojnë aty një ‘pasaportë profesionale’ dhe do të konkurrojnë me një provim dixhital. “Shkalla e Meritës do të hapë një derë që do të qëndrojë gjithmonë e hapur, përsëri përmes PasqyrAlbania. Provimi nuk është vetëm një ekran, por është një sistem. Banka e pyetjeve trajtohet nga sistemi, vlerësuesit janë të verbër fare, ata që hyjnë në Shkallën e Meritës, për Pasqyrën janë vetëm një kod, jo një emër. Edhe vetë deputetët do t'i nënshtrohen një sistemi vlerësimi. “Prania Besnike” parashikon një modul me 100 pikë për performancën e tyre, nga puna parlamentare dhe prania në territor, te dëgjimi dhe ndjekja e problemeve të qytetarëve. Për të dëgjuar problematikat e tyre, çdo të premte në orën 17:00 deputetë dhe përfaqësuesit e qeverisë do të duhet të jenë në territor. “Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional”, tha Rama. Testi i parë i Pasqyrë Albania do të jetë investimi në Zvërnec dhe në Sazan, ku kryeministri Rama premtoi se do të publikohen të gjithë dokumentet. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe për çështjet me rendësi të veçantë. “Flamingo Mirror ku do të ekspozohen nga A te Zh të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe në rastin konkret, tema e Sazanit, e Nartë Pishporos, jo Nartë-Vjosës, nuk ka, është lajm i rremë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj do të pasurohet hap pas hapi”, tha Rama. Vetë shefi i qeverisë pranoi se, pavarësisht takimeve të shumta në territor, mazhoranca ka dështuar shpesh të jetë pranë qytetarëve pikërisht aty ku lind problemi. “Është disiplinë e mandatit të katërt për të mos dalë me shqelma nga historia e këtij mandati. Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime. Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës. Distanca nga qytetari nuk matet me kilometrat që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet”, vijoi Rama. Për kryeministrin, tre mekanizmat e rinj duhet të shërbejnë edhe për të nxjerrë në pah dështimet e vetë qeverisë, duke thënë se “nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun.” Rama përcaktoi edhe atë që e cilësoi si vijën e panegociueshme për zbatimin e këtyre nismave. “Vija e panegociueshme për të gjitha këto është që partia nuk bën shtetin, deputeti nuk ndërmjetëson favorin dhe kryetari i partisë nuk është sportel punësimi.” Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 12:36 ‘Erdhën kohë të këqija’, Rama ‘i ngrin’ të qeshurën socialistit: Kush mendon që do ta shtyjë sa mundet, do të hajë një të shtyrë Teksa fliste për meritokracinë dhe sistemin Shkalla e Meritës që do të ndryshojë punësimin e administratës, Rama iu kthye edhe njërit prej të pranishmëve që kishte nisur të qeshte.“Po qesh njëri aty, por erdhën kohë të këqija i dashur, nuk ke çfarë bën. Kush mendon që do e shtyjë sa ta shtyjë, do të hajë një të shtyrë që në fund do t’i lutet Zotit kur do bjerë në fund. Nuk shtyhet më kështu”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:27 Punësime sipas meritokracisë, Rama: Çdokush regjistrohet me pasaportë, konkurron me provim dixhital Shkalla e Meritës, një sistem që do të jetë pjesë e PasqyrAlbania, do të bazohet te meritokracia. Kushdo që dëshiron një vend pune në administratë, do të konkurrojë përmes saj. Pasaporta kthehet në një kod dhe aplikanti i nënshtrohet një provimi dixhital që shmang punësimin e personave përmes njohjeve. Më pas, një komision certifikon vendimin.“Shkalla e Meritës do të hapë një derë që do të qëndrojë gjithmonë e hapur, përsëri përmes PasqyrAlbania, ku qytetari që do, i riu që do, në Tiranë, Shqipëri apo Australi, gjithmonë nënshtetas i Republikës së Shqipërisë, megjithëse është koha ta hapim edhe për shtetas të BE-së, të paraqitet dhe të regjistrohet me një pasaportë merite të tijën.