Lajme Zone
Skifterët, izolacionistët dhe biznesmenët: Brenda fraksioneve që garojnë për të diktuar politikën e jashtme të SHBA-së
PolitikëPamfleti

Skifterët, izolacionistët dhe biznesmenët: Brenda fraksioneve që garojnë për të diktuar politikën e jashtme të SHBA-së

Në pamje të parë, politika e jashtme e Donald Trump duket si një zbatim i drejtpërdrejtë i parimit “America First” (Amerika e Para). Por pas kësaj fasade fshihet një përplasje e fortë mes disa rrymave që kanë vizione krejt të ndryshme për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin fuqinë e tyre në botë.

Pas fasadës së “America First” fshihet një përplasje e ashpër mes 4 rrymave brenda administratës së Donald Trump: izolacionistëve të J.D.Vance, strategëve anti-Kinë, skifterëve globalistë dhe pragmatistëve të biznesit të Jared Kushnerit. Kjo luftë e brendshme ndihmon të shpjegohen ndryshimet e shpeshta dhe paparashikueshmëria e politikës së jashtme amerikane... Në pamje të parë, politika e jashtme e Donald Trump duket si një zbatim i drejtpërdrejtë i parimit “America First” (Amerika e Para). Por pas kësaj fasade fshihet një përplasje e fortë mes disa rrymave që kanë vizione krejt të ndryshme për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin fuqinë e tyre në botë.

Analistët e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) i ndajnë këto grupe në katër kategori kryesore: izolacionistët, të njohur si “Restrainers”; strategët që kërkojnë përqendrimin e burimeve te Indo-Paqësori dhe Kina, “Prioritizers”; skifterët globalistë, “Primacists”; dhe pragmatistët e lidhur me biznesin, të njohur si “Developers”.

Këto kategori janë të gjera dhe në disa raste artificiale, por ndarja tregon një realitet të rëndësishëm: brenda administratës Trump, bashkëjetojnë vizione të kundërta për rolin e Amerikës në botë.

Izolacionistët e J.D.Vance

Rryma e parë përfaqëson krahun populist dhe izolacionist të lëvizjes MAGA. Në qendër të saj qëndrojnë zëvendëspresidenti dhe aleati i tij mediatik Tucker Carlson, ndërsa në këtë kamp kanë bërë pjesë edhe figura si Marjorie Taylor Greene dhe një grup mbështetësish të fortë të Trumpit në Kongres.

Ideja e tyre kryesore është se Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga “luftërat pa fund” dhe duhet të përqendrohen te problemet e brendshme. Kjo nënkupton ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën, përfundimin ose ngrirjen e konflikteve të huaja dhe një tërheqje nga roli tradicional i Amerikës si garantuese e sigurisë globale.

Po ashtu, izolacionistët kërkojnë që aleatët evropianë të NATO-s të paguajnë vetë për sigurinë e tyre dhe që kursimet të përdoren për forcimin e kufirit jugor të SHBA-së. Në planin afatgjatë, vizioni i tyre është edhe më radikal: dobësimi i arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe zëvendësimi i saj me proteksionizëm ekonomik dhe tarifa të larta.

Në këtë kuptim, synimi është një Amerikë më e mbyllur ndaj angazhimeve ndërkombëtare, një lloj “fortese” ekonomike që preferon të ushtrojë presion përmes tarifave dhe jo përmes ndërhyrjeve ushtarake. Ky kamp ka gjetur aleatë edhe në Evropë, veçanërisht te ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán, si dhe mbështetje nga miliarderë të teknologjisë, përfshirë Elon Musk.

Por lufta në Lindjen e Mesme ka ekspozuar përçarjet brenda këtij grupi. Carlson është distancuar publikisht nga Trump për shkak të sulmeve ndaj Iranit, ndërsa Vance është përpjekur të ruajë një ekuilibër të vështirë mes besnikërisë ndaj presidentit dhe ambicieve të tij politike.

Për momentin, Trump i ka lënë izolacionistët në plan të dytë, duke treguar se, kur e sheh të nevojshme, preferon të mbështetet te përdorimi i forcës.

Strategët që duan ta përqendrojnë Amerikën tek rivaliteti me Kinën

Grupi i dytë është më pak izolacionist, por po aq kritik ndaj shpërndarjes së burimeve amerikane në shumë fronte. Në krye të tij qëndron Elbridge Colby, zëvendëssekretar i Mbrojtjes për politikën, i mbështetur nga senatori Josh Haëley.

