Me çelësa në duar, mijëra spanjollë dolën të shtunën në protesta kundër qirave të larta dhe dëbimeve nga banesat. Rreth 50 protesta u zhvilluan në vend, një ditë pasi parlamenti rrëzoi masat e qeverisë së Pedro Sanchezit për mbrojtjen e qiramarrësve. Zemërimi është shtuar nga rasti i Maricarmen Abascal, një 87-vjeçare që u nxor nga shtëpia pasi nuk përballonte dot qiranë e kërkuar. Por çfarë e ka shkaktuar krizën e strehimit dhe pse të pasurit një shtëpi po bëhet gjithnjë e më e vështirë në Spanjë? Sa kushton një banesë me qira në Spanjë? LEXO edhe...Kriza e strehimit në Spanjë/ Zjarrfikësit i bashkohen protestës për banesat në Madrid, turma i pret me duartrokitje Madridi dhe Barcelona janë dy tregjet më të shtrenjta të qirave në Spanjë. Sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista, çmimi mesatar mujor arrin në 22.70 euro për metër katror në Madrid dhe 23.80 euro në Barcelonë. Për një apartament prej 60 metrash katrorë, këto mesatare përkthehen në rreth 1,362 euro qira në Madrid dhe 1,428 euro në Barcelonë, pa faturat dhe shpenzimet e tjera. Qiratë u rritën me 8.5% në nivel kombëtar gjatë vitit 2025. Në Madrid, rritja ishte edhe më e madhe, 9.7%. Krahas çmimeve të larta, vendi përballet me mungesë banesash. Sipas Bankës së Spanjës, në treg mungojnë rreth 700 mijë banesa, ndërkohë që numri i banesave që shtohen në treg nuk po plotëson nevojat. Çelësat si simbol, paralajmwrohet grevë e përgjithshme Në protesta morën pjesë qiramarrës, studentë, punonjës dhe organizata për të drejtën e strehimit. Kërkesat përfshijnë uljen e qirave, mbrojtje më të fortë nga dëbimet dhe kufizime për fondet e investimeve që blejnë prona banimi. Në Madrid, protestuesit marshuan duke tundur tufat e çelësave, simbol i banesave që nuk përballojnë dot të blejnë apo të marrin me qira. Organizata e qiramarrësve tha se pjesëmarrja kaloi gjysmë milioni njerëz, ndërsa delegacioni i qeverisë raportoi rreth 70 mijë. “Ne kemi çelësat e gjithë qytetit, kemi çelësat e gjithë Madridit”, thërrisnin pjesëmarrësit. Në pankarta dhe thirrje kundërshtoheshin qiratë e larta, fondet e investimeve në prona dhe shtimi i apartamenteve turistike. Zëdhënësja e organizatës së qiramarrësve, Valeria Racu, tha se synimi është një grevë e përgjithshme në të gjithë vendin. “Nuk kthehemi pas”, deklaroi ajo. Në sheshin Puerta del Sol, protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në tenda prej ditësh. Protesta pati edhe përplasje. Në Valencia, pesë persona u arrestuan dhe nëntë policë u plagosën gjatë përleshjeve mes demonstruesve dhe forcave kundër trazirave. Në Madrid, policia përdori plumba gome për të larguar anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë Núcleo Nacional, të cilët tentuan të shkonin drejt Puerta del Sol. U mbyllën edhe stacionet përreth të metrosë. Kritikat iu drejtuan partive që rrëzuan dekretet, por edhe vetë qeverisë. “Faji është i pronarëve, përgjegjësia e qeverisë”, shkruhej në disa pankarta. Çfarë propozoi qeveria e Sanchez? Qeveria paraqiti dy dekrete emergjente me masa për kontratat e qirasë, dëbimet, apartamentet turistike dhe investimet në banesa. Propozimet përfshinin pezullimin deri më 31 dhjetor 2030 të dëbimeve të qiramarrësve në gjendje të vështirë dhe zgjatjen me dy vjet të disa kontratave. Një tjetër masë ishte rinovimi automatik i kontratave të qirasë, një nga kërkesat kryesore të organizatave të qiramarrësve. Paketat parashikonin masa kundër abuzimeve me kontratat sezonale dhe dhënien e dhomave me qira, si dhe TVSH prej 10% për apartamentet turistike. Për investitorët, qeveria propozoi kufizime ndaj blerjeve të cilësuara spekulative dhe ndryshime në taksimin e shoqërive të investimit në pasuri të paluajtshme. Synimi i shpallur ishte orientimi i investimeve drejt banesave me çmime të përballueshme. Masat përfshinin gjithashtu lehtësi tatimore për qiramarrës me të ardhura vjetore deri në rreth 33 mijë euro, financim me interes zero për blerjen e banesës së parë dhe TVSH të reduktuar në 4% për kategori të banesave publike dhe të mbrojtura. Pse masat