Foto ilustruese Arkitektët e famshëm, fasada e një sistemi ku pushteti ndërthuret me spekulimin imobiliar… “Starchitect shkoni në shtëpi!”. Më 3 qershor, në një rrugë në qendër të Tiranës, mes flamingove rozë me ajër dhe pankartave me mbishkrimet “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Edi Rama, dorëhiqu!”, binte në sy edhe ky slogan. Ai pasqyronte një aspekt të pazakontë të protestave që prej më shumë se tre muajsh po nxjerrin çdo ditë shqiptarët në rrugë: këtë herë, në shënjestër të zemërimit të tyre janë vënë edhe arkitektët e famshëm ndërkombëtarë.
Nuk ndodh shpesh që arkitektët të bëhen objekt kritikash gjatë një revolte popullore. Por në Shqipëri, një nga vendet më të varfra të Europës dhe me probleme të mëdha korrupsioni, indeksi i perceptimit të korrupsionit i organizatës Transparency International për vitin 2025 e rendit vendin në pozicionin e 91-të mes 182 shteteve, disa prej arkitektëve më të njohur në botë kanë marrë një rol me peshë edhe në debatin politik.
Gjatë njëzet viteve të fundit, shumë prej tyre janë angazhuar në transformimin e Tiranës: njëri me një kullë të konceptuar në formën e një fytyre, një tjetër me një piramidë shumëngjyrëshe dhe të tjerë me ndërtesa që të kujtojnë konstruksione gjigante me blloqe Kapla.
Ata janë ftuar drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, i cili, sipas Le Monde, mbështetet te fama e tyre dhe te ndërtesat e tyre ekstravagante për të projektuar imazhin e një Shqipërie moderne dhe tërheqëse. Gazeta franceze shkruan se këta arkitektë punojnë jashtë kuadrit rregullator të Bashkimit Europian, pa kufizimet mjedisore dhe sociale që do të hasnin brenda BE-së dhe pa u kushtuar vëmendjen e duhur planeve vendore urbanistike.
Kjo “ushtri arkitektësh”, siç e ka quajtur vetë porositësi i projekteve, prej disa vitesh është shtrirë edhe përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.
Në maj, banorët e Zvërnecit u alarmuan pasi panë se ishte rrethuar një pjesë e bregdetit që deri atëherë kishte qenë e hapur për të gjithë. Sipas Le Monde, pas kësaj qëndron një projekt për një resort luksoz që do të shtrihet në bregdet dhe në ishullin e afërt të Sazanit. Një ligj i miratuar në vitin 2024 lejon shndërrimin e ishullit në një zonë turistike, megjithëse Sazani strehon një rezervë të çmuar biodiversiteti.
Investimi vlerësohet në 5 miliardë dollarë, rreth 4,3 miliardë euro, dhe financohet nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, përmes kompanisë së tij Affinity Partners. E njëjta kompani qëndron edhe pas projektit imobiliar të propozuar për Gazën.
Shtypja brutale e një proteste të organizuar në Zvërnec në fund të majit, shkruan gazeta, ndezi më tej pakënaqësinë dhe protesta u përhap edhe në Tiranë. Protestuesit zgjeruan ndërkohë kërkesat e tyre, duke kërkuar një kontratë të re sociale, reformë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe dorëheqjen e Edi Ramës.
Por çfarë lidhjeje ka arkitektura me gjithë këtë?
Sipas Le Monde, ajo ndodhet në qendër të debatit sepse është kthyer në simbol të ndërthurjes së pushtetit politik me spekulimin në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të përqendrimit të fitimeve në duart e një grupi të vogël të privilegjuarish, në dëm të interesit të përbashkët. Gazeta argumenton se arkitektura jo vetëm e simbolizon këtë sistem, por është bërë edhe pjesë e tij.
Kjo u pa edhe më 3 qershor, kur u hap “Bread & Heart”, një festival arkitekture që, sipas gazetës franceze, synonte të promovonte politikën e kryeministrit.
Në Tiranë kishin mbërritur disa nga emrat më të njohur të arkitekturës botërore: Jeanne Gang, Bjarke Ingels, Reinier de Graaf, Pierre de Meuron, Francis Kéré, Ma Yansong, Petra Blaisse, Christian Kerez dhe Charles Renfro.
Përpara zyrave të kryeministrit, ku zhvillohej aktiviteti, protestuesit u shpërndanë të ftuarve fletushka me një letër të hapur që ishte publikuar në internet një ditë më parë.