Këta strategë argumentojnë se SHBA-ja nuk mund të përballojë njëkohësisht konflikte dhe angazhime në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi. Sipas tyre, kërcënimi kryesor strategjik është Kina dhe burimet amerikane duhet të zhvendosen drejt Indo-Paqësorit.

Në praktikë, kjo do të thotë reduktim të angazhimit amerikan në Ukrainë dhe Evropë dhe përqendrim të aeroplanmbajtëseve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe teknologjive të avancuara në rajonin e Tajvanit. Por vizioni i tyre shkon edhe më tej.

Ata kërkojnë një shkëputje të thellë ekonomike dhe teknologjike nga Kina, duke kufizuar investimet amerikane atje dhe transferimin e teknologjive të avancuara. Për këtë rrymë, edhe Bashkimi Evropian shihet gjithnjë e më shumë si një aktor që duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për sigurinë e vet.

Kjo mund të krijojë një problem të madh për unitetin transatlantik, pasi Evropa do të detyrohej të ndërtonte një autonomi strategjike shumë më të madhe. Kjo rrymë mbështetet fuqishëm nga krahu konservator i Silicon Valley-t, veçanërisht nga investitorë si Peter Thiel dhe Palmer Luckey.

Interesi i tyre lidhet edhe me zhvillimin e inteligjencës artificiale, satelitëve, dronëve dhe sistemeve autonome ushtarake. Megjithatë, strategët anti-Kinë përballen me një problem: Trump joshet shpesh nga krizat e menjëhershme dhe nga mundësia për të shfaqur forcën e SHBA-së, ndërsa strategjia e tyre kërkon planifikim afatgjatë dhe përqendrim të qëndrueshëm te konkurrenca me Pekinin.

Skifterët globalistë

Rryma e tretë përfaqëson krahun tradicional të politikës republikane: skifterët që besojnë se Amerika duhet të ruajë epërsinë e saj ushtarake dhe praninë globale. Në këtë grup bëjnë pjesë sekretari i Shtetit Marco Rubio, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz dhe figura të tjera të establishmentit republikan.

Ata mbështeten te parimi “paqja përmes forcës”, dhe besojnë se tërheqja amerikane nga Evropa ose Lindja e Mesme do të interpretohej si dobësi nga kundërshtarët e SHBA-së. Sipas tyre, nëse Uashingtoni tërhiqet nga Evropa, Kina mund ta shohë këtë si një sinjal se edhe Tajvani mund të vihet nën presion.

Prandaj, skifterët kërkojnë ruajtjen e epërsisë amerikane në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, ndërsa njëkohësisht kërkojnë që aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Kjo rrymë ka qenë ndër mbështetëset kryesore të politikës së ashpër ndaj Iranit dhe të ndërhyrjeve ushtarake.

Ajo bashkëpunon ngushtë me qeverinë e Benjamin Netanyahut në Izrael dhe me regjime të krahut të djathtë në Amerikën Latine. Megjithatë, pozita e tyre nuk është e sigurt. Trump i mbështet për aq kohë sa ndërhyrjet ushtarake prodhojnë fitore të shpejta dhe politike.

Nëse konfliktet zgjaten dhe fillojnë të dëmtojnë mbështetjen e tij në SHBA, presidenti mund të rikthehet te retorika izolacioniste. Vdekja e senatorit Lindsey Graham në korrik, ka krijuar gjithashtu një boshllëk të rëndësishëm për këtë kamp.

Graham ishte një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës, NATO-s dhe politikës së presionit ndaj Iranit. Ai kishte një aftësi të veçantë për t’ia shpjeguar Trumpit çështjet gjeopolitike përmes gjuhës së marrëveshjeve dhe interesave konkrete.

“Developer diplomacy” e Jared Kushner

Rryma e katërt është ndoshta më e veçanta. Ajo përfaqësohet nga pragmatistët e biznesit, të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, dhe partneri i tij Steve Witkoff. Emërimi zyrtar i Kushnerit në shkurt si i dërguar special për paqen, formalizoi një rrjet që deri atëherë kishte funksionuar kryesisht në mënyrë informale.