‘Arsimi im, përvoja ime, portofoli im është ky, këto janë aftësitë dhe rezultatet e mia. Sa herë të ketë një vend të hapur që mund të jetë në interesin tim, më njoftoni.’Provimi bëhet dixhital. Ti s’ke nevojë të njohësh, nuk ke nevojë të vish... po qesh njëri aty, por erdhën kohë të këqija i dashur, nuk ke çfarë bën. Kush mendon që do ta shtyjë siç e ka shtyrë, do ta hajë në fund. Provimi nuk është vetëm një ekran, por është një sistem. Banka e pyetjeve trajtohet nga sistemi, vlerësuesit janë të verbër fare, ata që hyjnë në Shkallën e Meritës, për Pasqyrën janë vetëm një kod, jo një emër. Në bazë të pasaportës, kodi merr sinjalin, futet në konkurs. Vendimi në fund certifikohet nga komisioni përkatës por bëhet shumë e vështirë që të përmbyset”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:17 KLGJ e KLP rritën pagat, Rama: Fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, kur s’iu mjaftojnë atyre, imagjinoni administratën Kryeministri Rama nuk e kurseu një koment edhe për pagat e KLP e KLGJ të cilat i caktuan vetë dhe me rritje të konsiderueshme. Rama tha se këto dy institucione që s’mjaftohen me pagën, janë dështimi i reformës në drejtësi. E nëse sërish për to pagat s’mjaftojnë, tha kryeministri, “imagjinoni ç’mund të thotë nëpunësi i administratës.”“Paga është e pamjaftueshme për të gjithë. Kur KLGJ dhe KLP nuk iu mjafton paga, imagjinoni administratën. KLP dhe KLGJ janë dytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK e Gjykata e Posaçme janë fytyra e suksesit dhe kur KLP e KLGJ janë të dështimit dhe e qeverisin gjyqësorin më pak, i kanë të pamjaftueshme pagat disa herë më të larta se ne këtu, imagjino si mund të thotë nëpunësi i administratës. Ka një element tjetër që është bërë njësoj si paga. Te gjërat që punonjësit tanë të administratës publike është mosndëshkimi i performancës negative. Punonjësit e administratës që në pjesën më të madhe janë ndër njerëzit më të pastër të republikës, por 1 mijë punonjës të këtij shteti, kanë shkëlqyer në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel në procesin më sfidues për çdo shtet që do të hyjë në BE që është procesi i diagnostikimit”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 11:10 Rama: Çdo ndërhyrje e deputetëve për të futur dikë në punë të bëhet vepër penale! Do t’ju kërkoj të gjithëve ta votoni (VIDEO) Kryeministri Edi Rama propozon që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratë të konsiderohen vepër penale. Sipas tij, punësimi dhe ngritja në detyrë duhet të bazohen te merita dhe jo te lidhjet politike apo personale."Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot", tha Rama. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 11:06 Rama: Po ndërtojmë Radarin dixhital për të detektuar sinjalet, s’mund të biem pre e histerisë Radar, mekanizmi tjetër i PasqyrAlbania, do të detektojë sinjalet e botës dixhitale, tha kryeministri Rama. Radari do të ndjekë dinamikat e çështjeve dhe si lëvizin ato në hapësirën publike për “të mos rënë pre e histerisë.”“Në arkitekturën e këtij sistemi të ri, ne po ndërtojmë edhe një Radar dixhital që do të jetë Radari i qeverisë për të detektuar sinjalet e botës dixhitale. Radari dallon sinjalin, ashtu sikundër krjon kapacitet për të parë sesi janë dinamikat në territore të ndryshme, por gjykon njeriu, nuk diskutohet, Besa reagon. Radari ndjek dinamika, ndjek lëvizjen e çështjeve në sferën e interesit publik dhe nuk mund të jemi një elefant që e marrin për hunde të gjithë të botës dixhitale të pasqyrave virtuale, që vënë gjoba mbi biznesin, mbi ju se mua nuk ka shans të më vërë dot gjobë askush, por gjoba mbi ju në formë presionesh, prandaj ne duhet të kemi zotërim në këtë botë, për të ndarë qytetarin dhe shqetësimin për të cilin ne përgjigjemi nga gjoba, nga lajmi i rremë, nga qumështi që kthen në shterpë vajzat që e pijnë, nga buka që kush e ha, lind fëmijë me sy të bardhë apo nga ilaçi që kush e pi kthehet nga mashkull në femër dhe anasjelltas. Ne s’mund të jemi pre e gjithë kësaj histerie ku nuk di më kush është prapa, çfarë po të thotë dhe çfarë të besosh”, tha kryeministri. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 10:47 ‘Humbja e kontaktit me njerëzit, model fatal’, Rama: Moduli për matjen e deputetit me 100 pikë, disiplinë e mandatit të katërt Prania Besnike do të sjellë një modul matjeje të performancës së deputetit me 100 pikë, tha kryeministri Rama para ministrave e grupit të PS. Sipas tij, kjo do të jetë disiplina e mandatit të katërt që deputeti “të mos dalë me shqelma” nga historia e tij.Për Ramën, humbja e kontaktit me njerëzit, është model fatal për qeverisjen. Ai theksoi se beteja kryesore është ajo që do të zhvillohet me justifikimet.“Prania Besnike është kompjuter që mban shënim, ata që ne vetëm i dëgjojmë prandaj duhet të miratojmë një modul matjeje të performancës së deputetit pasi kjo është një botë e re. Ne jetojmë mes dy botësh, botës së gjithëhershme të realitetit të vjetër dhe botës së pasqyrave. Po të shikoni bilancin në fund të ditës të orëve të kaluara para pasqyrës suaj, janë ato më dominonte. Ne harxhojmë gjithmonë e më shumë kohë në pasqyra, por gjithmonë e më shumë e perceptojmë këtë realitetin tjetër përmes konteksteve që na krijojnë pasyrash. Në këtë botë pasqyrash, humbja e kontaktit me njerëzit e një shumice qeverisëse është model fatal. Moduli i matjes së deputetit me 100 pikë të ndara sipas këtyre dy botëve, jo si ritual ndëshkimi ose marrje masash, është disiplinë e mandatit të katërt për të mos dalë me shqelma nga historia e këtij mandati. Është disiplinë mandati që duhet të lidhë punën parlamentare, praninë në territor, cilësinë e dëgjimit dhe përgjigjes për atë që dëgjojmë, punën me strukturat dhe vlerësimit nga njerëzit dhe hartën ku Finiqi apo Konispoli i sotëm duhet të bëhet Partia Socialiste e Shqipërisë dhe aty. Beteja jonë kryesore është beteja me justifikimet”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 10:44 ‘Prania Besnike’, Rama: Fillon të premten në orën 17:00, nuk do të ndalet! S’lejohen kamerat, deputeti jo sekser i hallit të qytetarit Nga kjo e premte (4 shtator) në orën 17:00, qeveria dhe grupi i PS do të nisin me takimet e Pranisë Besnike. Këto takime, tha Rama në mbledhjen e grupit dhe ministrave, do të jenë konsistente dhe jo në kuadër të propagandës.Në të nuk do të ketë kamera dhe të gjithë do të duhet të dëgjojnë qytetarët e të mbajnë shënim problemet e tyre, si dhe t’i ndjekin në rrugë institucionale duke shmangur çdo informalizëm.“Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë. Dhe e premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i një procesi të Pranisë në të gjithë territorin e republikës, s’do të ndalet asnjë të premte. Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional. Duhet të disiplinojë institucionet, jo të kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në institucion. Nuk shkohet për të thënë sa bukur po punon qeveria po ku po dështon ajo. Nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhura, apo për të marrë vota, as për të punësuar njerëz, as për të rekrutuar patronizhistët e ardhshëm, por për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Dhe merret përsipër të ndiqet rruga e hallit. Në Praninë Besnike shkohet për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë. Te Prania Besnike shkohet për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Ndërkohë merret përsipër të ndiqet edhe në emër të qytetarit, rruga e hallit. Këtu ka një vijë të panegociueshme nëse duam që të ketë sukses, nëse duam që Besa të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja, nëse duam që Pasqyra të funksionojë jo si shfaqja e fundit e PS në hapësirën publike, por të gjitha këto t’i japin një fuqi të re shumicës sonë. Prania Besnike nuk bën pushtetin, nuk ndërmjetëson favor. Suksesi i Pranisë Besnike do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithnjë e më pak për të sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë dhe jo kanal paralel. Prania Besnike duhet të ketë sekretariatet e saj lidhur me temat kryesore”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 10:39 Rama: Kemi qenë kudo në hartën e Shqipërisë, por kemi munguar te halli i njeriut! Qeveria që s’përmirësohet, duhet të hapë krahun Kryeministri Edi Rama thotë se pavarësisht takimeve të shumta në të gjithë vendin, qeveria ka munguar aty ku qytetarët kanë pasur problemet e tyre konkrete. Duke folur për “Pasqyrë Albania”, ai tha se qeveria duhet të përballet me të metat e veta dhe, nëse nuk arrin të përmirësohet, “duhet të hapë krahun”.