Letra, e nënshkruar nga qindra arkitektë, artistë dhe ambientalistë shqiptarë, kritikonte temën e zgjedhur për festivalin, “Landscape of Abundance” (“Peizazh i bollëkut”), duke e cilësuar si cinike në një kohë kur “mijëra shqiptarë janë në rrugë” për të kundërshtuar “shkatërrimin e një prej peizazheve më të bukura dhe më të rëndësishme të vendit”.
Nënshkruesit u kërkonin arkitektëve të ftuar të mos bëheshin “bashkëpunëtorë” në atë që e përshkruanin si një përpjekje për të zbukuruar “politikën e buldozerit”. Ata u kërkonin gjithashtu të kërkonin llogari dhe ta bojkotonin aktivitetin.
Asnjë prej të ftuarve nuk u përgjigj.
Deri në atë që artikulli e quan “revolucioni i flamingove rozë”, anëtarët e kësaj “ushtrie arkitektësh” nuk i kursenin lavdërimet për Edi Ramën.
Sipas Le Monde, fakti që realizimi i projekteve të tyre mund të kërkonte shembjen e lagjeve të tëra, se këto projekte u drejtoheshin njerëzve shumë më të pasur se qytetari mesatar shqiptar, apo se mund të financoheshin edhe me para të ardhura nga trafiku i drogës, dukej se kishte pak peshë përballë mundësive që u ofronte ky “Perëndim i Egër” i arkitekturës.
Edhe kur fama e tyre përdorej për qëllime politike, arkitektët pretendonin se qëndronin jashtë politikës.
Por ky pozicion është bërë më i vështirë për t’u mbrojtur tani që shqiptarët kanë ngritur zërin dhe po shprehin hapur zhgënjimin e tyre.
“Respekti ynë për këta arkitektë, të cilët i kemi admiruar aq shumë, ka rënë nën zero”, thotë një nga nënshkrueset e letrës, e kontaktuar nga Le Monde përmes WhatsApp-it.
“Arkitektura në Shqipëri nuk shihet më si asgjë tjetër përveçse si një kërcënim për komunitetet”, shprehet një tjetër.
Megjithatë, të dyja gratë shohin një rezultat pozitiv të protestave.
“Kupola e propagandës po çahet. Për herë të parë, media të mëdha ndërkombëtare po e përballin drejtpërdrejt Ramën me këto çështje. Narrativa që ai ka ndërtuar po fillon të kthehet kundër tij”, shprehen ato.
I pyetur më 4 qershor nga CNN, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë shqetësimet e protestuesve për ndikimin që projekti i Kushnerit mund të ketë mbi peizazhin dhe biodiversitetin. Ai i cilësoi gjithashtu si “fake news” akuzat për mungesë transparence në dhënien e lejes së ndërtimit.
Për t’iu përgjigjur kritikave, Rama përmendi emrat e pesë arkitektëve të njohur ndërkombëtarisht të angazhuar në projekt, duke sugjeruar se prania e tyre ishte në vetvete një garanci për cilësinë e tij.
Por sipas informacioneve të siguruara nga Le Monde, dy prej tyre, Jean Nouvel dhe Bjarke Ingels, kishin punuar vetëm për projektin në Zvërnec dhe jo për ishullin e Sazanit. Për më tepër, që të dy ishin larguar nga projekti në atë kohë. Tre arkitektët e tjerë të përmendur – Kengo Kuma, K-Studio dhe Emre Arolat – nuk iu përgjigjën kërkesave të Le Monde për koment. /Pamfleti le monde rama Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Çfarë fshihet pas dorëheqjes së Evis Salës? 2 Shtator 2026, 13:5113:51Dosja e zezë Agasi në qeli, “ustallesha” e Kadastrës në zyrë: Ku kanë “ngecur” hetimet për Lorena Goxhobellin? 1 Shtator 2026, 14:1514:15Dosja e zezë Efekti politik i foltoreve të Berishës në Nju Xhersi dhe Dallas; mbulimi i izolimit diplomatik 1 Shtator 2026, 12:3312:33Dosja e zezë “Ushtari“ i Gys Agasit me dosje në SPAK: Kush e mbron Eldi Hoxhën? 31 Gusht 2026, 14:5914:59Dosja e zezë Elisa, 'Skënderbeu' dhe 19.39 hektarë tokë shtetërore, me qira 2.4 lekë/m² për 90 vjet 31 Gusht 2026, 12:4112:41Dosja e zezë Piramida e re financiare në celular?/ JET Bank josh shqiptarët me 4.7%, mbledh paratë, fytyrat dhe të dhënat; kush fshihet pas bankës digjitale? 30 Gusht 2026, 15:4915:49Dosja e zezë

