Lajme Zone
Parisi, Beogradi, Tirana: A është e njëjta luftë?
PolitikëPamfleti

Parisi, Beogradi, Tirana: A është e njëjta luftë?

Më 21 shtator, studentë, prindër dhe mësues protestuan para gjimnazit Saint-Exupéry në Créteil të Francës, duke kërkuar më shumë burime për personelin arsimor dhe kushte më të mira studimi. Brenda pak javësh, protestat u përhapën dhe tronditën një pjesë të madhe të vendit.

Nga Tirana në Paris, revolta e të rinjve po përhapet në vende të ndryshme të Evropës. Çfarë i dallon dhe çfarë i bashkon lëvizjet studentore që po tronditin kontinentin dhe po vënë në vështirësi pushtetet politike? Pas kërkesave të ndryshme qëndrojnë pyetje të përbashkëta për arsimin, të ardhmen dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi shoqëritë ku jetojnë... Më 21 shtator, studentë, prindër dhe mësues protestuan para gjimnazit Saint-Exupéry në Créteil të Francës, duke kërkuar më shumë burime për personelin arsimor dhe kushte më të mira studimi. Brenda pak javësh, protestat u përhapën dhe tronditën një pjesë të madhe të vendit.

Madje, u përdor edhe gaz lotsjellës. “Ne duam vetëm të marrim diplomën e maturës, ndërsa ata na dërgojnë BAC-un (brigadën antikriminalitet të policisë franceze)!”, thuhet në një prej sloganeve që përmbledhin hendekun mes premtimeve të sistemit arsimor dhe përparësive të qeverisë.

Shteti francez di si ta bëjë të ndjeshme praninë e vet. Por çfarë lloj force po ushtron? Në Beograd, protestat kanë një shkak tjetër. Më 1 nëntor 2024, u shemb streha e hyrjes së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.

Përveç kërkesës për më shumë përgjegjësi publike, studentët kërkojnë që autoritetet të japin llogari për punimet e rikonstruksionit. Pothuajse dy vjet më vonë, lëvizja studentore do të sfidojë elitën në pushtet të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç edhe në kutitë e votimit,

Një listë e mbështetur nga studentët, do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të dielës.

Në Tiranë, protestat dallohen lehtësisht nga flamingot rozë. Që prej fundit të majit, ato janë bërë simbol i kundërshtimit ndaj projekteve të turizmit luksoz në bregdetin shqiptar, të propozuara nga Jared Kushneri, dhëndri i Donald Trumpit.

Mbrojtja e peizazhit natyror është shndërruar në një protestë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Më pas në tetor, shpërthyen edhe protestat studentore, me kërkesa për universitete më të mira dhe kundërshtime ndaj kostos së studimeve. Një vend i hapur ndaj investitorëve të huaj, është shndërruar në një fushë beteje politike për vetë banorët e tij.

Kemi të bëjmë me tri lëvizje dhe tri histori të ndryshme. Por, kur i vëzhgojmë së bashku, kuptojmë më mirë përvojën e të rinjve që përgatiten të përballen me të ardhmen në shoqëri ku vendimet themelore merren pa pjesëmarrjen e tyre.

Shkollat kanë nevojë për më shumë burime, siguria e infrastrukturës publike vihet në pikëpyetje, ndërsa peizazhet natyrore shndërrohen në projekte ndërtimi. Pyetja lind vetvetiu: Kush vendos se si përdoren burimet publike dhe kush i paguan pasojat e këtyre vendimeve?

Edhe një çështje klasore

Megjithatë, termi “të rinjtë’ duhet përdorur me kujdes. Djali i një pronari të madh tokash dhe djali i një punëtori me punësim të pasigurt mund të kenë të njëjtën moshë, të shoqërohen me të njëjtët njerëz, madje edhe të protestojnë krah për krah, por e ardhmja që i pret është krejt e ndryshme.

Në Sarcelles, një studente e intervistuar ka treguar se babai i saj, ndihmësinfermier, punon nga mëngjesi deri në mbrëmje për të përballuar shpenzimet e studimeve të saj universitare. Tani, protestave po u bashkohen edhe nxënës të shkollave të mesme prestigjioze.

Ky zhvillim hap rrugën për solidaritet, por ende mungon një angazhim i qartë për të mbrojtur interesat e përbashkëta.

Qendra dhe periferia

Përtej dallimeve klasore, secili vend duhet parë edhe në kuadrin e hierarkisë ekonomike evropiane. Në Francë, një vend plotësisht kapitalist, kërkesat e të rinjve i drejtohen një shteti që disponon ende burime të konsiderueshme për politikat sociale.

Ndërsa në Serbi dhe Shqipëri, protestat zhvillohen në ekonomi më të varura nga investimet e huaja, ku mbetet e vështirë gjetja e një pune të përshtatshme me kualifikimet e fituara. Kjo varësi ndikon ndjeshëm në mundësitë e të rinjve për të ndërtuar një jetë të pavarur pas përfundimit të studimeve.

Për këtë arsye, emigracioni luan një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre. Arsimimi i marrë në vendin e origjinës mund t'i përgatisë për të punuar diku tjetër, ndërsa largimi i të rinjve e thellon mungesën e fuqisë punëtore në vendet prej nga emigrojnë.

Në këto kushte, beteja për arsim më të mirë ndërthuret me kërkesat për kushte ekonomike që t’u mundësojnë të rinjve të jetojnë dhe të punojnë në vendin e tyre. Edhe zhvillimet politike ndjekin rrugë të ndryshme.