Kjo rrymë e sheh politikën e jashtme përmes marrëveshjeve ekonomike dhe investimeve. Mbështetja e saj kryesore vjen nga fondet sovrane të Gjirit, veçanërisht Arabia Saudite, por edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Kushner dhe Witkoff janë përfshirë në negociatat indirekte me Iranin dhe në projektet për rindërtimin e Gazës.

Sipas këtij vizioni, stabiliteti ndërkombëtar nuk do të garantohej vetëm nga prania ushtarake amerikane, por edhe nga ndërthurja e interesave ekonomike të regjimeve autoritare dhe investitorëve perëndimorë. Por pikërisht këtu qëndrojnë edhe akuzat më të mëdha për konflikt interesi.

Deri në mesin e këtij viti, asetet e menaxhuara nga kompania e Kushnerit, Affinity Partners, i kishin kaluar 6 miliardë dollarë, një pjesë e konsiderueshme e lidhur me qeveri të huaja me të cilat ai zhvillonte njëkohësisht negociata zyrtare në emër të Shtëpisë së Bardhë.

Kritikët e akuzojnë ekipin Kushner-Witkoff se po përzien interesat private me politikën e jashtme amerikane. Për më tepër, mungesa e përvojës së thellë diplomatike, është bërë veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet me Moskën, ku marrëveshjet e biznesit nuk kanë qenë të mjaftueshme përballë ambicieve të Kremlinit.

Beteja për kontrollin e politikës së jashtme

Përplasja midis këtyre fraksioneve nuk është më thjesht një debat teorik. Katër grupet po ndërtojnë baza të pavarura pushteti për të mos u varur plotësisht nga ndryshimet e humorit të Trumpit.

Skifterët e Rubio-s kanë mbështetjen e establishmentit tradicional republikan, industrisë së mbrojtjes dhe lobimeve të fuqishme. Strategët e Colby-t mbështeten te industria e teknologjisë së mbrojtjes dhe miliarderët e Silicon Valley-t. Izolacionistët e Vance-it kanë në krah rrjetet mediatike të krahut populist, ndërsa Kushner mbështetet te kapitali i madh i fondeve sovrane të vendeve të Gjirit Persik.

Kjo betejë do të ketë pasoja edhe për politikën amerikane të brendshme. Marco Rubio mbetet një figurë më e pranueshme për konservatorët e moderuar dhe votuesit e pavarur. Ndërkohë Vance, megjithëse shihet si një pasardhës i mundshëm i Trumpit, mbetet shumë polarizues.

Colby është ende pak i njohur për publikun e gjerë, ndërsa Kushner përballet me nivele të ulëta besimi për shkak të akuzave për nepotizëm dhe përzierje të interesave private me detyrën publike.

Pra politika e jashtme e Trumpit nuk drejtohet nga një doktrinë e vetme. Ajo është produkt i një gare mes katër vizionesh: një Amerike që tërhiqet nga bota, një Amerikë që përqendrohet te Kina, një Amerikë që ruan dominimin global dhe një Amerikë që përpiqet t’i kthejë krizat gjeopolitike në marrëveshje biznesi.

Dhe mbi të gjitha qëndron Trumpi, i cili vazhdon të lëvizë mes këtyre kampeve sipas asaj që i shërben më mirë interesit të tij politik. Pikërisht kjo e bën politikën e jashtme amerikane një proces kaq shumë të paparashikueshëm./Pamfleti nga “The Insider”skifterët izolacionistët biznesmenët politika e jashtme amerikane Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota 4 faktorët pse Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se kontinentet e tjera sipas shkencëtarëve 12 Gusht 2026, 12:5712:57Rajoni dhe Bota Tërmeti godet Kolumbinë, BE jep 2 milionë euro ndihmë për zonat e prekura 12 Gusht 2026, 12:0812:08Rajoni dhe Bota Putin kërcënon Perëndimin: Nëse sekuestroni anijet ruse, do të përgjigjemi njësoj! 12 Gusht 2026, 11:4511:45Rajoni dhe Bota Dhuratë apo pazar i madh? Putini liron ish marinsin amerikan pa asgjë në këmbim 12 Gusht 2026, 10:2810:28Rajoni dhe Bota Krimea, Serbia dhe municionet; si Zelensky po e përdor Kosovën si një aset diplomatik 12 Gusht 2026, 09:4609:46Rajoni dhe Bota Sot eklipsi total i Diellit në Europë, vendet ku mund të shihet spektakli astronomik 12 Gusht 2026, 09:3509:35Rajoni dhe Bota