“Një shtet që nuk mban mend çfarë ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot. Pasqyrë Albania nuk është pasqyrë ku qeveria apo të treja pushtetet, në rast se futen në Pasqyrë, shfaqen bukur para qytetarit. Është një pasqyrë ku qytetari e sheh qeverinë siç është. Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë, duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet dhe jo pasqyrën. Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma, çfarë po ndryshon dhe është në gjendje të japë përgjigje për çfarë pyetet, janë të gjitha barrë e pushtetit. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse pasqyra nuk fsheh se sa shëmtuar mund të duket qeveria në një moment të caktuar.Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Përndryshe nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.Transparenca nuk mjafton, transparenca kërkon përgjegjësinë, dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë. Prandaj arsyeja e pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e besës. Busulla që orienton qasjen e çdo pushteti, sipas meje. Besa është fjalë e madhe, e bukur, tërheqëse, prandaj tani e përdorin të gjithë, por përtej impaktit që ka fjala, për ne BESA nuk është thjesht fjala besë, por është akronimi: besim, empati, shërbim dhe angazhim.Prania Besnike nuk është kalendar elektoral, as organizativ, madje nuk është kalendar partie. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur.Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime, madje ne kemi qenë aq shumë herë kudo në hartën e Shqipërisë për takime sa askush tjetër dhe do duhen vite që të tjerët t’i mbledhin të gjitha takimet që bëjnë për të arritur në një masë takimesh të përafërta me takimet që ne bëjmë në harkun e një viti. Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës. Distanca nga qytetari nuk matet me km që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet.” SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:26 Investimi në Sazan e Zvërnec, Rama: Brenda disa javësh shfaqja e parë e PasqyrAlbania, do të publikohet çdo dokument (VIDEO) Brenda disa javësh në PasqyrAlbania, një një seksion të veçantë të quajtur Flamingo Mirror (Pasqyra e Flamingos), do të ekspozohet gjithçka që lidhet me investimet në Sazan e Zvërnec, bëri me dije Rama.Gjithashtu, ai theksoi se platforma PasqyrAlbania nuk mbledh të dhënat e qytetarit pa miratimin e tij.“Nuk përdor të dhënat e mbledhura për t’i çuar një njoftim, por vetëm nëse individi i thotë shtetit që dua të më njoftosh sapo të dalë, s’dua ta marr vesh pas një viti, nuk dua të dëgjoj nga ndërmjetësit mediatikë apo të keqinformohem nga pasqyrat mediatike, dua që ti të më japësh informacion në kohë reale. PasqyrAlbania duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar kur ka rrezik zjarri. Mjeti themelor i Pasqyrës është kartela publike. Pasqyra nuk ka asnjë tekst propagandistik, asnjë deklaratë se çfarë do të bëjë, ka vetëm se çfarë bën qeveria, parlamenti, pushteti gjyqësor sot. Kartela publike plotëson disa kritere shumë të thjeshtë, cila është puna që po bëhet, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek, ku janë dokumentet, statusi, cila është prova? Së shpejti, çështje javësh, shfaqja e parë e Pasqyrës, sepse është një punë goxha e madhe për ta ndërtuar gjithë këtë arkitekturë të re do të jetë një komponent, Flamingo Mirror ku do të ekspozohen nga A te Zh të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe në rastin konkret, tema e Sazanit, e Nartë Pishporos, jo Nartë-Vjosës, nuk ka, është lajm i rremë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj do të pasurohet hap pas hapi”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 10:23 Rama: Platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por ajo do të jetë pjesë e 'Pasqyrë Albania' (VIDEO) Kryeministri Edi Rama në mbledhjen me ministrat dhe grupin e PS tha se Pasqyrë Albania se platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por ajo do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes, do të jetë pjesë e “Pasqyrës”.Në hamendësimet e bëra, thuhet se “Pasqyra” është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë, sepse platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por ajo do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes, do të jetë pjesë e “Pasqyrës”.