Ish-deputeti Azgan Haklaj ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se mes tyre ekziston një marrëveshje politike për të marrë kontrollin e protestave studentore. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Haklaj deklaroi se dy drejtuesit politikë po përpiqen ta përdorin revoltën e të rinjve për interesat e tyre, ndërsa u bëri thirrje studentëve të mos lejojnë përfshirjen e partive politike në organizimin e protestave. Sipas ish-deputetit, Rama dhe Berisha kanë bashkëpunuar prej vitesh për të ruajtur pushtetin dhe interesat ekonomike, ndërsa akuzoi opozitën se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete kundër qeverisë. Haklaj përdori shprehjen “paradite aksion, pasdite koncesion”, duke pretenduar se përplasjet politike mes dy palëve janë vetëm në dukje. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit ndaj protestuesve, duke e cilësuar hipokrizi vendosjen e karrigeve për dialog përpara Kryeministrisë, ndërkohë që qeveria ka vendosur të shpërblejë financiarisht efektivët e policisë. Haklaj ngriti akuza edhe për përfshirjen e personave të infiltruar në aktet e dhunës gjatë protestave, duke pretenduar se ata janë të lidhur me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Sipas tij, studentët nuk janë përgjegjës për këto veprime dhe protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar. Ish-deputeti kërkoi dorëheqjen e pakushtëzuar të Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe hartimin e një kodi të ri zgjedhor. Ai theksoi se protestat duhet të vijojnë të pavarura nga partitë politike, ndërsa u bëri thirrje studentëve të mos lejojnë që lëvizja e tyre të përvetësohet nga Sali Berisha.
Azgan Haklaj: Media juaj ka qenë përçuese e së vërtetës së protestës studentore. Bëhen thuajse pesë muaj nga nisja e protestave. Shohim një hipokrizi të kryeministrit Edi Rama. Nga njëra anë vendos karriget për dialog dhe nga ana tjetër shpërblen policët me 2500 euro për të rrahur protestuesit. Ka një marrëveshje të qartë të Berishës me Ramën. Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën me mbështetjen e Ramës, që zgjidhja të jetë mes atyre të dyve. Zgjidhja është vetëm dorëzimi pa kushte i Edi Ramës dhe një qeveri teknike me një kod të ri zgjedhor. Ku ishte opozita? Çfarë aksioni ka bërë? Ka bërë aksion të maskuar: paradite aksion, pasdite koncesion.
Aleanca e kullave është bashkë. Rama dhe Berisha janë bashkë. Ata janë bashkë. Janë autorët e konstruktimit të republikës së korrupsionit. Dyshja Rama-Berisha, binomi Rama-Berisha, në vijimësi kanë bashkëpunuar. Kanë burgosur votën e lirë dhe sot duhet të çburgoset vota e lirë, gur themeli i institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Marrëveshja e palëve ka qenë kundër SPAK-ut, i cili është investim i ndërkombëtarëve. E votuan me imponim 140 deputetët SPAK-un dhe kanë bërë marrëveshje për ta goditur atë. Nuk pranuan heqjen e imunitetit të Ballukut. Është e gjithë qeveria nën akuzë. Kryetarë bashkish nën akuzë. Janë 31 deputetë pa certifikatë sigurie në Parlament. Kjo është e rëndë. Nuk kanë reshtur duke na prekur në sedër me patriotizëm. Patriotizmi nuk është ndaj qeverisë, por ndaj atdheut. Kemi parë Berishën duke thënë që do ta rrëzojë Ramën me çdo kusht. Ndjekim vetëm dy momente: selinë e PS-së dhe selinë e PD-së.
Bëjmë një krahasim me goditjen e selisë së PD-së në vitin 2022. Çfarë masash mori Rama? Tha se e kanë me njëri-tjetrin. Tri orë luftë atje për ta marrë me dhunë dhe, pasi nuk e mori me dhunë, ia dha vulën Sali Berishës. Prandaj rrihen studentët, se nuk ka opozitë morale. Se po të kishte, nuk do të guxonin të ngrinin dorë mbi studentët. Ndaj studentët kanë protestuar ndaj të dyja partive, këtyre që kanë mbajtur pushtetin për kaq dekada. Unë jam në mbështetje të protestës dhe kam marrë pjesë. Jam kundër akteve të dhunës, por nuk e bëjnë studentët atë. Janë njerëz të infiltruar nga PS-ja dhe PD-ja për të ushtruar dhunë. Shikoni goditjet: djegin katin e parë dhe kthehen e djegin katin e dytë apo të tretë të një ndërtese. Pastaj shkojnë te ministritë me radhë. Janë grupe të ndryshme. Shkuan te Bashkia e Tiranës, e gjetën derën hapur. Janë zinxhirët të trashë, nuk hiqen aq kollaj. Qëllimi i tyre është prishja e identitetit kriminal disavjeçar, amnistimi dhe shkuarja në një marrëveshje Rama-Berisha.
Ky binom ka rënë dhe u bëj thirrje studentëve: Përjashtojeni Sali Berishën nga protesta, sepse po përpiqet ta marrë peng protestën me ndihmën e Ramës. Protesta është thirrur nga studentët dhe diaspora. Siç kanë dhënë kontribut, do të japin kontribut sërish. PD-ja e Sali Berishës bëri një protestë me 100 veta para Parlamentit. Duke parë se nuk kanë njerëz, u futën te protestat e studentëve, që janë të pastra. Larg politika nga protestat! Nuk kanë nevojë për duar politike ato. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
