Lajme Zone
Qeveria “shtetëzoi” dializën, por ia rikthen privatit për 49 milionë euro
PolitikëPolitiko

Qeveria “shtetëzoi” dializën, por ia rikthen privatit për 49 milionë euro

Vetëm pak ditë pasi njoftoi shtetëzimin e shërbimit të dializës pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, qeveria shqiptare ka vendosur sërish ta kalojë ofrimin e këtij shërbimi te një operator privat. Sipas Kapitali, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit ka shpallur në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik një tender me vlerë 4.6 miliardë lekë, rreth 49 milio

Vetëm pak ditë pasi njoftoi shtetëzimin e shërbimit të dializës pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, qeveria shqiptare ka vendosur sërish ta kalojë ofrimin e këtij shërbimi te një operator privat. Sipas Kapitali, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit ka shpallur në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik një tender me vlerë 4.6 miliardë lekë, rreth 49 milionë euro, për ofrimin e shërbimit të dializës në pesë spitale publike. Shërbimi parashikohet të ofrohet për një periudhë katërvjeçare në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Vendimi vjen pasi, në fund të korrikut, qeveria njoftoi se pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, shërbimi i dializës do të merrej në administrim nga shteti.

Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ngarkoi Operatorin e Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit me ofrimin e dializës, por edhe të shërbimit të kontrollit bazë mjekësor të popullatës, i njohur si check-up.

“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së qeverisë më 30 korrik.

Megjithatë, sipas Kapitalit, procedura e re e prokurimit tregon se shteti nuk do ta ofrojë drejtpërdrejt shërbimin e dializës në këto pesë spitale. Përmes tenderit, një operator privat do të përzgjidhet për të ofruar shërbimin për katër vitet e ardhshme, kundrejt një fondi prej rreth 49 milionë eurosh.

Në këtë mënyrë, shërbimi që u prezantua si i rikthyer në duart e shtetit pas përfundimit të koncesionit, do të vijojë të ofrohet përmes një subjekti privat, por tashmë përmes një procedure të re prokurimi. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm