Lajme Zone
Vijojnë sulmet e përsëritura ruse në pikat strategjike/ Rusia godet një tjetër urë në Kiev, plagosen dy persona
BotëTop Channel

Vijojnë sulmet e përsëritura ruse në pikat strategjike/ Rusia godet një tjetër urë në Kiev, plagosen dy persona

Një sulm rus ka goditur të shtunën një tjetër urë të rëndësishme në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar dëme në sipërfaqen e rrugës dhe në linjat e trolejbusëve. Sulmi ka sjellë gjithashtu ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit mbi Urën Pivnichnyi (Veriore).

Një sulm rus ka goditur të shtunën një tjetër urë të rëndësishme në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar dëme në sipërfaqen e rrugës dhe në linjat e trolejbusëve. Sulmi ka sjellë gjithashtu ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit mbi Urën Pivnichnyi (Veriore). Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, bëri të ditur se shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa trafiku nga bregu i majtë drejt atij të djathtë është bllokuar.

Sulmi ndaj Urës Pivnichnyi vjen vetëm pak ditë pasi Ura Pivdennyi (Jugore) u godit disa herë nga dronë rusë. Të dyja urat lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të Kievit përmes lumit Dniepër dhe kanë një rëndësi të madhe për lëvizjen e banorëve dhe transportin në kryeqytet.

Sulmet e përsëritura kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullimin rrugor, hekurudhor dhe të trolejbusëve, duke sjellë trafik të rënduar në disa zona të qytetit. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që dëmtimet e vazhdueshme mund të dobësojnë strukturën e urave dhe të çojnë në mbylljen e tyre.

Sipas ekspertëve, dronët nuk kanë gjasa t’i shembin plotësisht urat, por sulmet e përsëritura mund t’i bëjnë ato të papërdorshme. Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë diskutuar mundësinë e përdorimit të trageteve ose urave të përkohshme pontone në rast se lidhjet kryesore mbi Dniepër ndërpriten.

Kryebashkiaku Klitschko e ka cilësuar situatën në Kiev si “shumë dramatike”, duke akuzuar Moskën se po synon infrastrukturën kritike, logjistikën dhe objektet e tjera të rëndësishme të qytetit.

Nga ana tjetër, Rusia deklaroi se dronët e saj kishin goditur dy ura që, sipas Moskës, përdoren për transferimin e trupave dhe ngarkesave ushtarake ukrainase. Autoritetet ruse u kanë bërë gjithashtu thirrje qytetarëve të huaj, përfshirë diplomatët, që të largohen nga Kievi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po synon infrastrukturën jetike të Ukrainës, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin i ka justifikuar sulmet si përgjigje ndaj goditjeve ukrainase kundër objekteve energjetike dhe infrastrukturës së naftës në Rusi. Top Channel