Çfarë platforma ka bërë deri më sot, “Pasqyra” do ta garantojë.e-Albania do të jetë pjesë përbërëse e “Pasqyrës” dhe dosja personale, dokumente individuale dhe komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania. Halli individual vazhdon të trajtohet me dinjitet dhe konfidencialitet, por risia është se halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale.“Pasqyrë Albania” publikon në kohë reale për çdo shqiptar se ku ngec një shërbim për të, informon sa zgjat përgjigjja që ai do të presë. Ajo mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe korpusin rregullator të Shqipërisë", tha Rama teksa shtoi se çdo biznes i vogël apo qytetar do të informohet përmes një mesazhi në whatsapp. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 10:13 ‘Pasqyrë Albania’/ Rama fton legjislativin dhe gjyqësorin t’i bashkohen platformës: Vendimmarrja ju takon ju, qeveria do të jetë tërësisht aty (VIDEO) Nga mbledhja e grupit të PS, Edi Rama u ndal sërish te platforma Pasqyrë Albania, e cila synon të ndjekë në kohë reale problemet e qytetarëve dhe tu japë zgjidhje brenda dy javësh. Ai tha se përveç qeverisë, pjesë e saj do të ishte mirë të bëheshin edhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, por theksoi se kjo gjë është tërësisht vendimmarrje e tyre.“Pasqyrë Albania është hapësirë e re ku falë teknologjisë dhe mundësisë së jashtëzakonshme që na jep në këtë fazë të zhvillimit tonë IA, mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur shtetin dhe për të kërkuar mbështetje nga shteti. Do jetë hapësirë ku qeveria do jetë tërësisht aty, por patjetër që e mira e do që te Pasqyrë Albania të jenë edhe dy pushtet të tjera, pushteti legjislativ dhe gjyqësor, por kjo është vendimmarrje e tyre”, tha Rama. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:11 Rama rendit 3 ‘plagët’ e shtetit: Administrata labirint, mungesa e memories dhe bindja se njohja vlen më shumë se merita (VIDEO) Kryeministri Edi Rama renditi tre probleme që, sipas tij, vijojnë të rëndojnë marrëdhënien e qytetarit me shtetin: administrata “labirint”, mungesa e memories institucionale dhe bindja se njohjet vlejnë më shumë se merita e ligji.“Sot duhet të ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrwn. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet vendoset por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër se sa mund të imagjinohet. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpesh herë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania, Prania besnike, Besa dhe shkalla e meritës janë pjesë e pandashme e përpjekjes për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha Rama nga grupi i PS. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:09 Mbledhja me grupin e ministrat, Rama: Sistemi i ri i komunikimit, reformë e marrëdhënies qytetar-shtet! Prezanton Shkallën e Meritës Në fjalën e tij para grupit parlamentar të PS dhe qeverisë, kryeministri Rama njoftoi edhe një tjetër platformë: Shkallën e Meritës që i bashkohet Besës, Pranisë Besnike dhe PasqyrAlbania. Rama tha se sistemi i ri është një reformë që rikoncepton marrëdhënien qytetar-shtet.“Ka ngjallur një nga shenjat e interesit por shqiptarët nuk kanë nevojë për një aplikacion tejtër që t’i shtohet xhunglës dixhitale. PS nuk i duhet një kalendar tjetër që bën materiale propagandistike. Hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së Rilindur nuk mbushet me një fjalë sado të madhe si Besa dhe mbi të gjitha, hendeku real për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe të cilin tani është koha të fillojmë të punojmë të gjithë së bashku që ta mbushim, mes nesh dhe njerëzve nuk mbushet thjesht dhe vetëm me një fushatë komunikime. Besa, Prania Besnike, PasqyrAlbania dhe Shkalla e Meritës si dhe i tërë sistemi i ri i komunikimit të shtetit dhe partisë janë komponentët e një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet. Një reformë që rikoncepton 4 pika kyçe: si e sheh shteti problemin, si e dëgjon shumica qeverisëse njeriun, si mbahet fjala e dhënë me ligj e zakon, si hapet dera e shërbimit publik për meritën”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 10:09 Rama: PasqyrAlbania është kontratë kushtetuese, e kthen qytetarin në mbikëqyrës të shtetit (VIDEO) PasqyrAlbania do të jetë një sistem ku qytetari mund të mbikëqyrë shtetin, tha kryeministri Rama në mbledhjen me ministrat dhe grupin e PS. Në këtë platformë, ai do të gjejë çdo dokument të nevojshëm për të mësuar gjithçka dëshiron të dijë mbi punët publike.Sipas Ramës, kjo shmang dezinformimin e qytetarit dhe çdokush i përfshirë ekspozohet në (pa)përgjegjëshmërinë e tij.“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku ai nuk gjen vetëm çfarë tha qeveria sot, madje s’e gjen fare, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin tim, pse qeveria po bën këtë apo atë, kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson, mbi cilin dokument unë mund të provoj apo konsultoj këtë që më thuhet se do të bëhet, ku gjendet sot ecuria e procesit (për çdo proces). Një qytetar sot nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me punët publike sepse nuk e ka mundësinë qëti referohet drejtpërdrejt kantierit, shërbimit përkatës. PasqyrAlbania do të jetë vendi ku qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij. Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë dhe as nuk mund të pritet që të ndërrojë mendim duke bërë nga ana e vet institucioni apo qeveria një komunikatë apo konferencë për shtyp. Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh. Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit, por te Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon, janë nën dritën e diellit. Ose janë të larë sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë rrëshqitja e një kodre ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata apo postime të rastit”, tha Rama. P.J/Shqiptarja.com Share Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com TAG: edi rama PS dokumenti BESA pasqyre albania dokumenti prania besnike Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.7 / 5 (6 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Adri: 03/09/2026 11:26 E degjova pak ky esht i papam.mebi fjal thot qe sistemi do marre ne provim psh nje profesor anglishteje lindur e rritur ne londer doktorratur per gjuh angleze ne oxford ......ka pi mall te skadum se ska mundesi...skemi nevoj per kete merr ke te dush emero ke te duash po mbaj pergjegjsi..kjo menyr qe thua ti esht me ja lan fain sistemit..e ndodh qe noj mjeshter nga kta qe perdor ti e ka van ne gjum pastaj sistemin.po ku i gjen si vetja te gjith Përgjigju Tutu: 03/09/2026 11:18 Muhabeti i ketij mikut eshte si puna e ndeshjes se futbollit qe 90 nuk e ka e care trapin po ka bere vetem aheng dhe ne minuta shtese do te fitoje ndeshjen…futja pordhes Edi Rama me dacibaot e Maos dhe me logjiken prej Lej Feni ..!! Përgjigju Shqiptari atdhetar: 03/09/2026 10:42 Propagande, qe nga koha e Partise se Punes! Përgjigju Rutina: 03/09/2026 09:05 Tund e shkund, laj e thaj, nxirre ne Facebook. Përgjigju Partia: 03/09/2026 08:20 Edhe sa ministri do marri Bela? Përgjigju Sondazhi i ditës:

2 Shtator, 23:22

Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 75.3% Të gabuar 20.5% Nuk e di 4.1% Vota total: 1334 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 2 Shtator, 23:22 Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?