Lajme Zone
Rama mbledh PS-në e Tiranës, “Besa” dhe “Pasqyra” për të mbuluar çarjet në kryeqytet
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Rama mbledh PS-në e Tiranës, “Besa” dhe “Pasqyra” për të mbuluar çarjet në kryeqytet

Takimi vjen një ditë pas mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat në një prej vilave qeveritare në Tiranë, ku Rama ka kërkuar zbatimin në terren të dokumentit “Besa” dhe “Pranisë Besnike”.

Edi Rama Kryesocialisti mbledh deputetët dhe të deleguarit e Tiranës për t’i nxjerrë në terren. Takimi vjen vetëm një ditë pasi Erion Veliaj i hoqi kompetencat Anuela Ristanit. Edi Rama mbledh sot në orën 11:00 të deleguarit politikë dhe deputetët socialistë të Tiranës, duke e zhvendosur në kryeqytet operacionin e ri politik me të cilin kërkon të rikthejë strukturat e PS-së në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Takimi vjen një ditë pas mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat në një prej vilave qeveritare në Tiranë, ku Rama ka kërkuar zbatimin në terren të dokumentit “Besa” dhe “Pranisë Besnike”.

Formula parashikon që drejtuesit politikë, deputetët, kryetarët e bashkive dhe strukturat socialiste të zbresin në zonat e tyre, të zhvillojnë takime me qytetarët dhe të mbledhin problemet që nga ankesat individuale deri te rrugët, mbetjet dhe investimet.

Problematikat më pas do të përcillen te ministritë, ndërsa një zëvendësministri do t'i ngarkohet detyra të ndjekë rrugën institucionale të ankesës deri në zgjidhjen ose marrjen e një përgjigjeje.

Por pikërisht këtu nisin pikëpyetjet mbi “shpikjen” e re të Ramës. Pas më shumë se një dekade në pushtet, kryeministri po u kërkon strukturave të partisë të identifikojnë problemet që në një administratë funksionale duhet të evidentoheshin dhe trajtoheshin nga vetë institucionet.

Kjo bëhet edhe më e dukshme me “Pasqyrë Albania”, platformën e prezantuar së fundmi në Pogradec dhe që ishte sërish pjesë e diskutimeve në mbledhjen e djeshme.

“Pasqyra” është në fakt një modernizim i platformës ekzistuese të Bashkëqeverisjes. Ajo pritet të funksionojë përmes “Flamingo Mirror”, ku do të mbërrijnë sinjalizimet e qytetarëve, dhe “Radar”, që do të gjurmojë trajtimin e tyre. Parashikimi është që shqetësimet të gjurmohen brenda 48 orëve dhe të marrin përgjigje brenda një afati deri në dy javë.

Rama, pra, po rikthehet te një formulë që e ka përdorur disa herë gjatë qeverisjes së tij. Në vitin 2015 prezantoi “Stop Korrupsionit”, një portal që bashkonte 22 faqe denoncimesh të ministrive dhe premtonte përgjigje për ankesat brenda 30 ditëve. Në vitin 2017 erdhi platforma “Shqipëria që duam”, e ndërtuar si një instrument bashkëqeverisjeje dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët. Në gusht 2025 u prezantua një tjetër platformë për denoncimin e shkeljeve në hapësirat publike.

Tani, në mandatin e katërt, emri është “Pasqyrë Albania”, ndërsa problemi që Rama premton të zgjidhë mbetet në thelb i njëjti: qytetari përballë një administrate që nuk i përgjigjet.

Këtë herë, megjithatë, platformës dixhitale po i bashkëngjitet edhe mobilizimi politik. “Besa” dhe “Prania Besnike” synojnë ta nxjerrin PS-në nga zyrat dhe ta çojnë në territor, duke ua ngarkuar deputetëve dhe drejtuesve politikë rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Lëvizja vjen gjithashtu në një moment kur pakënaqësia nuk po shprehet vetëm përmes formularëve apo portaleve. Prej muajsh vendi është përballur me protesta kundër qeverisë dhe establishmentit politik, ndërsa afrimi i ri i Ramës me qytetarin përmes platformave dhe strukturave partiake përkon pikërisht me këtë presion nga rruga.

Dhe sot radha i vjen Tiranës.

Kryeqyteti nuk është vetëm qarku me peshën më të madhe elektorale për socialistët, por edhe territori ku PS po përballet me një situatë të pazakontë në institucionin më të rëndësishëm vendor.

Takimi i Ramës me drejtuesit socialistë të Tiranës zhvillohet vetëm një ditë pasi Erion Veliaj, nga paraburgimi, tërhoqi delegimin e kompetencave për nënkryetaren Anuela Ristani, me pretendimin se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij.

Lëvizja e Veliajt ka rikthyer edhe një herë problemin e funksionimit dhe zinxhirit të vendimmarrjes në Bashkinë e Tiranës, ndërsa kryebashkiaku vijon të qëndrojë në qeli. Po ashtu ka shumë pakënaqësi në bazë. Në shumë degë ka përplasje dhe mosmarrëveshje dhe kjo vjen në një kohë kur në prill apo në maj do të kemi zgjedhjet vendore.

Pra me zgjedhjet vendore të vitit 2027 në horizont, Rama po përpiqet të rindërtojë praninë në territor, por edhe për të normalizuar situatën brenda partisë. Lëvizja e Veliajt ishte një goditje shumë e fortë. Kryebashkiaku tregoi se ka ende shumë pushtet dhe mund t’i hapë shumë punë Bablokut. /Pamfletirama ps Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Kush po luan kundër Malit të Zi? Përplasje mes mediave në Podgoricë, bie teza shqiptare 29 Gusht 2026, 07:4407:44Politike Ndryshimet në qeveri, kush janë ministrat që pritet të largojë Rama? 28 Gusht 2026, 22:2822:28Politike Kush po e kërcënon Shqipërinë me bomba: krimi i organizuar apo terrorizmi? 28 Gusht 2026, 21:1521:15Politike Takimi me ministrat, Rama 'arnon' strategjinë e PS: Ndryshime ligjore për Pasqyrë Albania! 28 Gusht 2026, 20:5120:51Politike Përfn mbledhja e PS, Rama vë në rresht ministrat dhe drejtuesit socialistë, zbardhen urdhrat! 28 Gusht 2026, 19:3919:39Politike Erion Veliaj 'trazon' PS, shkarkon nga qelia Anuela Ristanin! 28 Gusht 2026, 18:0318:03Politike