Lajme Zone
Rama nis nga Kuçi konsultimet për hartën e re, mbledh kryebashkiakët e bashkive që shkrihen me Reformën Territoriale
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Rama nis nga Kuçi konsultimet për hartën e re, mbledh kryebashkiakët e bashkive që shkrihen me Reformën Territoriale

Kryeministri Edi Rama ka nisur sot takimet konsultative për propozimin e Reformës Administrative.

Kryeministri Edi Rama ka nisur sot takimet konsultative për propozimin e Reformës Administrative. Në takimin e sotëm marrin pjesë disa kryebashkiakë, ndërsa Rama shoqërohet nga bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku. Po ashtu të pranishëm në takim janë ministri Ervin Demo dhe kryebashkiakët e bashkive që do të shkrihen.

Sipas burimeve qeveritare, takimi zhvillohet në fshatin Kuç, bashkia Himarë.

Propozimi për reformën e re administrative ndodhet prej tre muajsh në fazën e konsultimit, ndërsa procesi ka shoqëruar edhe me pakënaqësi nga disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen në kuadër të ndryshimeve të propozuara.

Që prej dërgimit nga ana e Kuvendit të draftit për hartën e re territoriale në të gjitha bashkitë e vendit, në njësitë të cilat parashikohet të shkrihen, janë zhvilluar protesta nga qytetarët, por edhe kundërshtime nga këshillat bashkiakë.

Në Poliçan, mbështetësit e Partisë Socialiste reaguan publikisht ku dogjën edhe teserat e PS-së, ndërkohë që kreu lokal i kësaj partie dha dorëheqjen.

Kjo solli edhe reagimin e kryeministrit Rama.

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS-së” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”. Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS-së në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë, apo ndonjë rast kur deputetë tanë kanë bërë “tribunin e vegjëlisë”, pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale, po edhe e mirëseardhur”, deklaroi Rama pak ditë më parë. Top Channel