nuk kaluan në parlament? Pedro Sanchez qeveris me Partinë Socialiste dhe aleancën e majtë Sumar, por koalicioni nuk ka shumicën parlamentare. Për të miratuar ligje, i duhen vota nga parti të tjera. Partia Popullore konservatore, Vox i së djathtës ekstreme dhe Junts, partia e qendrës së djathtë që mbështet pavarësinë e Katalonjës, kundërshtuan paketat. Dekreti i parë u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro. I dyti mori 184 vota kundër dhe 166 pro. Masat e miratuara nga qeveria nuk siguruan konfirmimin e nevojshëm parlamentar. Humbja e dy votimeve ka shtuar presionin ndaj Sanchez dhe diskutimet për zgjedhje të parakohshme, megjithëse një vendim i tillë nuk është shpallur. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë parashikuar për verën e vitit të ardhshëm. Çfarë ndodhi me 87-vjeçaren që u bë simbol i protestave? Maricarmen Abascal jetonte që prej vitit 1956 në një apartament në lagjen Retiro të Madridit. Kompania pronare, Urbagestión, i kërkoi ta rriste qiranë nga rreth 500 në 2,650 euro në muaj. Pensioni i saj ishte rreth 1,350 euro, pothuajse gjysma e shumës së kërkuar. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për dëbim, largimi u caktua për mëngjesin e 23 shtatorit. Banorë dhe aktivistë u mblodhën para ndërtesës për ta penguar, disa duke qëndruar aty që nga nata e mëparshme. Policia largoi me forcë persona që bllokonin hyrjen dhe përdori mjete për të hapur portën. Avokatja e Abascal deklaroi se të moshuarës nuk iu la koha e nevojshme për të mbledhur sendet personale. Gruaja 87-vjeçare u nxor nga banesa me barelë. Më 28 shtator, pesë ditë pas dëbimit, kompania dhe përfaqësuesit e saj arritën një marrëveshje pas mbi katër orësh negociata. Në bisedime morën pjesë avokatja, familjarët, organizata e qiramarrësve dhe ndërmarrja bashkiake e strehimit, që ndërmjetësoi marrëveshjen. Sipas saj, Abascal do të kthehet në shtëpinë e saj me një kontratë tetëvjeçare dhe qiraja nuk do të kalojë 30% të pensionit. Në momentin e njoftimit, ajo ndodhej në spital dhe marrëveshja priste miratimin e saj. Organizata e qiramarrësve njoftoi se mobilizimi do të vazhdonte edhe pas zgjidhjes së këtij rasti. Pse protestuesit kundërshtojnë fondet e investimeve? Fondet e investimeve blejnë prona për të siguruar të ardhura nga qiratë ose rishitja. Në Spanjë, disa prej tyre kanë blerë blloqe të tëra banimi, përfshirë apartamente që më parë ishin pronë publike dhe jepeshin me qira të mbrojtur. Një prej tyre, Fondi amerikan Blackstone është në tregun e banesave në Spanjë që prej vitit 2013, kur përmes shoqërisë Fidere bleu 1,860 banesa të mbrojtura nga Bashkia e Madridit. Apartamentet që jepeshin me qira nga ndërmarrja publike e strehimit kaluan në pronësi private, një shitje që bashkia më pas nisi ta kundërshtonte. Në mars të këtij viti, Blackstone njoftoi shitjen e portofolit të Fidere-s te Brookfield për 1.2 miliardë euro. Në atë moment, portofoli përfshinte rreth 5 mijë banesa në 47 ndërtesa të Madridit. Organizatat e qiramarrësve akuzojnë investitorët e mëdhenj se kontribuojnë në rritjen e çmimeve dhe se kërkesat për qira të reja mund t’i detyrojnë banorët të largohen. Për disa prej këtyre investitorëve përdoret emërtimi kritik “fonde grabitqare”. Ora 08:49 Kriza e strehimit në Spanjë/ Zjarrfikësit i bashkohen protestës për banesat në Madrid, turma i pret me duartrokitje Zjarrfikësit në Madrid i janë bashkuar protestës kundër qirave të larta dhe dëbimeve nga banesat. Videoja tregon momentin kur ata mbërrijnë mes demonstruesve dhe priten me duartrokitje.Protestuesit kërkojnë strehim të përballueshëm dhe mbrojtje për qiramarrësit. Mobilizimi është shtuar pas dëbimit të Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, nga apartamenti ku jetonte prej shtatë dekadash në Madrid, pasi nuk përballonte dot rritjen e qirasë. Share U.D/E.H/ReportTv.al spanje proteste strehimi Pedro Sánchez madrid Barcelonë Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.5% Jo 20.8% Nuk e di 7.7% Vota total: 649 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?
