Shoqatat e transportit paralajmërojnë reduktim të flotës urbane, nëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk marrin një përgjigje për kompensimin e karburantit. Qeveria ka miratuar kompensimin me 50 lekë për litër karburant, por sipas operatorëve, pavarësisht plotësimit të dokumentacionit, fondet ende nuk janë disbursuar. Përballë kësaj situate, Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar Ministrisë të Financave, të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar informacion mbi arsyet e vonesës si dhe përcaktimin e një afati konkret për pagesat. Vonesa e pagesave për tre muaj ka rënduar financat e kompanive, ndërsa çmimi i karburantit mbetet shumë i lartë, duke kaluar vlerën e 200 lekëve për litër. Për shkak të konsumit të lartë ditor të flotave, çdo diferencë e konsiderueshme në çmimin për litër reflektohet drejtpërdrejt në kostot mujore të operatorëve. Përveç pagesës së kompensimit për tre muajt e kaluar, shoqatat e transportit kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë çmimet e karburantit mbeten në nivele të larta.Lexo edhe:Nga 3 shtatori, Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili Në kushtet kur operatorët janë duke u përballur me mungesë të vazhdueshme likuiditeti dhe rritje të kostove operative ata kërkojnë: -Marrjen e masave të menjëhershme për disbursimin e plotë të kompensimit që u takon operatorëve për muajt mars, prill dhe maj 2026. - Informimin zyrtar të operatorëve dhe shoqatave mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i kompensimit dhe afatin konkret të parashikuar për realizimin e pagesave. -Vlerësimin dhe miratimin e vijimit të skemës së kompensimit edhe për periudhën pas muajit maj 2026, për sa kohë vijojnë të ekzistojnë kushtet ekonomike të vështira dhe çmimet e larta të karburanteve–Si dhe zhvillimin e një komunikimi të menjëhershëm ndërinstitucional për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që garanton vazhdimësinë normale të shërbimit të transportit publik. Sipas operatorëve të përfshirë në transportin publik, reduktimi i numrit të mjeteve urbane në qarkullim do të ndikonte në frekuencën e autobusëve dhe kapacitetin e transportit publik, duke prekur drejtpërdrejt qytetarët, ndaj kërkojnë ndërhyrje urgjente për disbursimin e kompensimit të miratuar dhe një vendim për vijimin e mbështetjes financiare. Shkarko dokumentin

