Lajme Zone
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Rama me diasporën në Michigan: Së shpejti hapim konsullatën shqiptare! Dënimi për ish-krerët e UÇK? Krah Kosovës, por duhet të vendosin ata për zhbërjen e vendimit (VIDEO)


Sipas kryeministrit, marrëdhënia mes emigracionit shqiptar dhe vendit ka ndryshuar krahas transformimit ekonomik të Shqipërisë. Rama shtoi se diaspora nuk duhet të shihet thjesht si një burim remitancash. Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit janë edhe një lloj matësi i ndryshimit të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën e tij në SHBA, ku ndodhet në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, Rama solli në vëmendje një fakt simbolik nga Michigan-i, ku, siç tregoi ai, disa vite më parë ishte regjistruar për herë të parë një flamingo si vizitor. Duke e lidhur këtë edhe me debatin që flamingot kanë nxitur në Shqipëri në lidhje me mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin, Rama tha se kjo tregon një ndryshim të vetë shoqërisë shqiptare. Sipas tij, shqiptarët nuk jetojnë më me logjikën e vjetër se “ka dhe më keq”, por gjithnjë e më shumë kërkojnë që gjërat të bëhen më mirë. LEXO EDHE:Skemë e re për piramidën e pagave/ Zbardhet letra e Ramës, ftesë magjistratëve për t’u ulur në tryezë më 28 shtator: Mekanizëm i ri dhe rishikim periodik “Shqiptarët sot jetojnë me idenë se tani ka dhe më mirë”, tha Rama, duke shtuar se kjo, sipas tij, është pjesë e “Shqipërisë së re”. Një pjesë të veçantë të fjalimit kryeministri ia kushtoi diasporës. Ai e përshkroi diasporën e deridjeshme si “një det të madh energjie”, por pa mekanizma të mjaftueshëm për të kanalizuar mundësitë dhe kontributet e saj. Sipas kryeministrit, marrëdhënia mes emigracionit shqiptar dhe vendit ka ndryshuar krahas transformimit ekonomik të Shqipërisë. “Tani ju në Shqipëri nuk dërgoni më para për bukë apo për ilaçe, për mbijetesë. 90 për qind e familjeve kanë përfituar këto 35 vjet së paku një herë nga diaspora shqiptare. Tani ne nuk jemi një vend mbijetese, por një vend shprese”, u shpreh ai. Rama shtoi ndër të tjera se diaspora nuk duhet të shihet thjesht si një burim remitancash. “Diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është një rrjet i madh njerëzish që mbajnë sytë nga atdheu”, tha kryeministri. Ai përmendi votën e diasporës në zgjedhjet e fundit dhe tha se tashmë po ndërtohet një strategji më e gjerë në kuadër të “Shqipërisë 2030”, me diasporën në qendër të saj. “Tani kemi një strategji më të gjerë të Shqipërisë 2030, e cila e ka në qendër të vëmendjes diasporën. Ne po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, që do të jetë një dritare unike për t’u lidhur me Shqipërinë”, deklaroi Rama. Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit janë edhe një lloj matësi i ndryshimit të Shqipërisë, pasi e shohin vendin me një distancë tjetër. “Ajo e shikon ndryshimin më mirë, më qartë, pasi ajo nuk jeton me kantierin, por me rezultatin”, tha Rama. Duke folur për përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama tha se ambasadorët më të mirë të vendit janë vetë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje. “Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë këtu janë shqiptarët që i ngrenë emrin Shqipërisë. Sot vizitova një biznes shqiptar në SHBA, ku dola në fotografi së paku me 40 bjonde amerikane. Nuk besoj se ka gjë më domethënëse për Shqipërinë se kjo”, tha Rama. Kryeministri bëri me dije se së shpejti hapet edhe konsullata shqiptare që do t'u shërbejë shqiptarëve në veri të SHBA-ve. “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsullatën shqiptare dhe besoj që është vendimi i duhur dhe i merituar”, shprehet Rama. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, në afërsi të hotelit ku mbahej takimi, një grup prej rreth 20 personash protestoi në distancë. Ata mbanin pankarta dhe hodhën thirrje mes të cilave “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”. Protesta u zhvillua pa incidente. Në vijim të fjalës së tij, Rama u ndal edhe te vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai tha se Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa theksoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të përcaktojnë mënyrën se si do të reagojnë ndaj vendimit. “Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, tha Rama. Kryeministri foli edhe për zhvillimin e transportit ajror, duke thënë se aeroporti i Tiranës ka ritmin më të lartë të rritjes në rajon dhe se ka lënë pas Beogradin për numrin e pasagjerëve. “Ne jemi vendi me aeroportin me rritjen më të madhe në rajon dhe njërin me më të lartët të pasagjerëve, duke lënë pas Beogradin që për një shekull ka qenë aeroporti më i madh i Ballkanit”, tha ai. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre. “Shqipëria është në fazën që ka hapur gjithë kapitujt dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre, që më 2030 të mbarojë kapitulli i hyrjes në BE”, tha kryeministri. Ai përmendi gjithashtu organizimin në Shqipëri të samitit të ardhshëm të NATO-s, duke e paraqitur këtë si një tregues të ndryshimit të rolit ndërkombëtar të vendit. “Shqipëria tani është një adresë ku bota troket për të diskutuar të ardhmen e saj”, tha Rama. Takimi pati edhe një moment simbolik në fund, kur fëmijët e shkollës shqipe në Michigan i dhuruan kryeministrit një punim të përgatitur posaçërisht për të. Në të shkruhej dedikimi “Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama”, i rrethuar nga emrat dhe firmat e fëmijëve. Disa prej tyre kishin veshur edhe kostume tradicionale shqiptare./TemA Share Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 08:16 Rama i jep lajmin e mirë diasporës në Michigan: Shumë shpejt hapet konsullata shqiptare (VIDEO) Shumë shpejt, në veri të SHBA-ve, në Michigan, do të hapet konsullata shqiptare. Lajmin e ka ndarë vetë kryeministri Rama gjatë takimit me diasporën shqiptare atje.“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsullatën shqiptare dhe besoj që është vendimi i duhur dhe i merituar”, shprehet Rama. P.J/Shqiptarja.com Share P.J/Shqiptarja.com TAG: edi rama SHBA Michigan diaspora Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Meta: 21/09/2026 09:21 Rama nburg Berisha nburg Përgjigju Qytetari: 21/09/2026 08:25 Natyrisht shume pozitive dhe keto takime jane shume pozitive per diasporen por edhe per Qeverine,qe ta konsideroje ate edhe si nje oportunitet shume te madh per ta perfshire ne poste ne egzekutiv.Fraza ku permend "Foton me 40 Bjonde" duhej evituar,sepse ka nuance Raciste ! Qytetari Përgjigju Sondazhi i ditës:

16 Shtator, 14:18

Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.6% Të gabuar 88.4% Nuk e di 5% Vota total: 6013 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?