Ish-ministri Besnik Mustafaj ka bërë me dije qëndrimin e tij në lidhje me protestat e të rinjve që po zhvillohen tashmë prej 5 ditësh në Shqipëri.
Duke cituar komentin e mjekes Anika Dokle, Mustafaj thekson se kryeministri nuk ka asnjë cilësi burrështetasi, por as përreth për shqiptarët nuk ka një të tillë.
Mustafaj deklaron se Rama nuk ka aftësinë për ta vlerësuar politikisht atë që po ndodh në rrugët e në sheshet e mbarë Shqipërisë. “Kam përcjellë shumë e shumë postime në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve gjatë këtyre ditëve të fundit. Por po veçoj vetëm njërin, i cili më duket më thelbësor, shkruar nga mjekja Anika Dokle.
Daljen nga kjo krizë, e cila edhe me kaq rrezikon të ketë pasoja fort të rënda për vendin, Doktoreshë Dokle e sheh vetëm përmes zgjidhjes politike.
Dhe, në mungesë të shenjave se kjo zgjidhje politike po vjen, ajo thërret: "A ka mbetë ndonjë burrështetas në këtë vend?" Pra, është një krizë, zgjidhja e të cilës kërkon vizionin, dashurinë për atdheun si dhe vendosmërinë, që vetëm burrat e shtetit e kanë.
Zgjidhja e vetme politike, e kërkuar në mënyrë të qartë, madje shpesh edhe ultimative nga studentët protestues është dorëheqja e Ramës dhe largimi i tij nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor për korrupsionin e rëndë dhe molepsjen e shtetit me krimin e organizuar.
Edi Rama iu përgjigj prerë e thatë kësaj thirrjeje: Nuk dorëhiqet. Ky është vendimi më i keq për Shqipërinë dhe për atë vetë, që Edi Rama ka marrë gjatë këtyre tridhjet vjetëve që është në politikë. Ndikimi i këtij vendimi u duk qysh mbrëmë në brutalizimin e mëtejshëm të policisë ndaj protestuesve.
Duke ardhë në pushtet në rrugë e me mjete parapolitike dhe duke qëndruar në pushtet kaq gjatë në po atë mënyrë, Edi Rama nuk ka aftësinë për ta vlerësuar politikisht atë që po ndodh në rrugët e në sheshet e mbarë Shqipërisë.
Kështu, e dashur Doktoreshë Dokle, ai vetë nuk ka asnjë cilësi prej burrështetasi. Por, fatkeqësisht për shqiptarët, as përreth nuk paska ndonjë të tillë”, shkruan Mustafaj. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