Në Francë, në protesta marrin pjesë organizatat e nxënësve të shkollave të mesme, sindikatat dhe grupet e pavarura të koordinimit. Në Serbi, asambletë studentore po zhvillojnë një platformë të tyren politike, të pavarur nga partitë opozitare.

Në Shqipëri, kërkesat e studentëve ndërthuren me ato të lëvizjeve mjedisore dhe kundër korrupsionit. Këto rrugë përcaktohen edhe nga institucionet kombëtare, legjitimiteti i tyre dhe historia e betejave shoqërore.

T’i bashkosh të tria lëvizjet nën etiketën e një revolte brezash, do të thotë të shpërfillësh gjithçka që u jep mundësi të veprojnë dhe të organizohen. Nga ana tjetër, vërehen ngjashmëri në mënyrën se si qeveritë po reagojnë ndaj protestave.

Amnesty International denoncon përdorimin e tepruar të forcës ndaj të miturve në Francë.

Në Serbi, gazetarët kërcënohen dhe sulmohen teksa dokumentojnë protestat. Në Tiranë, përplasjet kanë shkaktuar të plagosur mes protestuesve dhe punonjësve të policisë, ndërsa janë dëmtuar ndërtesa publike dhe dyqane.

Bëhet fjalë për situata të ndryshme, ku përgjegjësitë ende duhet të përcaktohen. Megjithatë, duket se qasja e përqendruar te siguria po e zë gjithnjë e më shumë vendin e debatit mbi kërkesat themelore të protestuesve.

Përgjegjësitë e Evropës

Në korrik 2024, Brukseli nënshkroi me Beogradin një marrëveshje partneriteti për lëndët e para, bateritë dhe automjetet elektrike. Në Shqipëri, qeveria mbron investimet në turizëm në emër të zhvillimit. Për rrjedhojë, burimet e Ballkanit janë me interes të madh për aktorë të shumtë ekonomikë.

Ndërkohë banorët e Ballkanit, kërkojnë të drejtën për të vendosur se në çfarë kushtesh do të shfrytëzohen burimet kombëtare. Solidariteti ndërkombëtar do të merrte një kuptim konkret nëse do të arrinte të kundërshtonte interesat ekonomike që përcaktojnë këto marrëdhënie.

Gjatë protestave dhe asambleve publike zhvillohet edhe një proces konkret të mësuari: ndarja e detyrave, administrimi i buxhetit, organizimi i një mense, diskutimi mbi përgjegjësitë. Të gjitha këto veprimtari i japin përmbajtje praktikës së bashkëpunimit.

Në Serbi, asambletë studentore, të njohura si plenume, kanë arritur ta ruajnë këtë jetë kolektive. Studentët francezë po mësojnë të hartojnë buxhete për grevat dhe të organizojnë mensa solidariteti. Në këto hapësira, duke u kushtuar kohë të tjerëve, po lind një formë e re organizimi.

Forca e saj do të varet edhe nga vendi që do t’u rezervojë punëtorëve, familjeve dhe të gjithë atyre që punojnë aq shumë sa u mbetet pothuajse fare pak kohë e lirë. Kalimi drejt zgjedhjeve i bën këto tensione edhe më të dukshme.

Lista e studentëve serbë bashkon njerëz me bindje të ndryshme politike, mes të cilëve ka një numër të konsiderueshëm pedagogësh. Megjithatë, angazhimi i tyre i përbashkët kundër korrupsionit nuk i trajton disa nga çështjet më thelbësore: taksimin, pagat, pronësinë dhe të drejtat sindikale.

Nga ky grupim mund të lindë një koalicion paszgjedhor, i aftë të arrijë një marrëveshje për qeverinë e ardhshme, por që mund të mbetet i përçarë për mënyrën e shpërndarjes së pasurisë dhe për çështjet sociale. Prandaj, ruajtja e asambleve aktive, e sindikatave të pavarura dhe e lidhjeve me vendet e punës shndërrohet në një çështje pushteti.

Parisi, Beogradi, Tirana: E njëjta luftë?

Lufta e përbashkët duhet ende të ndërtohet. Për këtë nevojiten kundërshtarë të përcaktuar qartë dhe objektiva të diskutuara hapur, pa shmangie. Një betejë e tillë, duhet të përqendrohet te financimi i arsimit, kontrolli i investimeve dhe e drejta për të jetuar me dinjitet nga puna e vet.

Kështu, solidariteti ndërkombëtar do të merrte një përmbajtje shumë më konkrete sesa admirimi për protestuesit e guximshëm. Çfarë kuptimi do të kishte të duartrokisnim të rinjtë e Ballkanit në sheshe, nëse vendet e tyre do të vazhdonin të trajtoheshin thjesht si rezerva të fuqisë punëtore dhe toka që mund të shiten?/Pamfleti nga “Balcani Caucaso”parisi beogradi tirana Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Europa në revoltë, Shqipëria në mes të ciklonit/ Gen Z sfidon politikën e vjetër 23 Tetor 2026, 15:3515:35Politike Dashamir Shehi propozon qeveri të përkohshme pa Ramën: Të përfshihen edhe të rinjtë protestues 23 Tetor 2026, 14:5014:50Politike Studentët i refuzojnë dialogun, reagon sërish Rama: Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?! 23 Tetor 2026, 14:1914:19Politike Ministri Ervin Demo takon Giorgia Melonin, në fokus lufta kundër drogës 23 Tetor 2026, 12:3612:36Politike Intriga e drejtorëve, loja e Edi Ramës për të zbutur rebelimin në Partinë Socialiste 23 Tetor 2026, 12:3012:30Politike Procesi i Berlinit përballë realitetit ekonomik të Ballkanit 23 Tetor 2026, 12:0512:05Politike