“Janë orë të vështira”, deklaroi kryeministri Edi Rama nga godina e djegur e Kolegjit të Evropës, në reagimin e tij të parë pas protestës në Tiranë. Në vend që të ndalej te arsyet që i nxorën të rinjtë në rrugë dhe te pakënaqësitë që i kanë shtyrë të protestojnë, kreu i qeverisë zgjodhi të drejtojë gishtin nga opozita, duke e akuzuar për përpjekje për ta rikthyer Shqipërinë në të kaluarën. Rama u shpreh se djegia e godinës nuk është vepër e studentëve, ndërsa i ftoi këta të fundit për dialog. Megjithatë, mesazhi i tij politik u shoqërua me akuza dhe paralajmërime për ndëshkim.
“Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë”, deklaroi kryeministri, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore për autorët e akteve të dhunshme. Por, përtej retorikës së zakonshme kundër opozitës, mbetet për t'u parë se mbi çfarë provash mbështeten akuzat dhe si do të identifikohen përgjegjësit përmes hetimeve. Ndërsa Rama flet për orë të vështira dhe për duar që, sipas tij, duan ta tërheqin Shqipërinë prapa, pyetja që kërkon përgjigje është nëse qeveria do të dëgjojë edhe shqetësimet e të rinjve, apo do ta shndërrojë çdo protestë në një tjetër përballje politike me kundërshtarët e saj.
Kryeministri përsëriti se rruga drejt Bashkimit Evropian do të vazhdojë dhe se e ardhmja u përket studentëve. Por kjo e ardhme nuk ndërtohet vetëm me deklarata për integrimin evropian, ndërsa të rinjtë kërkojnë perspektivë, dinjitet dhe arsye për të mos u larguar nga vendi. Rama i ftoi studentët në dialog, por një dialog i vërtetë kërkon më shumë se ftesa publike dhe paralajmërime se dikush “do ta paguajë”. Nëse e ardhmja është e studentëve, siç thotë kryeministri, atëherë zëri i tyre duhet dëgjuar pa u mbuluar nga akuzat politike. Dhuna duhet të hetohet dhe përgjegjësit të përballen me ligjin, por edhe pakënaqësia qytetare meriton përgjigje konkrete, jo vetëm premtime për BE-në dhe paralajmërime nga foltorja.

